Ndërlidhjet

logo-print
Rreth 130 studentë shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Presheva, të cilët studiojnë në dy universitete shqiptare në Maqedoni, Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, gjatë nëntë muajve të fundit, po përballen me pengesa nga ana e autoriteteve policore maqedonase, gjatë kalimi të pikave kufitare të vendit.

Me më shumë probleme përballen studentët nga Presheva, të cilëve nuk u lejohet hyrja në Maqedoni, duke u mbajtur orë të tëra në stacionet policore si pasojë e mungesës së lejeve të qëndrimit.

“Në rast se studenti nuk disponon me leje qëndrimi për të qëndruar në Maqedoni, atëherë ai student kthehet në kufi, duke i vënë vulë ndalese për 24 orë për të hyrë në Maqedoni. Pra, na thonë se ne duhet të shkojmë në Ambasadën e Maqedonisë në Beograd, për të rregulluar dokumentacionin, gjë që kërkon kohë dhe të holla. Ndodh që një prind ka dy ose më shumë studentë dhe kjo është e papërballueshme pë buxhetin e familjes”, thekson Ariana Aliu nga Lugina e Preshevës.

Për studentët e huaj, problem paraqet dhe sigurimi shëndetësor, i cili kushton 500 euro në vit, ndërkohë që studentët thonë së nuk qëndrojnë një vit të plotë në Maqedoni, por vetëm ata muaj sa zgjasin ligjëratat.

“Po rregullimi i gjithë këtyre dokumenteve për ne paraqet një vështirësi të madhe. Përpos që kushtojnë shumë, njëkohësisht për ne është maltretim sigurimi i më shumë dokumenteve nga institucione të ndryshme. Mendoj se përderisa Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë tashmë kanë të nënshkruar një marrëveshje për t`i pranuar studentët e Kosovës, mendoj se nuk është i nevojshëm rregullimi i gjithë këtyre dokumenteve. Me vetë faktin se kemi indeksin apo ID studentore dihet se jemi studentë, rrimë në konvikte private”, tregon Flutura, studente nga Kosova.

Ndërkaqm, përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë theksuar se ligji për të huajt është i qartë dhe i njëjti vlen për të gjithë njëlloj vetëm se ai duhet zbatuar.

“Kemi më shumë raste kur nga kufiri kthehen shumë studentë. Po problemi është se studentët nga Shqipëria, Kosova po edhe Presheva njëjtë si edhe qytetarët tjerë të huaj që jetojnë në Maqedoni, duhet t’i rregullojnë dokumentet për leje-qëndrimi. Problemi për qëndrim të të huajve e Maqedoni, paraqitet në momentin kur persona të caktuar pa e rregulluar lejen e qëndrimit të përkohshëm, kërkojnë të zhvillojnë të drejtën e qëndrimit këtu. Edhe studentët nga Serbia duhet të aplikojnë në ambasadën e Maqedonisë si të gjithë të tjerët, të kërkojnë lejen e qëndrimit të përkohshëm", thekson Elizabeta Kushovska, nga zyra për shtetasit e huaj - sektori për punë të brendshme.

Nga ana tjetër, Selam Sulejmani, nga zyra për informim në kuadër të Universitetit Shtëtëror të Tetovës thotë se studentëve që me fillimin e studimeve, u bëhet e ditur se ata duhet ta rregullojnë dokumentacionin e nevojshëm për leje-qëndrim.

“Kemi kërkuar ndihmën e autoriteteve përkatëse që studentët tanë në asnjë mënyrë të mos maltretohen në pikat kufitare të Maqedonisë. Fundja, studentët e Luginës së Preshevës, studentët e Republikës së Kosovës, dhe studentët që vijnë nga Shqipëria përbëjnë 10 për qind në Universitetin e Shtetëror të Tetovës, kështu që statusin e vendit dhe atë të huaj, e trajtojmë njëjtë si të gjithë studentët e përshirë në programet studimore”, thekson Sulejmani.

Edhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë studiojnë 253 studentë nga Lugina e Preshevës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG