Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Zgjedhjet e parakohshme, të pafavorshme


Qëndrimet e kundërta të partive politike shqiptare lidhur me zgjedhjet presidenciale nuk janë në favor të çështjeve të pazgjidhur shqiptare, thonë njohësit e çështjeve politike.

Ata komentuan vendimin e BDI-së për bojkotin e zgjedhjeve presidenciale dhe paraqitjen e kërkesës për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe nga ana tjetër vendimin e PDSH-së, për pjesëmarrjen në zgjedhje me kandidatin e saj për president shteti.

Albert Musliu, njohës i çështjeve politike, thotë se partitë shqiptare fatkeqësisht në këto vite të demokracisë, asnjëherë nuk ka treguar gatishmëri për lënien anash të interesave të ngushta partiake dhe arritjen e një strategjie për zgjidhjen e çështjeve thelbësore.

“Subjektet politike shqiptare në këto 24 vite të pavarësimit të Maqedonisë nuk janë ulur të gjitha së bashku dhe ti definojnë prioritetet dhe pikat e përbashkëta. Moskoordinimi, moskomunikimi mes subjekteve politike shqiptare gjithmonë na ka shkaktuar dëme dhe besoj se kështu do të jetë edhe në të ardhmen deri sa ato të ulen, t'i sqarojnë prioritetet, vizionet e kombit shqiptar në Maqedoni, që konform atyre pastaj edhe të punojnë“, thotë Musliu.

Isen Saliu, njohës i çështjeve politike dhe kryeredator i të përditshmes maqedonase “Lajm“, thotë se partitë kanë programet e tyre dhe është normale që të sjellin vendime të ndryshme, por ai thekson se do të ishte për të ardhur keq nëse dalin të saktat vlerësimet se qëndrimet e tyre janë më tepër në shërbim të interesave të partive maqedonase, se sa të elektoratit që përfaqësojnë.

“Unë mendoj se paralajmërimet për bojkot dhe pjesëmarrje në zgjedhje më tepër kanë filluar t'i ngjajnë një kuizi me numra dhe shkronja se sa një qëndrimi të vërtetë politik. Është e qartë se edhe partitë të bëjnë thirrje për bojkot edhe ato që bëjnë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje kanë për qëllim të masin në forma të ndryshme influencën që aktualisht kanë te votuesit".

"Personalisht mendoj se nuk ka asgjë të keqe nëse ftesa për bojkot dhe pjesëmarrje të shqiptareve në zgjedhje janë të sinqerta dhe në përputhje me analizat dhe qëndrimet autonome të partive shqiptare, por do të ishte shumë keq nëse dëshmohen si të sakta vlerësohet se bojkoti dhe thirrja për pjesëmarrje në zgjedhje shfrytëzohen thjeshtë për të ndihmuar interesat e partive tjera“, thotë Saliu.

Nga ana tjetër, analisti Albert Musliu vlerëson angazhimin e BDI-së dhe kërkesën e saj për zgjedhjen e një presidenti konsensual, por një nismë e tillë sipas Musliut duhej të ishte shumë më e hershme pasi presidenti i tillë mund të zgjidhet vetëm se në Kuvend.

Ai beson se kjo mund të arrihet, por vetëm pas zgjedhjeve që tashmë janë caktuar më 13 prill.

Sa i përket kërkesës tjetër të BDI-së për një marrëveshje të re bashkëqeverisëse me partinë maqedonase në rast të fitores në zgjedhjet e parakohshme, Musliu nuk beson shumë në të pasi premtime e marrëveshje të tilla ka pasur edhe më parë.

“Unë nuk e kontestoj vullnetin dhe dëshirën e BDI-së për zhbllokimin e proceseve euroatlantike, por fatkeqësisht nga ana tjetër nuk ka shenja të cilat do të mund të më bindin se do të ketë ndryshim të qëndrimeve pasi një karrierë jo vetëm individuale por edhe kolektive është ndërtuar në çështjen e emrit".

"Por nga ana tjetër eksperienca na ka mësuar se nëse faktori ndërkombëtar ndërhynë në mënyrë pak më aktive, në shoqërinë tonë edhe çudirat janë të mundshme. Megjithatë nëse premtohet se do të bëhet diçka, duhet të presim rezultatet“, thotë Musliu.

Ndryshe, VMRO-DPMNE-ja, të premten mbrëma do të diskutojë kërkesën e BDI-së, për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat nëse rast se pranohen do të mbahen më 27 prill së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
XS
SM
MD
LG