Ndërlidhjet

logo-print
Ndonëse Qeveria e Kosovës ka paraparë që nga muaji prill i këtij viti t’i rrisë pagat për rreth 80 mijë punëtorë në sektorin publik, kjo rritje e pagave, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, po baraspeshohet me inflacionin, i cili në Kosovë nga muaji në muaj shënon rritje.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për muajin janar, tregojnë se indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë është më i lartë për 0,3 për qind, krahasuar me muajin dhjetor 2013.

Shkalla mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2013, sipas ASK-së, ishte 1,8 për qind.

Përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës kërkojnë që rritja e pagave duhet të bëhet në bazë të parametrave ekonomik në vend, siç është inflacioni.

Alush Sejdiu nga BSPK-ja, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se kanë kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të përcillet indeksi i çmimeve dhe në atë formë, të bëhet harmonizimi i pagave.

“Mendimi ynë është që të përcillet indeksi i çmimeve në Kosovë, në mënyrë që punëtorët, me pagën e tyre, ta sigurojnë ekzistencën e tyre së paku minimale. Kjo nuk po ndodh. Së paku në Kosovë çdo muaj kemi inflacion 2 për qind”, thotë Sejdiu.

Ndryshe, vendet e zhvilluara aplikojnë praktika tjera karshi inflacionit. Nëse shkalla e inflacionit është 2.5 për qind, atëherë me automatizëm të gjitha pagat në sektorin publik dhe privat rriten për 2.5 për qind, mirëpo ajo nuk quhet ngritje, por quhet vetëm nivelizim i pagave në raport me inflacionin.

Të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë se paga neto te shumica e punonjësve kosovarë është 300 deri 400 euro në muaj. Derisa paga minimale në Kosovë është 130 deri në 170 euro në muaj.

Në Kosovë nuk ka pasur rritje të pagave që nga viti 2011. Qeveria e Kosovës në vitin 2011, kishte ngritur pagat për punonjësit e sektorit publik prej 30 deri në 50 për qind, vendim ky i cili në atë kohë ishte marrë në kundërshtim me atë që kishte thënë Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se rritja e pagave karshi inflacionit që po godet Kosovën, po e baraspeshon rritjen.

“Duke u bazuar në atë se nuk ka pasur rritje të pagave në tre vjetët e fundit mund të themi se ka ndikuar inflacioni. Nëse vjen deri te kjo rritje e pagave, mund të themi se baraspeshohet paga me inflacionin”, konsideron Tahiri.

Një familje prej katër anëtarësh, sipas profesor Tahirit, me çmimet që janë në Kosovë, mund të kalojë një jetë mesatare vetëm nëse ka të ardhura 700 euro në muaj.

Lidhur me mosngritje të pagave karshi inflacionit, Alush Sejdiu nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se ky mosveprim ka ndikuar në ulje të standardit jetësor të qytetarëve dhe në të njëjtën kohë ka ulur fuqinë blerëse.

“Caktohet një pagë dhe ajo mbetet e njëjtë për dy e tre vjet. Kjo është e papranueshme. Nëse dëshirojmë të kemi ekonomi të lirë të tregut, duhet që të gjitha parametrat të kenë një balancim. Edhe pagat duhet ta përcjellin inflacionin, se inflacionin nuk mund ta ndalë askush, por mundësisht të përcillet me kompensimin e punëtorëve për punën që bëjnë ”, vlerëson Sejdiu.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG