Ndërlidhjet

logo-print

Tribunali do të nënkuptonte se në Kosovë ka dështuar drejtësia


Krijimi i një Tribunali Ndërkombëtar do të nënkuptonte se në Kosovë ka dështuar sistemi i drejtësisë, thonë ekspertët e çështjeve penale-juridike.

Njëherësh, ky Tribunal, sipas tyre, do të nënkuptonte edhe dështimin e misionit të EULEX-it, pasi që gjykatës e prokurorë ndërkombëtar kanë qenë dhe janë pjesë e këtij sistemi.

Tribunali për Kosovën do të merrte përsipër jo vetëm rastet e krimeve të luftës, por edhe ato që kanë mbetur pezull nga vitet 2000 – 2001.

Profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu thotë në një prononcim për Radion Evropa e Lirë se Tribunali Ndërkombëtar, sipas asaj që është paralajmëruar deri më tani, do të merrte përsipër trajtimin jo vetëm të rasteve të krimeve të luftës.

“Unë e lexova atë draftin e statutit të kësaj gjykate. Ajo parasheh që kjo gjykatë të jetë kompetente për t’i gjykuar krimet gjatë luftës 1998 – ’99 , por pa u kufizuar vetëm në krimet e luftës”, ka thënë Salihu.

Po në bazë të draft-statutit të kësaj gjykate, profesori Salihu numëron edhe lëndët tjera që ky Tribunal do t’i merrte eventualisht përsipër.

Aty përfshihen lloje të ndryshme të krimeve, të cilat sipas pretendimeve ndërkombëtare, prokuroritë dhe gjykatat vendase nuk kanë qenë të afta t’i zgjidhin.

“Kjo gjykatë do të kishte juridiksion edhe për krimet që janë kryer pas përfundimi tët luftës, por edhe pas vitit 2000- 2001. Do të ketë juridiksion edhe për krimet e vrasjeve me motive politike që janë kryer gjatë viteve 2000 – 2001, pastaj për vrasjet apo kërcënimet që pretendohet se janë kryer ndaj dëshmitarëve, por edhe për veprat korruptive. Kështu që ajo nuk do të jetë vetëm për krimet e luftës”, ka thënë Salihu.

Selia e kësaj gjykate do të ishte jashtë Kosovës me prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtar.

Por, për një Tribunal të tillë, ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi thotë se nuk ka nevojë pasi që në Kosovë ka gjykata vendase.

Ai thotë se kapacitetet e Kosovës janë të mjaftueshme marrë parasysh se këtu ka gjykatës e prokuror si të Kosovës ashtu edhe të EULEX-it.

“Duhet të them që Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për shqyrtimin dhe trajtimin e cilitdo rast në vendin tonë. Kur e them këtë kam parasysh gjyqtarët vendor dhe ata të EUELX-it. Po ashtu, në Kosovë ka mision ndërkombëtar, gjyqtar ndërkombëtar, ka prokuror ndërkombëtar dhe besoj që nuk ka asnjë arsye që të mendohet ndryshe”, ka thënë Kuçi.

Ndërkohë, profesori Ismet Salihu tërheq vërejtjen se me krijimin eventual të një Tribunali Ndërkombëtar, Kosova do të dëshmonte dështimin e organeve të ndjekjes penale.

Po ashtu, një Tribunal i tillë do të nënkuptonte se në Kosovë politika ndërhynë në gjyqësorin, kështu që rastet, e cilësuara si të “nxehta”, do të mund të zgjidheshin vetëm nga një gjykatë ndërkombëtare.

“Kjo nuk është mirë për Kosovë, për imazhin e saj dhe sistemin e drejtësisë. Sipas kësaj, po del që këtu kanë dështuar organet e ndjekjes, prokuroritë, gjykatat, por në një mënyrë nuk janë në nivelin e duhur as pjesëtarët e EULEX-it, sepse sistemin gjyqësor të Kosovës e përbëjnë edhe pjesëtarët e EULEX-it, që faktikisht janë staf ndërkombëtar”, ka vlerësuar profesori Ismet Salihu.

Ideja për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën, fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës që si bazë kishin dyshimeve të zviceranit Dick Marti, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por tani, ky Tribunal, po merr edhe përmasa tjera duke u zgjeruar edhe për rastet të cilat, sipas penalistëve në Prishtinë, do të duhej të ishin kompetencë e organeve të Kosovës.

Në bazë të debateve, për formimin e kësaj gjykate do të nevojitet edhe miratimi i institucioneve të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG