Ndërlidhjet

Times: Stili autokratik i Erdoganit ngrin rrugën evropiane të Turqisë


Bashkimi Evropian pritet të ngrijë kërkesën e Turqisë për anëtarësim, nga frika se kryeministri i këtij vendi është duke drejtuar qeverinë e tij drejt autokracisë, shkuran Times.

Sipas gazetës, presioni për të ndaluar bisedimet ka ardhur pasi aleatët perëndimorë të Ankarasë kanë shprehur shqetësim për legjislacionin që ka nxitur Recep Tayyip Erdogani, i cili kufizon të drejtat civile dhe i jep atij kompetenca të reja.

Javën e kaluar, Qeveria e Turqisë ka propozuar një ligj të ri, i cili do të zgjeronte në mënyrë dramatike kompetencat e Agjencisë së Brendshme të Inteligjencës, apo MIT.

Ligji, i cili pritet të kalojë në parlament këtë javë, do t’i japë agjencisë imunitet të gjerë ligjor dhe të drejtën për të “mbledhur, regjistruar dhe analizuar informacione, dokumente, lajme, të dhëna, duke përdorur të gjitha llojet e inteligjencës teknike dhe njerëzore”.

Sipas këtij ligji, gazetarët dhe redaktorët që publikojnë dokumente të rrjedhura nga Agjencia e Brendshme e Inteligjencës përballen me burgim, shkruam Times, duke kujtuat se ligjvënësit, së fundmi, kanë miratuar edhe një tjetër ligj, i cili i jep qeverisë kontroll më të rreptë mbi gjyqësorin.

Më 5 mars, një komitet i Bashkimit Evropian për çështje të jashtme do të votojë për një amendament, që i bën thirrje Parlamentit dhe Komisionit Evropian të rishikojnë integritetin dhe gjasat e pranimit të Turqisë në raportin e ardhshëm të progresit për këtë vend.

Sipas gazetës, Turqia ka përfunduar një nga 35 kapitujt e reformave që kërkohen për anëtarësim, ndërsa shumë mbeten të bllokuara nga Franca dhe Qiproja. Procesi i pranimit mund të pezullohet në rast të shkeljeve të rënda dhe të vazhdueshme të parimeve demokratike, kujton Times.

“Pikëpamja ime është se Turqia ka shkelur kriterin e Kopenhagës për anëtarësim në shkallë të mjaftueshme dhe kohë të mjaftueshme që ne të nxjerrim përfundime”, ka thënë Andrew Duff, eurodeputet për Lindjen e Anglisë. Ai ka shtuar se pezullimi mund të vijë në tetor, kur të emërohen komisionarët e rinj të Bashkimit Evropian.

Në fundjavë, Stambolli është tronditur nga disa prej demonstratave më të mëdha prejse policia ka shtypur një lëvizje protestuese, verën e kaluar.

Times shkruan se policia ka qëlluar me plumba plastikë, gaz lotsjellës dhe topa uji ndaj mijëra demonstruseve që marshonin kundër ligjit të miratuar së fundmi, i cili i lejon qeverisë të shohë të dhënat e përodruesve në internet dhe të bllokojë ueb-faqe pa shqyrtim gjyqësor.

Javën e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka folur me zotin Erdogan në telefon për “rëndësinë e politikave të shëndosha në sundimin e ligjit”.

Eurodeputetja, Helee Flautre, udhëheqëse e Komitetit të Përbashkët Parlamentar Turqi-BE, ka thënë se, pavarësisht trajektores jashtëzakonisht shqetësuese të Turqisë, “ky proces negocimi vazhdon të jetë mjeti më i mirë për BE-në që të ushtrojë ndikim mbi Qeverinë turke, ndërsa standardet evropiane janë ende referenca më e mirë për reformat demokratike në Turqi”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG