Ndërlidhjet

logo-print

Ligje evropiane, por të pazbatueshme për mbrojtjen e mjedisit


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi

Maqedonia ka arritur të harmonizojë ligjet që rregullojnë mbrojtjen e ambientit jetësor në nivel të kënaqshëm, por problemi qëndron në mungesën e zbatimit të tyre në praktikë, thonë organizatat që merren me këtë problematikë.

Kirill Ristovski nga shoqata ekologjike “Florazon”, thotë se përfaqësuesit e sektorit civil pothuajse aspak nuk përfshihen gjatw miratimit të ligjeve që prekin ambientin.
Sipas Ristovskit, anashkalohen edhe vërejtjet e organizatave të ndryshme joqeveritare për mbrojtjen e ambientit jetësor gjatë marrjes së vendimeve, si nga pushteti vendor ashtu dhe nga ai qendror, të cilat në fokus kanë vetëm interesin ekonomik në kurriz të cilësisë së jetesës.

“Implementimi i ligjeve, me të cilat rregullohet mbrojtja e ambientit jetësorë paraqitet si problem serioz në Republikën e Maqedonisë kundrejt faktit se vendi tashmë ka harmonizuar pjesën më të madhe të ligjeve konform legjislacionit evropian”, thotë Ristovski.

Ai në këtë drejtim apostrofon mospërgatitjen profesionale sa i përket kujdesit ndaj ambientit.

“Nevojitet trajnimi i administratorëve si në pushtetin vendor, ashtu dhe atë qendror, është e nevojshme që të përforcohen kapacitetet e veprimit të sektorit civil, si dhe të gjitha subjektet që në fokus kanë ambientin jetësorë duke kontribuar dhe në rritjen e vetëdijes te qytetarët për të reaguar ndaj çdo veprimi që kërcënon ambientin”, thekson Ristovski.

Nga ana tjetër, Lulzim Fejzullahu, përfaqësues i sektorit civil nga Gostivari, thotë se pjesa më e madhe e fondeve evropiane dedikuar mbrojtjes së ambientit, mbetet e pashfrytëzuar si pasojë e mungesës së informacionit se si mund të kontribuohet në mbrojtjen e ambientit.

“Pse mjetet evropiane dedikuar për ambientin nuk shfrytëzohen sa duhet? Një pjesë e fajit është te ne, qytetarët, mendoj edhe te ne si organizata joqeveritare, mbase nuk jemi të përgatitur aq sa duhet për t`i absorbuar ato fonde. Një pjesë tjetër e fajit është te Qeveria, gjegjësisht institucionet shtetërore, përmes së cilës ofrohen ose menaxhohen këto fonde. Pra, ky problem është komplementar ky problem duhet të gjenden mekanizma për të tejkaluar problemet si ata që i shfrytëzojnë po edhe ata që i dedikojnë”, shprehet Fejzullahu.

Sipas Fejzullahut, migrimi i brendshëm gjegjësisht përqendrimi i pjesës më të madhe të popullatës nga fshati në qytet, paraqet kërcënim për ambientin jetësorë.

“Natyra mund të mbrohet vetëm atëherë kur njerëzit do të jetojnë dhe veprojnë në natyrë. Ne ngadalë duhet t`i kthehemi natyrës, si në aspektin shëndetësor, ashtu dhe atë ekonomik, sepse jetojmë në qytete, që nuk kanë kapacitet t`i konsumojnë gjithë ata qytetarë si krah pune”, shton Fejzullahu.

Sipas Fejzullahut, inicimi i projekteve dhe subvencionimi i të njëjtave për ta kthyer në fshat popullatën, është zgjidhje afatgjate dhe jo ligjet rigoroze për ndotësit e ambientit. Ai thotë se janë paradoksale disa dhjetëra ose edhe qindra euro për mos-hedhjen e mbeturinave në tokë ose hedhjen e cigares në rrugë, të cilat parashihen në Ligjin për mbrojtjen e ambientit.

Ndërkaq, Branko Gerovski, botues i së përditshmes “Shtypi i lirë” konsideron se mungesa e aktiviteteve të sektorit civil për të ngritur zërin ndaj veprimeve të caktuara, është ajo që bën autoritet shtetërore të jenë komode kur marrin vendime në dëm të interesave të qytetarëve dhe në plan të parë kanë përfitimin material.

“Efektet e ndotjes së ambientit jetësor janë afatgjata dhe për këtë duhet të informohen vazhdimisht qytetarët. Ju e dini se në fillim edhe projekti që parasheh devijimin e lumit Radika bëhej heshtazi nga organet qeveritare, përderisa nuk e ngritën zërin organizatat joqeveritare dhe bënë që Qeveria të demonstrojë pak më shumë transparencë”, theksoi Gerovski.

Ndërkohë, Ministria e Ambientit jetësor e Maqedonisë, e cila krahas harmonizimit të legjislacionit të vendit me atë të BE-sw, thotë se në vazhdimësi monitoron gjendjen e mjedisit, angazhohet për restaurimin e pjesëve të ndotura të mjedisit, si dhe monitoron aplikimin e masave konform ligjeve, sa u përket mbetjeve të ngurta që lirohen nga gjigantët e metalurgjisë duke ndërmarrë sanksione ndaj shkelësve të ligjit.
XS
SM
MD
LG