Ndërlidhjet

Gjermania fton Ukrainën të respektojë marrëveshjen


Ilustrim
Ilustrim
Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier i ka bërë thirrje të shtunën qeverisë së Ukrainës dhe opozitës që të respektojnë marrëveshjen paqësore në të cilën vunë firmat e tyre, një ditë më herët.

“Tani gjithçka varet nga të dyja palët në konflikt - qeverisë dhe opozitës - që t’i përmbahen asaj për të cilën janë pajtuar, dhe të fillojnë të ndërtojnë një marrëdhënie mirëbesimi”, ka thënë shefi i diplomacisë gjermane, në kohën kur presidenti Viktor Yanukovych duket se është pranë kolapsit pas muajve të tërë protestash.

“Situata megjithatë mbetet shumë e brishtë”, ka thënë Steinmeier, për të shtuar se prioritet kryesor tani mbetet që palët të zhvillojnë bisedime për formimin e një qeverie të pranueshme për të gjithë.

“Ndoshta kjo është mundësia e fundit që të arrihet një zhvillim paqësor për të ardhmen e Ukrainës”, ka paralajmëruar ai.

Marrëveshja e arritur të premten, me ndërmjetësimin e perëndimit, bënë thirrje për zgjedhje të hershme, dhe formimin e një qeverie të unitetit, ndërsa i ofron amnisti të gjithë protestuesve anti-qeveritar që janë arrestuar gjatë tri ditëve të kaosit në Kiev.

Mbi 70 persona kanë humbur jetën në këto trazira.
XS
SM
MD
LG