Ndërlidhjet

Shqetësimet e Beogradit për Mitrovicën e veriut


Mitrovicë e veriut
Mitrovicë e veriut
Autoritetet e larta të Serbisë u kanë bërë thirrje serbëve të Mitrovicës së veriut që të dalin në numër sa më të madh në votime në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut.

Ata kanë shfaqur shqetësimin e tyre që në rast se pjesëmarrja e serbëve në votime nuk do të jetë e lartë, atëherë, siç thuhet, komuna do ta udhëhiqet nga shqiptarët.

Thirrje të tilla ndaj qytetarëve serbë ka bërë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili po ashtu i ka ftuar qytetarët që të votojnë të qetë.

Mendoj që zgjedhjet e përsëritura për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut, të mbahen të qeta dhe në zgjedhje të dalin një numër domethënës i serbëve, që të mos e kemi mbi kokë problemin e njëjtë që e kemi pasur edhe në zgjedhjet e kaluara. Kjo nënkupton që të mos vijmë deri aty që për kryetar komune të na vijë një shqiptar”, ka thënë kryeministri serb Daçiq.

Shqetësime të ngjashme ka shfaqur edhe ministri pa portofol i Qeverisë së Serbisë, i ngarkuar me Kosovën, Aleksandar Vulin.

Ai ka paralajmëruar serbët e Mitrovicës së Veriut, që në zgjedhjet e 23 shkurtit, pritet dalje masive e shqiptarëve, andaj i ka ftuar serbët që të dalin në numër sa më të madh.

“Kam nevojë që të dilni më 23 shkurt në numër sa më të madh. Kam nevojë që të mos lejoni as mundësinë më të vogël që në krye të Mitrovicës së veriut të vijnë shqiptarët. Kjo nuk guxon të ndodhë. Të mos më thotë nesër dikush që është fajtore Qeveria e Serbisë, se është fajtore kjo apo ajo parti, ose se është fajtor bojkotimi, në qoftë se në krye të Mitrovicës së veriut vjen ai që nuk e dëshirojmë. Fajtorë do të jeni ju vetë”, ka porositur Vulin serbët e Mitrovicës së veriut.

Ai, po ashtu, ka dërguar mesazhe që bartin frikë, në qoftë se, sipas tij, në krye të komunës së Mitrovicës së veriut vjen ndonjë shqiptar.

“Të gjithë ne e dimë se kjo do të ishte e paqëndrueshme, Por, gjithashtu e dimë se një gjë e tillë do ta shndërronte në ferr jetën tonë dhe të fëmijëve tanë dhe koha që do të na priste do të ishte kohë e konflikteve, e mosdurimit dhe e problemeve serioze politike dhe të tjera”, ka theksuar Vulin.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme ka refuzuar kërkesën e Aleksandar Vulinit që të vizitojë Kosovën me datën 23 shkurt.

Policia e Kosovës
Policia e Kosovës
Këtë e ka konfirmuar edhe Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë së Kosovës, i cili i ka thënë Radios Evropa e Lirë se policia tashmë ka marrë njoftimin nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Lidhur me kërkesën që zoti Vulin ka bërë për ta vizituar Kosovën me 23 shkurt, autoriteti përgjegjës, që në rastin konkret është Ministria e Punëve të Brendshme, e ka refuzuar këtë kërkesë. Policia e ka marrë refuzimin e kërkesës nga Ministria e Punëve të Brendshme”, ka theksuar Sadriu.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Mitrovicës së veriut, do të jenë zgjedhje të ripërsëritura, pas heqjes dorë nga mandati i kryetarit të zgjedhur nga ana e Krstimir Pantiqit, i cili kishte fituar në balotazh me 3 nëntor.
XS
SM
MD
LG