Ndërlidhjet

logo-print
Sot është Dita botërore e gjuhës amtare.

Për ta shënuar këtë ditë, kemi vendosur që në rrugët e Prishtinës të pyesim kalimtarët e rastit nëse dhe sa përdorin shprehje të huaja dhe të folurën zhargon.

OK, Hi, Flm, Sps, Hello... janë vetëm disa nga shprehjet që kanë hyrë në përdorim gjatë së folurës së përditshme, duke mos përjashtuar këtu edhe gabimet gjuhësore, qoftë në të shkruar apo edhe në të folur.

Bejtush Blakçori, rreth të 60-tave me profesion tregtar, e konsideron fatkeqësi të një populli nëse nuk di ta flasë dhe shkruajë drejt gjuhën amtare.

“Ka gabime të hatashme. Njeriu kur s’e di gjuhën e vet, kjo është fatkeqësia më e madhe, sepse kultura e një populli varet nga gjuha amtare. Ai popull që e humb gjuhën e vet, e humb edhe identitetin”, konsideron Bejtush Blakçori.

Mehmet Krasniqi, një tjetër qytetar, thotë se gjuha shqipe është gjuhë e bukur dhe nuk ka nevojë të hyjnë fjalë të huaja në fjalor, derisa shton se një gjë e tillë po ndodh çdo ditë e më shumë:

“Mendoj që shumë (ka devijuar). Jemi dëshmitarë që fjalë të huaja po hyjnë në fjalorin shqip pa nevojë, sepse ne kemi mjaft fjalë të bukura dhe nuk kemi nevojë për shprehje tjera. Pastaj, është për t’u shqetësuar që përdoren fjalë si SPS, FLM, etj”.

Derisa Bekim Morina, me profesion ekonomist, 34-vjeçar mendon se zhargonet që përdoren nga të rinjtë, nuk janë të mira, pasi që, siç thotë ai, të moshuarit shpeshherë edhe nuk i kuptojnë.

“Unë mendoj që ka devijuar gjuha shqipe, sepse gjuha jonë ka fillet e vjetra. Kohët e sodit po hyjnë fjalë të reja, sidomos gjuha angleze po përdoret mes fjalëve. Por, të moshuarit nuk e kuptojnë aq mirë. Mendoj se gjuha duhet ta ketë origjinalitetin e vet”, thotë Bekim Morina.

E, juristi Zeqir Hoti, mendon se fjalët e huaja që kanë hyrë në fjalorin e gjuhës shqipe, janë si rezultat i shumë të rinjve që jetojnë jashtë Kosovës.

Në një mënyrë po. Të rinjtë kanë dalë jashtë vendit shumë dhe përdoren tash fjalët e huaja. Zhargonet po më pengojnë. Po përdoren shumë nga të rinjtë”, shprehet Zeqir Hoti.

I anketuari tjetër, Bajrami, edhe pse nuk pajtohet me zhargonet gjatë së folmes, mendon se ndonjëherë janë të mira, pasi që e kursejnë kohën:

Shumë ka devijuar gjuha dhe aspak nuk respektohet gjuha standarde as nga ata që duhet më së shumti ta respektojnë, si profesorët e gazetarët. Ndonjëherë zhargonet që përdoren nga të rinjtë, janë të mira, sepse e kursejnë kohën.

Derisa inxhinieri i diplomuar për teknologjisë, Fatos Lama, edhe pavarësisht mundit për t’i bindur fëmijët e tij që ta ruajnë gjuhën e pastër shqipe, thotë se nuk po arrin, pasi që, tregon ai, fëmijët e tij po përdorin fjalë të huaja dhe zhargone.

“Gjuha shqipe ka devijuar. Sidomos gjenerata e re. Sa më shumë që dinë të rinjtë, aq më mirë është. Por, gjuha amtare duhet ruajtur. Unë i kam dy djem dhe e shoh që përdorin shumë zhargone”.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG