Ndërlidhjet

Rakiq del fitues në Mitrovicën e Veriut


Mitrovica

Mitrovica

Kandidati i Nismës Qytetare “Srpska”, Goran Rakiq, ka fituar 52.6 për qind të votave në Mitrovicën e Veriut, tregojnë rezultatet preliminare, të cilat i shpalli të dielën mbrëma Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës.

I dyti për nga numri i votave, del të jetë kandidati i Nismës Qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia” Olliver Ivanoviq me 27.7% të votave të fituara.

Kandidatët shqiptarë Florent Azemi dhe Musa Miftari, nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë marr 11% respektivisht 8.7% të votave.

Sipas rezultateve preliminare, Rakiq ka mbledh 2,700 vota, Ivanoviq 1,420 vota, Azemi 565 vota kurse Miftari 449 vota.

Procesi zgjedhor u zhvillua qetë. Në në orën 19 janë mbyllur 33 vendvotime në 7 qendra të votimit, në të cilat qytetarët e kësaj komune, për të katërtën herë, për më pak se katër muaj, kanë votuar për zgjedhjen e kryetarit të komunës.

Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka raportuar se gjatë ditës kanë votuar 20. 72 për qind prej 28 mijë e 429 personave me të drejtë vote.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gjatë procesit të votimeve nuk është shënuar ndonjë parregullsi që do ta lëndonte procesin zgjedhor.

Në orën 19, ashtu siç është paraparë, janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit në Mitrovicën e veriut. Duke u mbështetur në raportin e Komisionit komunal të zgjedhjeve, deri në mbyllje të vendvotimeve, kanë votuar 5 mijë e 890 votues apo 20. 72 për qind e votuesve. Dua të theksoj se procesi i votimit ka shkuar në rregull dhe nuk kemi marrë ndonjë raportim për parregullsi të mundshme gjatë ditës së sotme”, ka thënë Elezi.

Për të parin e komunës së Mitrovicës së veriut kanë garuar 4 kandidatë: Goran Rakiq nga Iniciativa Qytetare Serbe, Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës, Musa Miftari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, si dhe lideri i Iniciativës qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia”, Oliver Ivanoviq, i cili aktualisht gjendet në paraburgim, për shkak të dyshimeve se ka bërë krime lufte dhe vrasje të rëndë pa luftës.

Procesi i votimeve në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në Mitrovicën e veriut ka kaluar i qetë dhe pa incidente.

Gjatë ditës, nëpër rrugë dhe në afërsi të vendvotimeve është vërejtur prani e shtuar e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe pjesëtarëve të KFOR-it.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë theksuar se për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Mitrovicën e veriut janë duke u kujdesur rreth 200 pjesëtarë të kësaj policie.

Një numër i qytetarëve në Mitrovicën e veriut që në orët e para të votimit kishin mësyrë vendvotimet për të realizuar të drejtën e tyre për të votuar.

Jovan Iliq tha se ishte ndër qytetarët e parë që kishte votuar, me shpresën se komuna ku jeton ai, më në fund ta ketë një kryetar..

“Unë mendoj se tashmë është koha që ta kemi një kryetar të vyeshëm dhe që u del përballë problemeve, të cilat deri tash nuk i ka zgjidhur askush dhe që na kanë ardhur në majë të hundës”, theksoi Iliq.

Novica Sovrliq, gjithashtu kishte votuar dhe siç tha ai, kishte kryer obligimin qytetar.

“E ndjej se ky është obligim. Kur të gjithë bëjnë thirrje për të dalë në votime dhe kur pas thirrjeve qëndron edhe Qeveria e Serbisë, unë mendoj se duhet të dilet në votime. Qyetit tonë i mungon vetëm pak urtësi, asgjë tjetër”, tha Sovrliq.

Jelica Popadiq tha se dalja në zgjedhje ishte obligim qytetar dhe këtë obligim tashmë ajo e kishte kryer. Ajo po ashtu ka theksuar se të gjithë bashkëqytetarët e saj duhet ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur.

“Ky është obligim qytetar dhe duhet të dalim të gjithë që ta zgjedhim kryetarin e komunës dhe që e nesërmja të jetë më e mirë. Qytetit tonë i mungon shumëçka, që nga banesat, uji dhe të gjitha. Presim që situata të përmirësohet”, theksoi Popadiq.

Viktor Gjorgjeviq tha se kishte votuar dhe ka ftuar edhe bashkëqytetarët që të dalin në votime, siç tha ai, për të mirën e përbashkët edhe pse, ai shprehu dyshimet e thella se pas zgjedhjeve mund të ketë ndryshime rrënjësore në jetën e qytetarëve të Mitrovicës së veriut.

“Unë dyshoj thellë lidhur me atë se mund të ketë ndryshime të mëdha. Por, të gjithë e kanë mendimin e vet dhe secili e ka një kandidat për të cilin mund të votoj. Pres se do të përmirësohet situata dhe lus Zotin për këtë. Kushdo që të zgjidhet sot, serb ose shqiptar, nuk ka rëndësi, vetëm të bëhet më mirë, të mbretëroj qetësia dhe të jetojmë në paqe”, tha Gjorgjeviq.

Ndryshe, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhje, Nenad Rikalo ka deklaruar gjatë ditës së sotme se numërimi i votave të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut do të bëhet në vendvotime. Zyrtarët e këtij komisioni kanë paralajmëruar mundësinë që të dhënat preliminare të publikohen në orët e vona të mbrëmjes.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG