Ndërlidhjet

logo-print

Irani s'është kërcënim vetëm për Izraelin, thotë Merkel


Ilustrim

Ilustrim

Gjermania e sheh Iranin si një kërcënim potencial, jo vetëm për Izraelin, por edhe për vendet evropiane, ka deklaruar të martën kancelarja gjermane Angela Merkel.

Gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu në Jerusalem, Merkel ka thënë se Gjermania megjithatë do të vazhdojë të jetë pjesë e përpjekjeve perëndimore me Iranin për kontrollimin e programit nuklear të Teheranit.

“Ne e shohim këtë kërcënim, jo vetëm si kërcënim për shtetin e Izraelit, por edhe si një kërcënim për Evropën”, ka thënë Merkel.

Gjermania është aleatja kryesore e Izraelit në Evropë, në të cilin kontinent qeveria e Netanyahut është në ethe se po humb përkrahjen, për shkak të qëndrimit të ngurtë që po mban në bisedimet paqësore me Palestinën.

Netanyahu ndërkaq tha se bisedimet e fuqive botërore me Iranin, dhe marrëveshja paraprake që kanë arritur palët, ishte sipas tij “një gabim shumë i madh”.

“Secili lider me të cilin kam biseduar në Lindjen e Mesme, pajtohet me këtë qëndrim, e thanë apo jo ata publikisht këtë gjë. Përse? Sepse nëse Irani do të donte vërtet të ketë energji bërthamore për qëllime civile, atëherë atij nuk i nevojitet pasurimi i uraniumit. As centrifugat si duhen”, ka thënë kryeministri izraelit.

Izrali besohet se është i vetmi shtet në Lindjen e Mesme i cili ka armatim me mbushje bërthamore, mirëpo zyrtarisht kjo gjë mohohet.
XS
SM
MD
LG