Ndërlidhjet

Prokurimi krijon nivel alarmant të korrupsionit


Ilustrim
Ilustrim
Sistemi i prokurimit në Kosovë, nga ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësohet të ketë krijuar nivel alarmant të korrupsionit në vend.

Pavarësisht, ndryshimeve të shumta që i ishin bërë Ligjit të prokurimit, ekspertët thonë se prokurimin publik aktual ka shumë burokraci dhe shumë mundësi të anashkalimit të ligjit dhe krijimit të privilegjeve për një kompani.

Ndryshe, qëllimi i Ligjit për prokurim publik është që të sigurojë mënyrën më efikase, më transparente dhe më të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike dhe burimeve publike në Kosovë, duke përcaktuar kushtet dhe rregullat që do të zbatohen.

Janë rreth 700 milionë euro në vit të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik.

Profesori i ekonomisë, Naim Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se prokurimi publik është një ndër hallkat me delikate të shoqërisë kosovare ku nevojitet një përmirësim urgjent.

“Prokurimi publik ka efekte shumëdimensionale në një ekonomi nacionale, për arsye se ajo përveç që e rregullon tregun e brendshëm, ndikon shumë në inkurajimin e investimeve të jashtme. Një prokurim publik joefikas, jotransparent, i dekurajon investuesit e jashtëm që të vijnë në Kosovë dhe të futen në garë për prokurimet publike në Kosovë”, thotë Gashi.

Krijimi i privilegjeve për një kompani nëpërmes prokurimit publik, shton Gashi, po krijon pabarazi në treg. Për ta zgjidhur problemin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik, Gashi sugjeron disa metoda që kanë praktikuar vendet e rajonit në fushën e prokurimit.

Ajo çka do të konsiderohej më e drejtë, sipas Gashit, është një prokurim publik on-line, i cili aplikohet edhe në disa vende të rajonit dhe në vendet e Bashkimit Evropian.

Kjo mënyrë e prokurimit, shton Gashi, pamundëson intervenimin e palës së tretë.

“Sa i përket prokurimit publik në Kosovë, ne kemi pasur disa amendamentime të ligjit konform rekomandimeve që kanë ardhur nga Komisioni Evropian, por jo të gjitha kanë qenë të mirëseardhura për arsye se Ligji për prokurimin publik aktual ka shumë burokraci dhe në fakt ka shumë mundësi të anashkalimit të ligjit dhe krijimin e privilegjeve për një kompani tjetër”, vlerëson Gashi.

Prokurimi publik edhe në raportet vendore dhe ndërkombëtare ishte konsideruar si burim i korrupsionit. Kjo fushë ishte thënë se ka krijuar probleme të mëdha në zhvillimin ekonomik të vendit.

Raporti i progresit për Kosovën i Komisionit Evropian, po ashtu, e kishte cilësuar fushën e prokurimit si më të korruptuarën në Kosovë.

Drejtori i Institut “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, shkallën e lartë të korrupsionit në prokurimin publik e cilëson alarmante.

“Sistemi i prokurimit ka prodhuar nivel alarmant të korrupsionit në vend. Kemi të bëjmë me një sistem të korruptuar që favorizon biznese joadekuate biznese jo efiçente, biznese më të shtrenjta, pra shkurt, biznese të caktuara të lidhura ngushtë me grupe të caktuar të interesit”, thekson Abdixhiku.

Kjo mënyrë e korruptuar e sistemit të prokurimit që favorizon grupe të interesit dhe jo drejtësi, potencon Abdixhiku, po bën që shumë biznese të mos marrin pjesë në proceset e tenderimit publik.

Ndryshe, raporti i fundit i “Transparency International”, që bën matjen e indeksit të perceptimit të korrupsionit në 177 shtete, Kosovën e ka renditur në vendin e 111 sa i takon shkallës së lartë të korrupsionit.
XS
SM
MD
LG