Ndërlidhjet

Premtimi për pagat në fund të mandatit


Ilustrim
Ilustrim
Duke filluar nga muaji prill do të rriten pagat për të gjithë punëtorët e sektorit publik që paguhen nga buxheti i Kosovës, kështu ka premtuar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e së mërkurës të Qeverisë, ku ka kërkuar nga Ministri i Financave që për javën e ardhshme të përgatisë vendimin për këtë çështje.

Në Ministrinë e Financave, tashmë janë në përgatitje të disa propozimeve, thotë Gëzim Baxhaku, këshilltar politik për media i ministrit të Financave, Besim Beqaj.

Baxhaku nuk bën të ditur se sa për qind do të rriten pagat, por thotë se buxheti i këtij viti mundëson një rritje të tillë.

“Vendimin mbi lartësinë e rritjes së pagave do ta marrë Qeveria e Kosovës. Në Ministrinë e Financave janë duke u përgatitur disa propozime, për të cilat përfundimisht do të vendosë Qeveria".

"Pasi që bëhet fjalë për draft dhe propozim, ne nuk mund të flasim se sa do të jetë saktësisht përqindja e të ardhurave personale. Me këtë vendim do të përfitojnë të gjitha kategoritë e shërbyesve civilë”
, thotë Baxhaku për Radion Evropa e Lirë.

Përderisa Baxhaku nuk tregon përqindjen e rritjes së pagave, merret vesh se nga 18 deri në 20 për qind do të realizohet ngritja e të ardhurave mujore, për gati 80 mijë punonjës që paguhen nga buxheti i Kosovës.

Ekspertë për çështje ekonomike, e vlerësojnë të nevojshme rritjen e pagave, por periudha në të cilën janë bërë këto premtime, sipas tyre, nuk është e duhur.

Profesori në Kolegjin “Riinvest”, Muhamet Sadiku, thekson për Radion Evropa e Lirë se pagat në sektorin publik janë të vogla dhe jo stimuluese.

“Se a ka nevojë të ngrihen pagat, kjo është e padiskutueshme, sepse pagat në sektorin publik, vërtet janë të vogla, nuk janë stimuluese për fuqizimin e ekspertizës së vendit, për fuqizimin e profesionalizimit në administratën publike dhe për atraktimin e ekspertëve të rinj”.

Pra, unë mendoj se ky është vendim i duhur, tjetër është çështja se kjo po bie në kohën kur në Kosovë po paralajmërohen zgjedhjet e përgjithshme”, vlerëson Sadiku.

Sidoqoftë, në bazë të një marrëveshje të arritur ndërmjet dy liderëve të dy partive më të mëdha në vend, PDK-së dhe LDK-së, parashihet që zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë të mbahen në gjysmën e parë të këtij viti.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, vitin e kaluar gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale, kishte premtuar rritjen e pagave në sektorin publik, për këtë vit.

Përmbushja e premtimeve për rritjen e pagave do të monitorohet nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë Haxhi Arifi, udhëheqës i kësaj sindikate.

Megjithatë, Arifi beson se qeveria do t’i rrisë pagat e punëtorëve në sektorin publik.

“Ne na vjen mirë, sepse ndodh dhe besoj se do të ndodhë. Është vendim i mirë për shkak se është një periudhë kohore e gjatë që nuk ka pasur ngritje të pagave. Është pozitive, sepse premtimin e dhënë, kryeministri po e realizon”, pohon Arifi.

Ndryshe, në një komunikatë për media Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës, kërkon nga Qeveria e Kosovës që të realizohen premtimet e dhëna, në fushatë, për shërbyesit civilë lidhur me nivelizimin e pagave në sektorët tjerë në vlerë prej 20 për qind, obligim të cilin Qeveria e Kosovës nuk e ka realizuar.

Në buxhetin për vitin 2014 parashikohen mbi 483 milionë euro në llogarinë e pagave, që janë 45 milionë më shumë sesa vitin e kaluar.
XS
SM
MD
LG