Ndërlidhjet

Mosbesim për mocionin e mosbesimit


Partia politike në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka vazhduar edhe të enjten në Kuvendin e Kosovës që t’u bëjë thirrje deputetëve të opozitës që të mbështesin nismën e tyre për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Deputeti i AAK-së, Ardian Gjini, ka shpjeguar para deputetëve se qeveria e tanishme, për aq vjet sa ka qeverisur, Kosovës i ka shkaktar dëme shumë të mëdha, sa që, sipas Gjinit, "duhet një dekadë për të përmirësuar gjendjen".

Zoti Gjini si arsye se pse duhet të rrëzohet qeveria Thaçi, ka përmendur korrupsionin, papunësinë, mungesën e investimeve të huaja në Kosovë dhe gjendjen në Universitetin e Prishtinës.

“Për të folur për ketë qeveri, veç sa ua thejmë veshët qytetarëve të Kosovës se e dijnë të gjithë. Nuk kemi çka më thënë më tepër".

"Është qeveri e mashtrimit, gjithçka është kamuflazh, gjithçka është fasadë, nuk ka asgjë në brendi. Çkado që bëhet, të gjitha energjitë që shfrytëzohen janë energji për të zhvatur dhe paketuar, në mënyrën që populli të mos e marrë vesh”,
tha Gjini.

Ai i ka ftuar deputetët e dy partive tjera politike në opozitë, ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, që ta nënshkruajnë mocionin e shpërndarë sot në Kuvend dhe varësisht nga nënshkrimet që vihen në të, AAK-ja do të marrë vendim nëse do të procedojë për shkarkimin e qeverisë Thaçi.

Por, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, është përgjigjur duke thënë se "është e çuditshme se si AAK-ja, tash i ka kuptuar dëmet që kjo qeverisje është duke ia shkaktuar Kosovës".

“Përgjithësisht, dështimi politik, ekonomik dhe social në Kosovë është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e kësaj qeverie dhe kjo ka nisur qysh në vitin 2008, kur e ka marrë për herë të parë Thaçi pushtetin. Atëherë ç’është urgjenca tash e mocionit?"

"Unë mendoj që është e ndershme që të paktën të thuhet që një mocion të tillë Vetëvendosja e ka prej vitit 2011 dhe është duke iu pritur",
tha zoti Ymeri, duke shtuar se numri i nënshkrimeve në mocion nuk mund të jetë arsyetim, duke qenë se nënshkrimet, siç tha ai, nuk i ka vënë as vetë AAK-ja.

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka treguar ndonjë interesim për mocionin e AAK-së.

Deputeti Arben Gashi nga kjo parti tha për Radion Evropa e Lirë se LDK-ja është për zgjedhje të parakohshme dhe se edhe mocioni është një instrument.

“LDK-ja është që të shkojmë në zgjedhjet të parakohshme sa më shpejt që mundem dhe zgjedhjet janë të planifikuara dhe opsionet mbeten të hapura por preferohet që zgjedhjet të mbahen në qershor. (Mocioni )është një instrument që edhe ai mund të përdorët, por të shohim se cilat janë veprimet që duhet të ndërmerren deri në atë moment”, tha Gashi.

Nga ana tjetër, deputetë e partisë në pushtet, Partisë Demokratike të Kosovës, janë kundër përgjigjur duke përmendur "arritjet e fundit të qeverisë së tanishme".

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, ka nënvizuar në këtë kuadër vendimin e qeverisë për rritjen e pagave për mësimdhënësit dhe vendimin për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, e të tjera.

“Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Hashim Thaçi, për të dytën herë brenda tre vjetësh po arrin që në mënyrë substanciale të rrisë pagat, duke ndikuar drejtpërdrejtë në përmirësimin e mirëqenies së qytetareve të Kosovës dhe duke ruajtur stabilitetin financiar të buxhetit të shtetit”, theksoi Haxhiu.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të enjten se "rreth 82 mijë punëtorë të të gjitha kategorive do të përfitojnë nga rritja e pagave.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, tanimë duket të jetë çështje e kryer, por debatet janë duke vazhduar në lidhje me atë se kur duhet të mbahen ato: në pranverë apo në pjesën e parë të verës?

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka iniciuar nënshkrimin e mocionit të mosbesimi ndaj qeverisë, por kjo nismë nuk po gjen mbështetjen e nevojshme. Për të proceduar me një mocion mosbesimi, nevojitet që në fund të ketë edhe një votim prej së paku 61 deputetësh.

Ndryshe, lideri i partisë më të madhe opozitare, Isa Mustafa, ditë më parë ka arritur një marrëveshje me kryeministrin Hashim Thaçi, që njëherësh është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës që zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë të mbahen në gjysmën e parë të këtij viti.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG