Ndërlidhjet

Kosova nuk di t’i shfrytëzojë mundësitë që ofron BERZH


Forumi Investiv të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga BERZH në Londër

Forumi Investiv të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga BERZH në Londër

Kosova, anëtarësimin në Bankën Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) më shumë po e shfrytëzon si fitore politike, se sa që është duke punuar në drejtim të shfrytëzimit të përftimeve ekonomike, vlerësojnë përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe të bizneseve.

Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të krijojë një strategji të mirëfilltë bashkëpunimi me BERZH, ku do të caktoheshin projekte në të cilat mund të financonte ky mekanizëm financiar, vlerëson Agron Demi nga Instituti për Hulumtime të avancuar GAP.

“Ashtu sikurse me anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetarë Ndërkombëtarë dhe Bankën Botërore edhe anëtarësimi në BERZH më shumë është shfrytëzuar si fitore politike sesa që është punuar në thithjen e donacioneve apo përfitimeve ekonomike".

"Edhe më tutje anëtarësimi në mekanizmat financiar ndërkombëtarë më shumë mbetet hap polik sesa ekonomik. Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaft që të krijojë një strategji me BERZH-in”, thotë Demi për Radion Evropa e Lirë.

BERZH është institucioni i tretë ndërkombëtar financiar, pas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që Kosova u anëtarësua në nëntor të vitit 2012.

BERZH është themeluar në vitin 1991 me qëllim që t’i ndihmojë shtetet në tranzicion.

Ky mekanizëm që nga paslufta vazhdimisht ka ndihmuar projekte të ndryshme në Kosovë, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në Forumit Investiv të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga BERZH në Londër, përmes llogarisë së tij në Facebook ka shkruar se në këto takime po flasin për mundësitë e investimeve në rajon.

“Kosova ka shumë të ofrojë në miniera, energjetikë, bujqësi dhe tani pas fillimit të normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore, edhe investitorët ndihen më të sigurt në pejsazhin tonë politik dhe ligjor. Misioni im i ri është të korrim dividenda maksimale ekonomike nga puna që kemi bërë në stabilizim të situatës dhe shtet ndërtim të suksesshëm'', ka shkruar kryeministri Thaçi.

Për Agron Demin nga Instituti GAP këto deklarime të kryeministrit Thaçi në Facebook, nuk janë pjesë e ndonjë strategjie, por janë deklarime ad- hoc që kryeministri i bënë varësisht nga situata.

“Në mungesë të një strategji të tillë është dashur vet BERZH t’i caktojë prioritet se çfarë të financojë në Kosovë dhe në bazë të asaj që BERZH ka identifikuar është sektori i energjisë”, shton Demi.

BERZH-i tani më ka hartuar një draft-strategji trevjeçare për Kosovën, në të cilën kishte identifikuar tri orientimet strategjike.

Këto orientime përfshijnë përkrahjen e privatizimit dhe zhvillimin e sektorit privat në infrastrukturë, si dhe promovimin dhe përkrahjen e zhvillimit të qëndrueshëm në sektorin e energjisë dhe mineraleve.

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve konsiderojnë se Kosova më shumë kishte përfituar nga BERZH sa nuk ishte anëtare e saj, sesa tani kur është anëtarësuar.

Ata vlerësojnë se Kosova nuk po shfrytëzon mundësitë që i jep anëtarësimi në këtë mekanizëm financiar ndërkombëtar.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se projektet që do të mund t’i financonte BERZH, e të cilat deri më tani nuk janë prezantuar tek ky institucion financiar nga autoritetet e Kosovës është sektori i ujit.

“Problemet e fundit që i kemi më furnizim më ujë, nuk shoh ndonjë mundësi më të mirë për investime infrastrukturore. Komuna e Prishtinës dhe komunat tjera që furnizohen nga ujësjellësi rajonal ‘Prishtina’ duhet të gjejnë burime të reja të ujit dhe të aplikojnë për ndërtim të infrastrukturës me financim nga ana e BERZH-it, Fatkeqësisht niveli qendror dhe ai lokal nuk janë duke i shfrytëzuar mundësitë që ofron BERZH”, thekson Zeka.

Zeka, bën të ditur se si Oda Ekonomike Amerikane janë mundur të promovojnë idenë e financimit nga ana e BERZH-it tek bizneset vendore, pasi që siç thekson Zeka bizneset private janë shumë pak të informuara për këto mundësi të financimit.

Ndryshe, në muajin prill të këtij viti është paralajmëruar një konferencë e përfaqësuesve të BERZH-it dhe Ministrisë së Financave, ku do të prezantohen mundësit financimit për sektorin privat.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG