Ndërlidhjet

logo-print

DASH: Dhuna e ekstremistëve serbë, problem numër një

  • RFE /RL

Problemi më i rëndësishëm i të drejtave të njeriut në Kosovë, gjatë vitit 2013, është përqendruar në përpjekjet e ekstremistëve serbë për të bllokuar normalizimin, përfshirë vendosjen e barrikadave në pjesën veriore të vendit dhe kufizimet e të drejtave themelore, të tilla si liria e lëvizjes së personave dhe mallrave, thuhet në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut më 2013.

Sipas raportit, ekstremistët dhe elementet kriminale kanë përodrur dhunën dhe frikësimin kundër kundërshtarëve të brendshëm dhe forcave ndërkombëtare të sigurisë, përfshirë vrasjen e një pjesëtari të EULEX-it në muajin shtator.

“Gjatë zgjedhjeve komunale të nëntorit, sulmuesit kanë hyrë dhe kanë rrënuar tre qendra votimi në veri, duke e bërë të domosdoshëm rivotimin dy javë më vonë”, thuhet në raport.

Departamenti amerikan i Shtetit ka vlerësuar si shqetësim të dytë dhunën dhe diskriminimin shoqëror kundër pjesëtarëve të pakicave etnike, personave me aftësi të kufizuara dhe pjesëtarëve të komunitetit lesbike, homoseksual, biseksual dhe transseksual (LGBT).

Raporti thekson se problemet e tjera me të drejtat e njeriut kanë përfshirë keqtrajtimin e raportuar policor të të burgosurve, dhunën në mes të burgosurve, korrupsionin dhe favorizimin në burgje, paraburgimin e gjatë dhe mungesën e efikasitetit gjyqësor, frikësimet e mediave nga zyrtarët publikë dhe elementet kriminale, kufizimet në liritë fetare, përparimin e kufizuar në kthimin e të zhvendosurve, korrupsionin qeveritar dhe retorikën antisemitike.

Raporti citon organizata dhe OJQ ndërkombëtare të kenë thënë se korrupsioni mbetet problem serioz. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit i kanë kontribuuar problemit, vlerëson raporti.

“Në shtator, Zyra e Prokurorit ka njoftuar se ka trajtuar 2,307 raste të korrupsionit, përfshirë zyrtarë publikë, në mes të janarit 2012 dhe shtatorit 2013. Gjykatat kanë dënuar 187 individë me burgim”, kujton raporti i DASH-it.

Ai thekson se kushtetuta dhe ligjet e Kosovës sigurojnë lirinë e fjalës dhe të shtypit, thotë se qeveria përgjithësisht i ka respektuar këto të drejta, por vë në pah se zyrtarë individualë, politikanë dhe biznesmenë kanë bërë përpjekje të trembin përfaqësuesit e mediave.

“Mediat po ashtu kanë hasur në vështirësi në marrjen e informacioneve nga institucionet qeveritare dhe publike. Këto janë shoqëruar edhe me dështimin e qeverisë për të emëruar një zëdhënës qysh në vitin 2010”, thuhet në raport.

I njëjti thekson se pakicat etnike, të cilat përfshijnë serbët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, turqit, boshnjakët, goranët, kroatët dhe malazezët, janë përballur me nivele të ndryshme të diskriminimit institucional dhe shoqëror, në fushat si: punësimi, arsimi, shërbimet sociale, përdorimi i gjuhës, liria e lëvizjes e të tjera.(v.tela).

Trego komentet

XS
SM
MD
LG