Ndërlidhjet

Atletët rus stimulohen me gazin ksenon, zbulon WDR


Ilustrim
Ilustrim
Atletët rus janë akuzuar se kanë përdorur gaz ksenon për t’i shtuar performancat e tyre gjatë lojërave dimërore olimpike në Sochi, por edhe në turne të tjera, raporton televizioni gjerman Westdeutscher Rundfunk-WDR.

Këta atletë supozohet se kanë thithur këtë gaz, i cili sipas studimeve akademike mund të ndikojë në rritjen e hormonit erythropoietin (EPO), thuhet në një raport të shfaqur të hënën mbrëma në emisionin “sport inside” të këtij televizioni.

Në sport, është e ndalueshme që të stimulohet rritja artificiale e sasisë së EPO në trup, kurse përdorimi i metodave farmaceutike për të rritur nivelin e oksigjenit të inhaluar është shkelje e rregullave të Autoritetet Botëror të Anti-Dopingut (WADA).

Raporti i WDR pretendon se gazi ksenon duket të jetë përdorur me vite nga rusët dhe se ministrit e sporteve dhe mbrojtjes e rekomandojnë përdorimin e tij “me qëllim të përmirësimit të përformancës së atletit” dhe për arsye se ky gaz “nuk vëzhgohet nga WADA”.

Presidenti i WADA-së, Craig Reedie ka premtuar se do të ndërmerr urgjentisht masa për këto gjetje.

“Komisioni jonë i cili mbikëqyr listën e substancave të ndaluara do ta merr shumë shpejt në konsideratë këtë çështje. Madje, çështja e këtij gazi do të adresohet qysh në takimin e radhës pas lojërave olimpike”, i ka thënë ai televizionit WDR.

Rusia ka zënë vendin e parë në lojërat e Sochi me 13 medalje të arta, 11 të argjenta dhe 9 të bronzta.
XS
SM
MD
LG