Ndërlidhjet

Maqedoni: Zgjedhjet e parakohshme, lojëra me ngjyrime politike


Zgjedhja e kandidatit në garën për president nga VMRO-DPMNE
Zgjedhja e kandidatit në garën për president nga VMRO-DPMNE
Propozimi i Bashkimit Demokratik për Integrim për shpërndarjen e Kuvendit të Maqedonisë, tashmë ndodhet në procedurë dhe më së voni deri të mërkurën, do të gjendet para deputetëve për miratim.

Debati parashihet të zgjasë më së shumti tri ditë që partitë t’i thonë qëndrimet për dhe kundër kësaj iniciative të BDI-së, e që ka marrë mbështetjen edhe të VMRO-DPMNE-së, partisë maqedonase bashkë-qeverisëse.

Kryetari i saj, njëherësh kryeministër i vendit, Nikolla Gruevski, tha se pranon sfidën për zgjedhje, meqë, sipas tij, qëllimi i BDI-së është dështimi i zgjedhjeve presidenciale.

Gruevski theksoi se ka edhe një synim tjetër, fitoren absolute në zgjedhje, me të cilën do të pamundësonte, siç shprehet, shantazimet e BDI-së me kërkesa të ndryshme.

Por, analistët vlerësojnë se fjalori i tillë i Gruevskit dhe tjetri i BDI-së, me kërkesa për zgjedhjen e presidenti konsensual dhe zhbllokimin e procesit integrues, janë lojëra me ngjyrime të ndara politike mes dy partive me qëllimin e vetëm, sigurimin edhe të një mandati të ri qeverisës.

“Nëse mbështetemi në teoritë e konspiracionit, gjithsesi se mund të themi se e tërë kjo që po ndodh ditëve të fundit në politikën e Maqedonisë, është burim i një kuzhine të caktuar apo i një shtabi të përbashkët mes këtyre dy subjekteve politike, VMRO DPMNE-së dhe BDI-së. Por, megjithatë në këtë rast gjykoj se loja më shumë ka ngjyrime të ndara politike mes dy partive, pra, si partia e Gruevskit, ashtu edhe partia e Ahmetit, të vetëdijshme se në elektorat gëzojnë një mbështetje të fuqishme, kanë vendosur të provokojnë ndjenjat e qytetarëve dhe në këtë mënyrë, të sigurojnë edhe një mandat katërvjeçar".

"Mendoj se bëhet fjalë për politika pak a shumë nacionaliste si nga njëri, ashtu edhe nga blloku tjetër, të cilat në fund do të transferohen në shtimin e numrit të votave në njërin apo kampin tjetër politik“
, thotë Ismail Sinani, njohës i çështjeve politike dhe redaktor në javoren “Shenja”.

Ngjashëm vlerëson edhe komunikologu Petar Arsovski. Ai thekson se partitë politike kanë zgjedhur momentin kur rejtingu i tyre është i qëndrueshëm për të shkuar në zgjedhje, pasi çdo vonesë apo mbajtja e tyre pas një viti, në afatin e rregullt, mund të ndryshojë skenën politike.

“Duke marrë parasysh se për momentin ato kanë një përparësi në anketa, që thënë kushtimisht do t’u mundësonin formimin e një shumice të re, edhe kanë vendosur të shkojnë në zgjedhje. Kjo për to është një çështje më oportune se sa të presin edhe një vit deri në zgjedhjet e rregullta e që mund të ndryshonte skenën politike”, vlerëson Arsovski.

Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thonë se janë të gatshëm për organizimin e këtyre zgjedhjeve që do të mbahen së bashku me rrethin e dytë zgjedhjeve presidenciale, më 27 prill.

Në zgjedhje, sipas të gjitha gjasave, do të marrin pjesë vetëm tre kandidatë, presidenti aktual, Gjorgje Ivanov, si kandidat i VMRO-DPMNE-së, Stevo Penadarovski i propozuar nga Lidhja Social-demokrate e opozitës dhe Iljaz Halimi nga Partia Demokratike shqiptare, po ashtu e opozitës.

Halimi dhe Ivanov brenda një dite kanë mbledhur edhe 10 mijë firmat e nevojshme për zyrtarizimin e kandidaturave të tyre.

Zgjedhjet bojkotohen nga BDI-ja, e cila do të marrë pjesë aktive në fushatën elektorale, por me thirrjen drejtuar shqiptarëve që të mos dalin në zgjedhje, ndërsa do të shpalosë pikëpamjen e saj - marrëveshjen e re shqiptaro- maqedonase, që, sipas saj, duhet të arrihet në rast të fitores në zgjedhjet parlamentare.

Ajo parasheh zgjedhjen e presidentin në Kuvend, zhbllokimin e procesit integrues deri në vjeshtë, si dhe mbylljen e çështjeve të hapura shqiptare, para së gjithash, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
XS
SM
MD
LG