Ndërlidhjet

Parlamenti shkarkon Yanukovychin, e zëvendëson me Turchinovin


Kiev...
Kiev...
Parlamenti ukrainas ka votuar sot për t’i dorëzuar përkohësisht detyrat e presidentit, kryetarit të Parlamentit të Ukrainës, Oleksandr Turchinov.

Vendimi i së dielës erdhi një ditë pas votimit në Parlament për shkarkimin e plotë nga posti dhe detyrat të presidentit Viktor Yanukovych, pas tre muajsh protestash masive kundër tij në Kiev.

Kuvendi ukrainas caktoi të shtunën 25 majin, si datë për zgjedhje të parakohshme presidenciale.

Deputetët, po ashtu, ka votuar për shkarkimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Leonid Kozhara, që është aleat i Yanukovych, dhe disa ministrave të tjerë.
Turchinov u tha ligjvënësve që deri të martën të nxjerrin një pajtimin për formimin e një qeverie të unitetit.

Sipas tij, ekonomia e Ukrainës është në gjendje “katastrofike” dhe se arkat e shtetit janë boshe.

Turchinov është aleat i afërt i ish-kryeministres Yylia Tymoshenko, që është rivalja kryesore politike e Yanukovychit, e cila u lirua të shtunën pas gati katër vjet të kaluara në burg.

Parlamenti ukrainas, gjithashtu, votoi që t’i merret rezidenca presidenciale Yanukovychit, e t’i dorëzohet shtetit.

Ndërkohë, ende nuk dihet se ku ka shkuar Yanukovychi, pas largimit të tij të shtunën nga kryeqyteti Kiev.

Arsen Avakov, i cili u zgjodh nga Parlamenti të shtunën si ministër i Punëve të Brendshme, konfirmoi se kufitarët kishin parandaluar Yanukovychin që të largohet nga shteti përmes aeroportit në qytetin lindor Donetsk.

Parlamenti, në seancën e së dielës votoi edhe për një urdhëresë, me të cilën kërkohet arrestimi i ministrit të të Ardhurave dhe Taksave, Oleksandr Klimenko, dhe ish-kryeprokurorit të shtetit, Viktor Pshonka.

Avakov tha se kanë nisur hetimet për të konfirmuar dyshimet se afro 30 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme kanë qenë të përfshirë në vrasjet dhe dhunën e ushtruar ndaj protestuesve.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi të dielën se nga përleshjet ndërmjet të policisë dhe protestuseve anti-qeveritarë në Kiev, këtë javë, kanë vdekur 82 persona, ndërsa 645 janë plagosur.

Tymoshenko të shtunën mbrëma iu drejtua mijëra protestuesve, të cilët për tre muaj rresht nuk u zmbrapsën nga kërkesa e tyre për rrëzimin e Yanukovychit.

"Përderisa isha në burg, mendoja se nuk ka asgjë më të madhe, sesa të jetosh në mesin tuaj! Por, tani, duhet të bëjmë disa gjëra të rëndësishme. Para së gjithash, duhet të sjellim Yanukovychin dhe të gjitha atë llum që kishte rreth vetes, këtu në këtë shesh”, tha ajo.

Tymoshenko, po ashtu, u bëri thirrje protestuesve që të mos zmbrapsen nga barrikadat.

Lideri i opozitës, Vitali Klitschko, tha të dielën se është e drejtë e protestuesve që të qëndrojnë në rrugë.

"Mendoj se njerëzit duhet të rrinë në rrugë dhe të mbajnë në kontroll tërë procesin, i cili po zhvillohet në Ukrainë. Secili politikan duhet ta dijë - secila qeveri e ardhshme duhet ta di dhe ta kujtojë – se nëse nisin të bëjnë lojëra të pista, kjo do t’i gjej. Fuqia kryesore – fuqia e popullit – është shumë e rëndësishme. Ukraina i ka dëshmuar tërë botës se po funksionon – se mund të sjell ndryshime”, ka thënë Klitschko.

Yanukovych ka thënë të shtunën, se nuk do të dorëhiqet dhe se të gjitha vendimet e nxjerra nga parlamenti janë të jashtëligjshme.

Protestat anti-qeveritare në Kiev u nxitën nga një vendim i Yanukovychit që të largohet nga integrimet evropiane, dhe të lidhë Ukrainën më shumë me Rusinë.(f.aliu)
XS
SM
MD
LG