Ndërlidhjet

OSBE/KFOR i japin notë pozitive zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut


Ilustrim

Ilustrim

Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë kanë dhënë vlerësim pozitiv për mbarëvajtjen e procesit të sotëm zgjedhor në Mitrovicën e Veriut.

Kjo organizatë evropiane, e mandatuar nga institucionet kosovare, ka qenë lehtësues i këtij procesi në veri.

“Jam shumë i kënaqur me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të sotme,” ka vlerësuar ambasadori Jean-Claude Schlumberger që drejton këtë mision në Kosovë.

Në një komunikatë dërguar medieve pas mbylljes së vendvotimeve, OSBE-ja thotë se banorët me të drejtë vote patën mundësi që të hedhin votën e tyre nga ora 7:00 deri në ora 19:00 në shtatë qendra të votimit me 33 vendvotime.

Po ashtu bëhet e ditur se këshillat e vendvotimeve i numëruan votat në vendvotime dhe materialin ia dorëzuan Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nëpërmjet degës së vet komunale.

“Anëtarët e këshillave të vendvotimeve i kanë kryer detyrat e tyre me profesionalizëm dhe afro 100 pjesëtarë të OSBE-së ofruan ndihmën e nevojshme teknike. Për më tepër, ofruesit e sigurisë – Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i – edhe njëherë u dëshmuan në nivel të detyrës duke ofruar një ambient të qetë zgjedhor, dhe unë i falënderoj për punën e tyre të palodhshme.”

Në anën tjetër, edhe Misioni i NATO-së në Kosovë-KFOR, i ka vlerësuar me notë pozitive zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut.

“Operacioni i sigurisë gjatë procesit zgjedhor mbetet një histori suksesi për organizatat vendore të sigurisë në Kosovë dhe KFOR-in”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunës në Mitrovicë të Veriut mund të mbahet pas katër javësh nëse asnjëri nga kandidatët nuk siguron mbi 50 për qind të votave.
XS
SM
MD
LG