Ndërlidhjet

Zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat u mbajtën në Mitrovicën e veriut, për të katërtën herë, në më pak se katër muaj, kanë përmbyllur një cikël të rëndësishëm për krijimin e institucioneve legale në komunat veriore të Kosovës.

Por, përmbyllja e këtij cikli, a do të luajë rol në hapjen e fazës për themelimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, mbetet të shihet në muajt e ardhshëm, vlerësojnë përfaqësues të institucioneve në veri, por edhe të institucioneve qendrore në vend.

Ksenija Bozhoviq, kryetare e Kuvendit komunal ne Mitrovicën e veriut, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, secila prej komunave me shumicë serbe duhet ta sjellë vendimin për këtë.

Por, sipas saj, para se kjo të ndodhë, secila komunë duhet ta ketë statutin e saj, ndërkohë që, siç thotë ajo, asnjëra nga katër komunat e veriut të Kosovës, ende nuk e ka bërë këtë.

“Ne e kemi afatin në 30 ditët e ardhshëm. Nga përvoja e deritashme, vendimet gjithmonë janë sjellë ditën e fundit. Dita e 30 i bie të jetë 12 marsi. Kështu që ka kohë ende për thirrjen e kuvendeve dhe miratimin e statuteve dhe sjelljen e vendimeve. Më pas, do të shohim se çfarë do të bëjmë tutje, sepse çështja e Bashkësisë së komunave serbe do të vije në rend vetëm pas këtij procesi”, ka thënë Bozhoviq.

Por, sipas zëvendëskryeministrit Slobodan Petroviq, njëherësh edhe ministër i Pushtetit Lokal, procesi i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është i gjatë dhe nuk ka lidhshmëri me përmbylljen e procesit zgjedhor të fundit në Kosovë.

Por, megjithatë, siç ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë, përmbyllja e ciklit të zgjedhjeve, krijon edhe më tepër hapësirë për të shkuar drejt përmbylljes së procesit të formimit të këtij asociacioni, i cili buron nga marrëveshja e 19 prillit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zëvendëskryeministri Petroviq, thotë se nuk mund të parashihet saktë se kur mund të themelohet Asociacionit i komunave me shumicë serbe.

“Unë nuk dua të spekuloj rreth datave dhe kohës, sepse do të ishte jo falënderuese. Por, ajo që mund të them është se ne si Ministri e Pushtetit Lokal jemi mjaft aktiv, kemi marrë dhe po marrim pjesë në të gjitha ato procese, të cilat do t’i lehtësojnë ato gjëra".

"Ne si ministri i kemi kryer të gjitha obligimet tona që kemi pasur. Esenca e gjithë kësaj është që kjo të jetë diçka nga e cila do të kenë interes qytetarët, sidomos për jetën e përditshme të atyre që jetojnë në ato hapësira. Kjo është çështja kryesore dhe jo ajo se a do të themelohet bashkësia një javë më parë ose më pas”, theksoi zëvendës kryeministri Petroviq.

Ai ka shtuar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të bëhet në përputhje me ligjet e Kosovës.

Në anën tjetër, autoritetet e Beogradit më herët patën deklaruar se Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe do të jetë një lloj entiteti politik serb.

Por, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i pati hedhur poshtë këto deklarime, duke thënë se “ky organizëm, statutin, formën, organizimin dhe funksionimin duhet dhe do ta ketë plotësisht në përputhshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe me marrëveshjen e 19 prillit të arritur në Bruksel”.

Kryeministri Thaçi pati shtuar se “çdo pretendim tjetër apo çdo interpretim për një funksionim tjetër do të jetë i papranueshëm dhe i parealizueshëm”.

Këshilltari i kryeministrit Thaçi, Bekim Çollaku, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka buruar nga marrëveshja e 19 prillit në Bruksel dhe formimit i këtij asociacioni tashmë është vetëm çështje e procedurave.

Çollaku thotë se çështja e procedurave nuk duhet dhe nuk ka pse të bisedohet në nivel kryeministrash, në takimin e radhës së kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq.

“Kjo nuk e përjashton mundësinë që Beogradi ose kryeministri i tij, në takimin e radhës në Bruksel ta diskutojnë këtë çështje. Mirëpo, në aspektin e formimit, kjo nuk është çështje që diskutohet, sepse nuk ka këtu as çka të negociohet. Kjo s’ka të bëj, për shembull, sikurse marrëveshja për drejtësi ose për polici. Nuk është diçka e tillë".

"Është e nivelit krejt të ulët. Ministria jonë e çështjeve lokale e ka përgatitur draft-statutin. I njëjti ka për tu harmonizuar me kryetarët e këtyre komunave dhe ka për tu aprovuar. Mirëpo, nuk është çështje e nivelit çfarë po pretendohet t’i jepet rëndësi. Kryeministrat nuk merren me procedura të tilla”, shpjegoi Çollaku.

Sipas tij, tashmë ka mbetur vetëm të finalizohet draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili, siç thotë ai, duhet të jetë në përputhje ose i njëjtë me atë që e ka Asociacioni i komunave të Kosovës.

Më pas, sipas tij, kryetarët e komunave me shumicë serbe, kurdo që iniciojnë themelimin e Asociacionit të këtyre komunave, kjo gjë edhe do të ndodhë.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG