Ndërlidhjet

logo-print
Edhe kundrejt masave te shumta stimuluese të ndërmarra nga ana e Qeverisë për rritjen e natalitetit në vend, sipas të dhënave të fundit kumtuar nga Enti Shtetëror i Statistikave në Maqedoni gjatë vitit 2013 janë lindur 341 foshnje më pak krahasuar me vitin 2012 .

Ish drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Donço Gerasimovski konsideron se me vetë faktin se gjatë vitit 2013 në Maqedoni janë lindur 23 mijë e 227, ndërsa një vit më parë ishin lindur 23 mijë e 568 tregon qartë se masat e Qeverisë për rritjen e natalitetit, nuk kanë dhënë efektin e pritur.

“Të gjitha shpresat për të stimuluar familjet që të lindin fëmijën e dytë ose të tretë nuk u realizuan sepse të dhënat tregojnë qartë se më shumë se në 52 komuna të Maqedonisë kemi rënie drastike të natalitetit”, thekson Grerasimovski.

Ai shton se numri më i vogël i foshnjave të lindura është në komunat e Maqedonisë Lindore, të banuar me popullsi maqedonase.

Sociologët theksojnë se këtë dukuri duhet trajtuar me seriozitet, me që pas disa vitesh mund të kemi fshatra, madje edhe qytete të tëra të cilat do të jenë të zbrazura.

Sociologu maqedonas, Gjorgji Tonovski vlerëson se ulja e natalitetit është si rrjedhojë e gjendjes socio-ekonomike.

“Në uljen e natalitetit nuk kontribuon vetëm ikja e të rinjve nga vendi, sidomos atyre me kapacitet të lartë intelektual, por dhe ajo se më shumë çifte të reja të cilët tanimë janë në bashkëshortësi, ose një kohë të gjatë janë në lidhje, nuk vendosin të krijojnë familje, ndjehen të pasigurt në aspektin ekonomik”, thotë Tonovski.

Se aspekti ekonomik ndikon në uljen e natalitetit nuk pajtohet Fati Iseni, ish antëar i Këshillit Shtetëror të Statistikës.

Sipas tij, nëse analizohet vetëm qyteti i Shkupit, ku është e koncentruar pothuajse pjesa më e madhe e popullatës në Maqedoni, ka ngritje të natalitetit të shqiptarëve dhe ulje të natalitetit te popullata maqedonase, edhe pse popullata shqiptare është shumë më e varfër krahasuar me atë maqedonase në këtë rajon.

“Pikërisht në Shkup aspekti social te popullata maqedonase, serbe dhe vllehe mund të konsiderohet se është më e kënaqshme, sepse familjet e tilla kanë të paktën një të punësuar, do të thotë kanë të ardhura mujore njëherësh janë të sistemuar në vendbanime komode ku janë të plotësuar pjesa më e madhe e kushteve që kanë të bëjnë me cilësinë e jetesës, po edhe ngritjen arsimore".

"Ndërsa popullata e rrethit të Shkupit, ku jetojnë shqiptarët, konsiderohet popullata më e varfër krahasuar me viset tjera ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni, kuptohet me përjashtime të vogla, pra nuk mund të merret për bazë aspekti socio-ekonomik si faktor kyç që çon në uljen e natalitetit”, vlerëson Iseni.

Ndryshe, regjistrimi i fundit në Maqedoni është realizuar gjatë vitit 2002, ndërkohë që para tre vitesh regjistrimi i popullatës dështoi si pasojë e mospajtimeve të shfaqura mes anëtarëve të komisionit qeveritar rreth rregullave themelore për mbledhjen e të dhënave.

Faktori politik shqiptar, por edhe përfaqësuesit e sektorit civil kanë theksuar se për shqiptarët nuk mund të jenë të besueshme rezultatet e regjistrimit përderisa në postet drejtuese të Entit Shtetërorë të Statistikave nuk ka asnjë shqiptar.
XS
SM
MD
LG