Ndërlidhjet

Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian po përpiqen të sigurojnë mbështetje për të ndihmuar ekonomikisht Ukrainën, pasi ata shqetësohen se Moska mund të ndalojë pagesat e mëtejshme të ndihmës, prej 15 miliardë dollarësh, që i ka dhënë këtij vendi gjatë kohës që udhëhiqej nga presidenti tashmë i përmbysur, Viktor Yanukovych.

Ushtruesi i detyrës të ministrit të Financave të Ukrainës, Yuriy Kolobov, ka thënë të hënën se vendi shpreson në rreth 35 miliardë dollarë, në përiudhën 2014-2015.

Pjesa më e madhe e parave mund të vijë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare, së bashku me kredi shtesë nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe Perëndimit.

Sekretari amerikan i Thesarit, Jack Lew, i ka bërë thirrje Kievit që të nisë diskutimet me FMN-në sa më parë që të jetë e mundur.

Ministri i Financave të Britanisë, George Osborne, ka thënë se vendi i tij është i gatshëm të ndihmojë përmes kanaleve të FMN-së dhe BE-së. Të njëjtën gjë pritet ta bëjnë edhe Gjermania e Franca.

Por, çdo ndihmë e madhe nga FMN-ja dhe Perëndimi do të vinte me kushte dhe përmbushja e tyre mund të mos jetë e lehtë për Kievin.

FMN-ja ka bashkëngjitur kërkesa të ashpra për reformat ekonomike kur ka diskutuar kredinë prej 15 miliardë dollarësh me Ukrainën, nën Yanukovychin.

Reformat e rënda, të kërkuara po ashtu nga Bashkimi Evropian, kanë qenë një nga arsyet përse Yanukovych ka thënë se heq dorë nga Marrëveshja e Asociimit me BE-në, duke pranuar paratë nga Moska.

Anders Aslund, ekonomist pranë Institutit Peterson në Uashington, thotë se çdo paketë e re e ndihmës ka të ngjarë të kërkojë nga Kievi që të ndërmarrë hapa jopopullorë.

“Për të mbështetur financat e brendshme dhe të jashtme të Ukrainës do të thotë që të lihet kursi i këmbimit të bie. Në këtë mënyrë, monedha ka rënë në gjysmë deri tani, por ka nevojë të shkojë më tej. Pjesë tjetër do të ishte ulja e deficitit buxhetor që kërkon, së pari, ulje të shpenzimeve publike dhe, së dyti, shfuqizim të subvensioneve të dëmshme”, thotë Alund.

Por, a mund të lehtësojnë FMN-ja dhe Perëndimi kushtet e kredisë për Ukrainën? Për këtë, ata duhet të balancojnë dy faktorë.

Institucionet financiare ndërkombëtare duan t’i ofrojnë mbështetje Kievit, në përpjekje për të krijuar stabilitet politik dhe financiar në vend. Ndërsa, qeveritë perëndimore duan të mbështesin përpjekjet për të ndërtuar demokraci në Ukrainë dhe për ta sjellë atë më afër BE-së.

Por, huadhënësit e dinë se reformat e mëdha janë të nevojshme jo vetëm për të vënë ekonominë e vendit në rrugë të mbarë, por edhe për mbrojtje nga korrupsioni, plaçkitja e pasurive dhe mungesa e efikasitetit.

Amanda Paul, analiste në Qendrën për Politika Evropiane në Bruksel, thotë:

“Marrë parasysh regjimin e mëparshëm të presidentit Yanukovych, ata përfundimisht duhet të kenë një dorë të fuqishme, sepse, në radhë të parë, ai ka qenë njeri i pabesueshëm, të cilit i ka pëlqyer të luajë poker. Me qeverinë e re, supozoj se në Bruksel mendojnë se nuk kanë nevojë të jenë shumë të ashpër, por, në fund të ditës, Ukraina ka nevojë për reforma dhe paratë duhet të shkojnë në vend të duhur”.

Ekonomistja Paul shprehet e bindur se udhëheqësit perëndimorë kanë shumë gjasa të ndikohen nga nevoja për një Ukrainë të qëndrueshme në kufirin e BE-së dhe nga dëshira për të njohur sakrificat e ukrainasve për ëndrrën evropiane.

“Sa i përket Brukselit dhe udhëheqjes së BE-së, do të thosha se ata ndjejnë obligim për të dhënë para, marrë parasysh se në çfarë kanë kaluar fqinjët tanë në Ukrainë: njerëzit kanë vdekur për liri dhe për një të ardhme evropiane. Nëse ata tregohen dorështrënguar dhe thonë se nuk kanë para, do të dërgonin një sinjal shumë negativ”, thotë Paul.(v.tela)
XS
SM
MD
LG