Ndërlidhjet

Maqedoni: BDI-ja kërkon zgjedhje të parakohshme


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Kryesia Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim ka konfirmuar vendimin për të bojkotuar zgjedhjet presidenciale. Me këtë rast BDI-ja u bëri thirrje shqiptarëve të mos votojnë për asnjë nga kandidatët për president. Kjo parti njëkohësisht i ka propozuar Grupit Parlamentar të kësaj partie të ngre iniciativën për shpërbërjen e Parlamentit.

Sekretari i Përgjithshëm në BDI, Abdilaqim Ademi, në konferencën për shtyp të enjten në mbrëmje, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare i hapin rrugë mundësisë për një marrëveshje të re ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, për bashkëqeverisje, ku do të përfshihen të gjitha çështjet me interes për shqiptarët e Maqedonisë.

“Bashkimi Demokratik për Integrim vendosi: 1) Të mos garojë me kandidat të saj në zgjedhjet presidenciale, t`i ftoj shqiptarët të mos përkrahin asnjërin nga kandidatët, me çka do i jepnin legjitimitet të rrejshëm kryetarit të ardhshëm të vendit, njëkohësisht BDI-ja vendosi që të bëjë fushatë aktive, ku do të promovojë idenë dhe konceptin për presidentin koncensual deri në realizimin përfundimtar të saj. 2) Grupi Parlamentar i BDI-së të dorëzojë në Kuvend iniciativë për shpërndarjen e kësaj legjislature. Dhe 3) Të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare”, ka deklaruar Ademi.

Ai ka shtuar se partia e tij vlerëson se Maqedonisë, si vend me demokraci në zhvillim, i nevojitet vendimmarrje me konsultime më të gjera dhe gjithëpërfshirëse, dialog më thelbësor për temat me rëndësi të veçantë, por edhe konsensus politik dhe etnik.

Për dallim nga Bashkimi Demokratik për Integrim, partia më e madhe në opozitë, Partia Demokratike Shqiptare, ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe do të garojë në këto zgjedhje me Iljaz Halimin, zyrtar i lartë i kësaj partie dhe ish-nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë.

Derisa partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, më 1 mars përmes votave të delegatëve të partisë, do të caktojë emrin e kandidatit të kësaj partie, që, sipas gjitha gjasave, pritet të jetë ai aktual, Gjorge Ivanov, opozita maqedonase ka vendosur të garojë në zgjedhjet presidenciale me profesorin universitar Stevo Pendarovski, i cili ka qenë këshilltar në kabinetin presidencial.

Këtë e ka konfirmuar edhe vetë profesori Pendarovski, i cili ka thënë se ka pranuar nominimin pas propozimit të emrit të tij, nga shumica e degëve të LSDM-së.

“Stevo Pendarovski është njeriu që do të marrë përkrahjen e shumicës së qytetarëve të vendit dhe ai do të jetë presidenti i ardhshëm i Maqedonisë”, ka deklaruar Oliver Spasovski, duke shtuar se LSDM-ja është shprehur e gatshme edhe për zgjedhjet e mundshme të parakohshme parlamentare, bashkë me ato presidenciale më 27 prill, nëse ky do të jetë rezultati i lojës së partnerëve të koalicionit, siç thonë nga LSDM-ja.

Ndërkaq, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Paul Uolers, ka kërkuar nga faktorët politikë në Maqedoni për një atmosferë demokratike dhe konkurruese në zgjedhjet presidenciale dhe, eventualisht, nëse mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Duke folur përpara studentëve të USHT-së, në kuadër të ligjëratës “Perspektivat për zgjedhje, një fushëbetejë me nivele”, Uolers e situatën e tanishme në Maqedoni e ka cilësuar si “interesante”.

“Është kjo një kohë interesante për Maqedoninë, jam i sigurt që e dini se afrohen zgjedhjet. E dimë se ato presidenciale do të mbahen sigurt në prill, por nga ajo që dëgjoj dhe lexoj, duket se ekzistojnë mundësi të mëdha që të ketë edhe zgjedhje parlamentare. Është me rëndësi të dini se kjo periudhë paraqet një test për ju, për Maqedoninë, dhe për të gjithë ju si qytetarë dhe votues të Maqedonisë. Nevojiten zgjedhje të lira dhe transparente”, ka theksuar Uolers.

Para studentëve dhe stafit akademik, duke folur për perspektivat e vendit dhe bllokimin e proceseve integruese që nxit pesimizmin veçanërisht te gjeneratat e reja, Uolers ka theksuar se beson në kapacitetet e institucioneve të Maqedonisë, për të demonstruar se është një shtet i fuqishëm multi-kulturor dhe demokratik.

“E di që ka ca njerëz siç thatë ju, të cilët mund të jenë pesimistë, bazuar në situatën aktuale dhe mënyrën se si qeveria i ka çuar punët në 20 vjetët e kaluar. Për ju 20 vjet janë periudhë e gjatë, por gjithnjë duhet të kini parasysh se historia është një film i gjatë dhe nëse shihni përmes prizmit historik, gjërat nuk ndryshohen për një ose dy vjet, proceset kërkojnë kohë më të gjatë për t’u realizuar”, ka theksuar ambasadori amerikan në Shkup.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale janë caktuar të mbahen më 13 prill dhe në rast të shpërndarjes së Kuvendit, zgjedhjet e parakohshme parlamentare siç mësohet jo zyrtarisht , do të mbahen më 27 prill, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
XS
SM
MD
LG