Ndërlidhjet

S’monitorohen ndërmarrjet e privatizuara


Ilustrim

Ilustrim

Jo të gjitha ndërmarrjet e privatizuara me metodën e spin off-it special kanë treguar performancë të mirë në zhvillimin e aktiviteteve të tyre.

Kjo edhe ka zbehur imazhin e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, thonë përfaqësues të punëtorëve dhe ekspertë për çështje ekonomike.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka trashëguar nga agjencia e mëhershme 26 ndërmarrje të privatizuara me metodën e spin off-it special.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka kërkuar disa herë nga Kuvendi i Kosovës dhe institucionet tjera kompetente që të monitorohen apo vëzhgohen të gjitha ndërmarrjet shoqërore të privatizuara, konkretisht ato ndërmarrje që janë shitur me metodën e spin off-it special, thotë Alush Sejdiu, nënkryetar në këtë sindikatë.

“Do të thotë se ne nuk jemi të kënaqur, sepse nga 26 ndërmarrje të privatizuara me këtë metodë, i kemi gjashtë storie të suksesit, të cilat e kanë ruajtur destinimin para privatizimit, i kanë plotësuar përafërsisht kontratat e shitblerjes, siç janë premtimet për investime dhe punësimin e punëtorëve”, thotë Sejdiu për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, thonë se mbikëqyrja pas privatizimit ndodh konform kritereve të caktuara.

Në një përgjigjeje përmes postës elektronike, Ylli Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci, thekson se janë gjithsej 26 ndërmarrje, të cilat janë privatizuar me metodën e spin off-it special, të gjitha në kohën e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit(AKM).

“Nga 26 ndërmarrje, dy janë liruar në kohën e ish AKM-së si rrjedhojë e përmbushjes së zotimeve, ndërsa nga AKP-ja, janë liruar 17 ndërmarrje si rezultat i përmbushjes së kushteve të kontratës”.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit, ka bërë tërheqjen e aksioneve për tri ndërmarrje, si pasojë e mospërmbushjes së kushteve kontraktuese, ndërkohë që nën monitorim të mëtutjeshëm janë edhe 4 ndërmarrje”,
potencon Kaloshi.

Profesori në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, thekson se mungesa e ekspertëve, fillimisht në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, pastaj në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ka treguar paaftësi për të realizuar këtë proces.

Qëllimi i privatizimit me metodën e spin off-it special fillimisht ka qenë i mirë, thotë Ramosaj, duke shtuar se tashmë ka hapësirë të mjaftueshme për interpretime dhe dyshime të ndryshme.

“Lënë hapësirë për interpretime të keqpërdorimeve, formave të ndryshme të nepotizmit, apo formave të zgjatjes së dorës së partive politike që janë në pushtet; që dyshohet se i kanë privatizuar njerëzit e vet, apo janë privatizuar nga vetë ata. Që, në fakt, këto ndërmarrje nuk kanë sjell rezultate”.

“Unë them se AKP-ja nuk është duke kryer punën si duhet, me këtë strukturë ekzistuese, qoftë në bordin e drejtorëve, qoftë në udhëheqjen e përgjithshme të AKP-së, ka treguar se është një agjenci që është plotësisht e dështuar”,
konsideron Ramosaj.

Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore me metodën e spin off-it special, nënkupton që blerësi i ri s’duhet të ndryshojë veprimtarinë e ndërmarrjes dhe duhet të përmbushë zotimet sipas marrëveshjes kontraktuese, ku përfshihen investimet dhe punësimi i një numri të caktuar të punëtorëve.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG