Ndërlidhjet

Trazira të përgjakshme në Kiev, BE vendos sanksione


Përleshje të reja në Kiev
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:17 0:00

Përleshje të reja në Kiev

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë pajtuar që të vendosin sanksione kundër zyrtarëve ukrainas, të cilët konsiderohen përgjegjës për dhunën e kësaj jave dhe përdorimin e tepruar të forcës.

Masat e miratuara sot, në një takim të jashtëzakonshëm në Bruksel, përfshijnë ndalesa të vizave dhe ngrirje të aseteve.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë të mërkurën se kanë vendosur sanksione kundër 20 zyrtarëve ukrainas.

Gjatë ditës, ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, e ka përshkruar ndalesën e dhënies së vizave për zyrtarët ukrainas nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe kërcënimet për sanksione të ngjashme nga Bashkimi Evropian, si “shantazh”.

Kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev, tha sot se Rusia, e cila i ka zotuar 15 miliardë dollarë ndihmë Ukrainës, do të dëshironte një qeveri të fuqishme në Kiev, e jo një qeveri “të nënshtrueshme”.

Sanksionet pasojnë përplasjet e sotme në Kiev ndërmjet protestuesve anti-qeveri dhe policisë speciale, me ç’rast ka pasur dhjetëra të vrarë.

Të dhënat për personat e vrarë nuk janë të qarta, por raportimet e mediave flasin për mbi 50 të vrarë në dy ditët e fundit. Liderët opozitarë kanë thënë se ky numër është edhe më i madh.

Gjatë ditës protestuesit kanë bërë përpjekje për të larguar forcat e rendit nga sheshi, duke hedhur kokteje Molotovi dhe gurë, duke thyer kësisoji linjat e policisë.

Policia ndërkaq është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe plumba gome, ndonëse raportohet edhe për përdorimin e municionit luftarak nga ana e forcave të rendit.

Kryetari i bashkisë së Kievit, i cili vjen nga rradhët e partisë politike në pushtet, thuhet të kenë dhënë dorëheqje sot për shkak të, siç është thënë, gjakderdhjes në rrugët e kryeqytetit.

Volodymyr Makeyenko, tha në një deklaratë se ngjarjet e fundit janë tragjedi për popullin e Ukrainës.

Presidenti ukrainas Viktor Yanukovych e ka emëruar zotin Makayenko në krye të bashkisë së Kievit në fund të muajit janar, pasi kishte shkarkuar para-ardhësin e tij, për, siç thuhej, shtypjen e protestuesve më 30 nëntor 2013.

Trazirat e sotme pasojnë arritjen e një marrëveshjeje të mërkurën mbrëma, ndërmjet presidentit ukrainas dhe liderëve opozitarë, për fillimin e bisedimeve për t’i dhënë fund krizës politike në vend.

Aktivistët rikthehen në pozicionet e veta
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:27 0:00

Arritja e kësaj marrëveshjeje ishte shpallur në faqen e presidencës në Internet, pas bisedimeve të mbajtura mbrëmë vonë, në të cilat kanë marrë pjesë edhe tre liderët kryesorë të opozitës.

Ish-ministri i ekonomisë, Arseniy Yatsenyuk, aktualisht njëri nga liderët opozitarë, që ka marrë pjesë në bisedime, është cituar të ketë thënë se “shkatërrimi i kampit të protestuesve, të cilin autoritetet e kishin planifikuar për të enjten, nuk do të ndodhë”.

Dhe ndërkohë që luftime vdekje-sjellëse po zhvillohen në rrugët e Kievit, disa anëtarë të ekipit olimpik të Ukrainës thuhet t’i kenë braktisur para kohe garat që po zhvillohen në kuadër të Lojërave Olimpike në Sochi.

Komiteti Ndërkombëtar Olimpik tha se të enjten, shefi i ekipit ukrainas në këto Lojëra, Sergei Bubka, është i mendimit se atletët duhet të vazhdojnë pjesëmarrjen, por që u ka dhënë leje anëtarëve të ekipit që të marrin vetë vendimin.

Numri i sportistëve që kanë vendosur të kthehen në Ukrainë, në shenjë solidarizimi me protestuesit, nuk dihet. (a.v.)
XS
SM
MD
LG