Ndërlidhjet

Al-Aksa rrezikon paktin e paqës Jordani - Izrael


Ilustrim

Ilustrim

Jordania ka alarmuar të mërkurën se mund të rishikojë pozitën e saj karshi marrëveshjes paqësore të vitit 1994 me Izraelin, pasi deputetët izraelit nisën debatin për të lejuar çifutët të falen në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Jerusalem.

“Nëse Izraeli shkel traktatin e paqes për këtë çështje, atëherë i tërë pakti, me nenet, detajet dhe gjithçka tjetër do të vihet në tavolinë”, ka thënë kryeministri Abdullah Nsur në një intervistë për gazetën Al-Watan.

Sipas traktatit të paqes, Jordania është kujdestare e vendeve të shenjta myslimane në Jerusalem.

Vërejtjet e Nsurit, vijnë në kohën kur parlamenti jordanez ka kaluar një mocion me të cilën kërkohet dëbimi i ambasadorit të Izraelit Daniel Nevo, nga kjo mbretëri.

“Përpjekjet e tilla të Izraelit, do të çojnë në shkatërrimin e traktatit të paqës, në kohën kur bashkësia ndërkombëtare është duke bërë përpjekje për marrëveshje të paqës ndërmjet të Izraelit dhe Palestinës”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë jordaneze Mohammad Momnai, raporton agjencia shtetërore e lajmeve Petra.

“Kujdestaria që i është lënë Jordanisë, nuk është një privilegj që na ka dhënë Izraeli. Është përgjegjësi historike e Hashemitëve, që edhe është e nënvizuar në këtë pakt të paqes”, ka shtuar ai.

Vitin e kaluar, mbreti Abdullahu i Dytë i Jordanisë dhe presidenti i Palestinës Mahmud Abbas kanë nënshkruar një marrëveshje për të konfirmuar marrëveshjen verbale të vitit 1924, e cila i jep kësaj mbretërie kujdestarinë mbi vendet e shenjta myslimane në Jerusalem.

Ministria e punëve të jashtme të Izraelit ka refuzuar të komentoj për këto zhvillime të fundit në Jordani.
XS
SM
MD
LG