Ndërlidhjet

logo-print

Kërkohet llogaridhënie në institucionet e sigurisë


Viteve të fundit, niveli i realizimit të buxhetit nga ana e institucioneve të sigurisë, ka qenë relativisht i mirë, por shqetësim mbetet përqendrimi më i madh i realizimit të shpenzimeve gjatë tre muajve të fundit të një viti fiskal.

Kështu thuhet në një raport, të cilin e ka publikuar Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë dhe ku thuhet se shpenzimet e mëdha kapitale po ndodhin në fundin e një viti kalendarik.

Sipas raportit, një nga institucionet, e cila ka shpenzuar buxhetin në fundvit është Ministria e Punëve të Brendshme.

Kjo ministri në tri vitet paraprake, në muajt e fundit, ka shpenzuar 50 për qind të obligimeve për investime kapitale.

Sipas Skënder Përteshit, nga QKSS, shpenzimi i buxhetit në muajt e fundit, krijon hapësirë për lëshime dhe mangësi.

Nëse vetëm në tre muajt e fundit të vitit shpenzohet pjesa më e madhe e buxhetit, kjo krijon mundësi për lëshime apo mos-kontroll i duhur i pagesave të ndryshme që bëhen, në këtë anë. Dhe, në anën tjetër, kjo dëshmon se, në përgjithësi, edhe pse gjatë gjithë vitit shpenzohet mbi 90 për qind e buxhetit, kjo nuk korrespondon me afate kohore kur bëhen pagesat. Do të thotë, nuk është një harmoni në mes të planifikimit të buxhetit dhe kryerjes së pagesave”, tha Përteshi.

Nga ana tjetër, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Driton Gashi, nuk është pajtuar me përmbajtjen e raportit.

“Për mua problemi është te sistemi, sepse nëse ne i fillojmë procedurat në shkurt dhe e nënshkruajmë një kontratë në gusht, sepse janë 30 ditë publikimi, 30 ditë ankesa, fillojnë punimet, është e pamundur që të shpenzohet buxheti në shkurt. Gjithmonë do të shkojë në periudhën e fundit të vitit edhe kjo nëse gjithçka shkon në rregull, pa i përfshirë vështirësitë teknike që mund të dalin gjatë kryerjes së punëve”, u shpreh Gashi.

Sido që të jetë, në raport thuhet se “për shkak të këtyre problemeve të shfaqura, MPB-ja shpeshherë është akuzuar për paaftësi në përpilimin e planeve të duhura financiare.

Ndërkohë, skandalet e shumta, me të cilat është përballur kjo ministri, gjatë viteve të fundit, ngjallin dyshimet se në raste të caktuara lëshimet e tilla bëhen në mënyrë të qëllimshme, duke vështirësuar kështu kontrollin e rrjedhës së shpenzimeve dhe krijimin e hapësirave, në të cilat do të mund të përvetësoheshin një pjesë e fondeve”.

Kurse, kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe mbikëqyrje të FSK-së, Ahmet Isufi, tha se çështjet më të ndjeshme janë paraqitur në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Në MPB janë dhënë edhe rekomandime, të cilat janë aprovuar në Kuvend. Besoj që MPB-ja do t’i ketë parasysh në mënyrë që raportet e ardhshme që do t’i ketë, të japë llogari para këtij institucioni. Sa i takon mbikëqyrjes në FSK, do të vazhdojmë që të kemi një angazhim konkret edhe në shpenzimin e financave publike, sepse konsiderojmë që institucionet që kanë pasur për obligim ta bëjnë këtë, nuk e kanë bërë mjaftueshëm”, theksoi Isufi.

Në studim janë vlerësuar çështje si, menaxhimi dhe planifikimi i buxhetit, vlerësimi i prokurimit publik të sektorit të sigurisë, auditimi i brendshëm dhe ai i jashtëm.

Raporti potencon disa raste të keqpërdorimeve si vjedhja e dhomave të dëshmive në Policinë e Kosovës, pastaj skandali i dyshuar korruptiv i MPB-së me kompaninë austriake rreth kontraktimit për prodhimin e pasaportave biometrike e të tjera.

Drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja ka thënë se llogaridhënia dhe transparenca janë elemente kyçe për t’iu përgjigjur taksapaguesve kosovarë. Nga të gjeturat e mbledhura ka dalë se ndër lëshimet që bëhen gjatë prokurimit publik, është përshtatja e specifikave gjatë tenderimit duke favorizuar operatorët ekonomikë.

Një ndër rekomandimet e raportit ishte që institucionet e sigurisë të bëjnë publike raportet e auditimit të brendshëm në ueb-faqet e tyre zyrtare në pajtim me Ligjin për qasje në dokument zyrtare.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG