Ndërlidhjet

logo-print

Yanukovych thërret zgjedhje të parakohshme presidenciale

  • RFE /RL

Kiev, 21 shkurt 2014

Kiev, 21 shkurt 2014

Presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, ka thënë se është arritur marrëveshja për të vendosur qetësinë dhe për t’i dhënë fund krizës së përgjakshme politike, e cila ka shkaktuar dhjetëra të vrarë dhe qindra të plagosur.

Në deklaratën e publikuar në ueb-faqen e tij, Yanukovych ka thënë se vendi do të mbajë zgjedhje të parakohshme presidenciale, por nuk ka saktësuar datën e tyre.

Yanukovych, i cili është zgjedhur për një mandat pesëvjeçar në vitin 2010, po ashtu ka thënë se do të nisë procesin për të formuar një qeveri të unitetit kombëtar dhe do të kthejë kushtetutën e vitit 2004, me të cilën kompetencat e presidentit kanë qenë më të vogla se tani.

Opozita është pajtuar dhe ka nënshkruar marrëveshjen me Yanukovychin.

Njoftimi i tij vjen pas bisedimeve maratonike me udhëheqësit e opozitës dhe tre ministra të Jashtëm të Bashkimit Evropian.

I dërguari i presidencës ruse, Vladimir Lukin, ka marrë po ashtu pjesë në bisedimet në Kiev.

Njëri nga tre të dërguarit e BE-së, ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, ka shkruar në Twitter se Ukraina është në “një moment delikat” dhe se kompromisi do të thotë se të gjitha palët do të marrin më pak se kërkojnë.

Kryeministri polak, Donald Tusk, është cituar nga agjencia Reuters të ketë thënë se ekzistojnë shanse që opozita të mos e miratojë nismën e presidentit. Ai ka bërë thirrje për kujdes në parashikimin e fundit të konfliktit.

Në deklaratën e tij, Yanukovych ka thënë se ka bërë disa lëshime ndaj opozitës, por nuk ka përmbushur kërkesën e saj që të japë dorëheqje.

Zhvillimet e së premtes vijnë pas disa ditësh përleshje vdekjeprurëse në Kiev, të cilat kanë përfshirë luftime me armë midis forcave të sigurisë dhe kundërshtarëve të qeverisë.

Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës ka thënë të premten se numri i të vrarëve në dhunë është 77 dhe se shumica e tyre janë protestues.

Yanukovych e ka përshkruar gjakderdhjen e kësaj jave si “ditë tragjike”, me “njerëz të vdekur nga të dyja palët”.

Ai ka thënë se bën lëshime, sepse, sipas tij, “nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa jeta e njeriut” dhe se duhet bërë çdo gjë për të rivendosur paqen në mes të ukrainasve.

Kjo javë ka shënuar përshkallëzim të mprehtë dhe të përgjakshëm të krizës në Ukrainë, e cila ka shpërthyer në muajin nëntor, pasi Yanukovych, nën presionin e Moskës, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshjet politike dhe të tregtisë me Bashkimin Evropian, të cilat janë negociuar për vite me radhë.

Pas refuzimit të BE-së, Yanukovych ka pranuar 15 miliardë dollarë nga Rusia, për të ndihmuar në lehtësimin e borxheve të Ukrainës.

Ukraina gjithashtu mbështetet në furnizimin me energji nga Rusia dhe tubacionet në Ukrainë përdoren për eksportin e energjisë ruse në Evropën perëndimore. (v.tela)
XS
SM
MD
LG