Ndërlidhjet

Tensionet në Ukrainë janë rritur më 18 shkurt, kur deputetët e opozitës i kanë bërë thirrje parlamentit që të rikthejë kushtetutën e vitit 2004, e cila do t’i ofronte presidentit Viktor Yanukovych më pak kompetenca.

Në të njëjtën kohë, rreth 20,000 protestues kanë marshuar drejt ndërtesës së parlamentit në mbështetje të tyre, por janë ndaluar nga policia në një konfrontim të dhunshëm.

Dhjetëra persona, në mesin e tyre protestues dhe policë, janë vrarë deri më sot.
Befasia më e madhe në lidhje me dhunën – deri tani më e keqja prejse kanë filluar protestat në nëntor – është se ajo ka pasuar hapat e ndërmarrë nga të dyja palët për qetësimin e tensioneve.

Më 17 shkurt ka hyrë në fuqi amnistia e qeverisë për qindra demonstrues, pasi këta të fundit kanë liruar ndërtesat qeveritare në gjithë vendin, përfshirë selinë e bashksië në Kiev.

Vetëm pak ditë më parë, qeveria ka liruar 234 persona, të burgosur për vepra që lidheshin me protestat.

Ivan Lozowy, analist politik nga Kievi, thotë se këta hapa nuk kanë qenë të mjaftueshëm për të qetësuar krizën.

“Të burgosurit, që janë liruar, vazhdojnë të kenë të hapura raste kriminale kundër tyre. Në anën tjetër, asnjë rast kriminal nuk është hapur kundër policisë, e cila ka përdorur forcë të tepruar dhe madje ka vrarë njerëz. Pra, ka pasur ndjenjë të përgjithshme të pakënaqësisë”, thotë Lozowy.

Sipas tij, protestuesit kanë qenë të zemëruar edhe me njoftimin e Moskës se do të dërgojë këstin prej 2 miliardë dollarësh për Kievin. Rusia ka premtuar 15 miliardë dollarë për Qeverinë e Viktor Yanukovychit, pasi ky i fundit ka refuzuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.

“Protestuesit besojnë se qeveria dhe presidenti Yanukovych i kanë premtuar Rusisë se do të pastrojnë Maidanin në këmbim të marrjes së këstit të radhës, që është negociuar në muajin dhjetor”, thotë Lozowy.

Analistët thonë se është e vështirë tani që palët të gjejnë një zgjidhje të negociuar.
Eugeniusz Smolar, ekspert i politikës së jashtme në Varshavë, thotë se edhe qeveria, edhe opozita duket se e shohin fuqinë nëpër rrugë si opsionin më të mirë.

“Për momentin jemi në një situatë në të cilën presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratike përdor mjete jodemokratike dhe johumane, duke qëlluar njerëzit, për të mbetur në pushtet. Në të njëjtën kohë, opozita përdor forcën në rrugë për ta detyruar atë që të lërë pushtetin”, thotë Smolar.

Për muaj të tërë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kievi dhe udhëheqësit e opozitës që të negociojnë fundin e krizës. Problemi është se, derisa zyrtarët e BE-së dhe të SHBA-së kanë takuar të dyja palët, Kievi i ka akuzuar ata se mbështesin opozitën.

Ngjashëm, Rusia nuk është në pozitë për të luajtur rol të ndërmjetësuesit. Moska mbështet plotëshisht Yanukovychin dhe ka akuzuar politikanët në SHBA dhe BE për ndërhyrje në punët e brendshme të Ukrainës.

Pamundësia e ndonjë pale të jashtme për të luajtur rolin e ndërmjetësuesit të sinqertë e bën krizën në Ukrainë gjithnjë e më të paparashikueshme. Një gjë e tillë po ashtu rrit tensionet midis Perëndimit dhe Rusisë, derisa Moska e sheh Ukrainën si sferë të saj të interesit.

“Bashkimi Evropian nuk ka fuqi për të ndërhyrë e as Shtetet e Bashkuara. A duhet Perëndimi të niset në rrugën e përfshirjes së drejtpërdrejtë? Kjo do të thoshte një Luftë e re e Ftohtë”, thotë Smolar.

Tani, shtrohet pyetja se a është Ukraina në prag të luftës civile, sepse në zemër të krizës është mospajtimi midis shoqërisë ukrainase për pozitën e vendit të tyre në botë.

Pjesë të Ukrainës flasin rusisht dhe e shohin vendin më afër Rusisë, ndërsa pjesë të tjera flasin gjuhën ukrainase dhe kanë tendenca ta shohin të ardhmen ekonomike dhe politike së bashku me Evropën.(v.tela)
XS
SM
MD
LG