Ndërlidhjet

Hoxhiq: Të punohet për sigurinë në veri


Adrijana Hoxhiq

Adrijana Hoxhiq

"Përmbyllja e ciklit të zgjedhjeve në veriun e Kosovës hap rrugë për gjëra konkrete, të cilat janë të nevojshme që të ndodhin, në mënyrë që të përmirësohet kualiteti i jetës për të gjithë qytetarët që jetojnë në Mitrovicën e veriut", thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Adrijana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative e Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e veriut.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Hoxhiq, si e shihni përmbylljen e ciklit të zgjedhjeve dhe a prisni që përmbyllja e kësaj faze mund të hapë rrugë për stabilizimin e veriut të Kosovës?

ADRIJANA HOXHIQ
Absolutisht po. Unë shpresoj që me përmbylljen e këtij cikli të zgjedhjeve, ku më në fund e kemi zgjedhur edhe kryetarin e komunës së Mitrovicës së veriut, do të mund të koncentrohemi në gjëra konkrete, të cilat janë të nevojshme që të ndodhin, në mënyrë që të përmirësohet kualiteti i jetës për të gjithë qytetarët që jetojnë në Mitrovicën e veriut.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë ato gjëra të cilat duhet të përmirësohen?

ADRIJANA HOXHIQ
Ekzistojnë mjaft probleme në terren dhe është e nevojshme që në të njëjtën kohë të punohet në disa sfera. Si sferë të veçantë, unë duhet ta përmend atë të sigurisë. Duhet ta forcojmë nivelin e sigurisë në qytet për të gjithë qytetarët që jetojnë në Mitrovicën e veriut, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Presim nga kryetari i ri i komunës që të ketë komunikim konkret, të drejtpërdrejt dhe të përditshëm me Policinë e Kosovës.

Ju e dini që tashmë është në zhvillim e sipër integrimi i policisë nga sistemi serb në sistemin e Kosovës. Kryetari i komunës do të duhej të merrte pjesë në komunikim që ndërlidhet edhe me këtë proces, sepse kryetari i komunës është ai, i cili do ta informonte Policinë e Kosovës dhe EULEX-in lidhur me brengat që i kanë qytetarët dhe ky bashkëpunim duhet të rezultojë me përmirësimin e sigurisë në terren.

Në anën tjetër, ekipet teknike, grupet punuese teknike, duhet të merren me aktivitetet konkrete në terren, sidomos kur kemi të bëjmë me pastrimin e qytetit, infrastrukturën për ujin, për infrastrukturën e parqeve, komunikimin e drejtpërdrejtë me objektet shkollore. Është e domosdoshme që në bashkëpunim me drejtorët e shkollave të shihet se çka është e nevojshme.

Do të thotë, duhet identifikuar problemet, prioritetet dhe duhet filluar me realizimin e projekteve konkrete që do të sjellin rezultate konkrete të përmirësimit, të cilat qytetarët mund t’i ndjejnë. Në të njëjtën kohë, është e nevojshme që të jetë një grup punues, i cili do të punoj edhe me sektorin joqeveritar, sepse ky i fundit është shumë i rëndësishëm.

Pushteti lokal duhet të ketë komunikim dhe duhet t’i ofrojë hapësirë sektorit joqeveritar që të punojë në terren. Problem i madh në Mitrovicën e veriut është mosekzistenca e objektit komunal. Unë mendoj që kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, një prej bisedave të para me Bashkimin Evropian duhet ta bëjë me temën për ndërtimin e objektit komunal për Mitrovicën e veriut.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Hoxhiq, tash pritet edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. A prisni që ky proces të kalojë pa komplikime?

ADRIJANA HOXHIQ
Për aq sa jam unë e informuar lidhur me atë që deri më tash është punuar për këtë temë, ai proces vërtetë nuk është i lehtë, sepse edhe Beogradi, por edhe Prishtina, i kanë pikëpamjet e tyre, të cilat janë tepër larg nga njëra tjetra.

Unë mendoj që është e nevojshme një këshillë për të dyja palët, se vërtetë duhet të jenë të vëmendshëm që ajo bashkësi duhet të jetë funksionale, efikase dhe ta arsyetojë ekzistencën e saj. Pra, duhet të shohim se si ajo bashkësi mund ta përmirësoj kualitetin e afrimit të shërbimeve për vetë qytetarët e atyre komunave, prej të cilave do të formohet vetë Bashkësia.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Hoxhiq, sipas jush, cili është faktori më domethënës për përmirësimin e situatës në veri dhe integrimin e vullnetshëm të kësaj pjese në institucionet e Kosovës, si dhe për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në veri?

ADRIJANA HOXHIQ
Ajo që është e pranishme në mesin e qytetarëve në veri të Kosovës, është një lloj mosbesimi. Ky mosbesim nuk është vetëm në raport me Prishtinën, por ndaj të gjithë faktorëve relevant, të cilët kanë ndikim dhe janë pjesëmarrës në gjithë këtë proces të integrimit.

Për ta ndryshuar këtë dhe për të filluar që të krijojmë besimin, është e domosdoshme që ato procese të jenë edhe më transparente dhe është e domosdoshme pjesëmarrja aktive e udhëheqjes lokale në krejt këtë rrëfim. Udhëheqja lokale duhet të dalë për çdo ditë me deklarata dhe sqarime për qytetarët, lidhur me atë se çfarë në të vërtetë, të gjithë ata njerëz që merren me neve, po bëjnë për qytetarët.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG