Ndërlidhjet

logo-print

Kiev: BE-ja i vazhdon bisedimet me qeverinë dhe opozitën


Pamje e sotme e kampit të protestuesve në Kiev

Pamje e sotme e kampit të protestuesve në Kiev

Ministrat e Bashkimit Evropian po i vazhdojnë bisedimet në Kiev të Ukrainës me qeverinë dhe opozitën, për një plan për ta zbutur krizën.

Ministri i jashtëm i Francës, Laurent Fabius, i ka përshkruar këto bisedime si “shumë të vështira”, ndërsa ministri i jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, ka raportuar për progres, pas një dite të diplomacisë intensive.

Sipas agjencisë ruse ITAR-TASS, ndërmjetësuesi i Rusisë, Vladimir Lukin, po merr pjesë në negociata.

Nga ana tjetër, mbrëmë në Bruksel, ministrat e BE-së kanë imponuar ndalesë të dhënies së vizave dhe ngrirje të mjeteve financiare ndaj zyrtarëve të Ukrainës, që janë përgjegjës për gjakderdhjen në Ukrainë.

Gjatë ditës së djeshme afër Sheshit të Pavarësisë në kryeqytetin Kiev, ka pasur të shtëna nga armët, derisa protestuesit janë përleshur me policinë speciale.

Në video incizime janë parë pjesëtarët e policisë speciale duke shtënë me armë nga kulmet e ndërtesave kundër demonstruesve.

Ministria e brendshme tha se policisë i është dhënë armatim luftarak, që do të përdoret “në harmoni me ligjin”.

Ministria e shëndetësisë e Ukrainës ka thënë se 75 vetë janë vrarë prej ditës së martë.
XS
SM
MD
LG