Ndërlidhjet

logo-print
Intervenimi ushtarak i Rusisë në Republikën autonome të Krimesë së Ukrainës i ka sjellë marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në nivelin më të ulët në një çerek shekulli, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja New York Times.

Gazeta konstaton se Rusia e ka shkelur sovranitetin e njërit prej vendeve me popullatën më të madhe në Evropë, duke i dhunuar përkufizimet e një marrëveshjeje diplomatike për respektimin e kufijve të Ukrainës, dhe e ka vënë Rusinë në rrugën e luftës me njërin nga pak shtetet në botën pas-sovjetike, që ia doli të mbajë zgjedhje të liratë shumëfishta.

Ky është operacion ushtarak që nuk është i sanksionuar nga asnjë organ ndërkombëtar, tërësisht i pakufizuar dhe i bekuar vetëm nga Parlamenti i Rusisë.

Krimeja, në mënyrë rutinore, është përshkruar si “pro-ruse”, duke pasur parasysh se afërsisht 58% e popullatës 2 milionëshe janë rusë etnikë, ndërsa 24% janë ukrainas dhe 12% janë tatarë të Krimesë.

Shumë prej banorëve të këtij gadishulli, pavarësisht nga etniteti, janë aktualisht shtetas rusë ose mbajtës të dy pasaportave.

Por, fotografia është megjithatë më e ndërlikuar.

Një bazë vitale detare e udhëhequr nga një vend tjetër, një komunitet i pensionistëve ushtarakë patriotikë, një mozaik multietnik, një shtet i dobët dhe në garë me mitologjitë kombëtare, pra kjo është një përzierje e cila tregon se përse konflikti në Krime është për një kohë të gjatë një skenar i ankthit në ish-Bashkimin Sovjetik dhe tash paraqet krizën më shpërthyese në Evropë, prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shkruan New York Times.

Por, kjo është, po ashtu, arsye se të gjitha palët duhet të lëvizin me kujdes. Pretendimet për integritetin territorial dhe klithmat për invadim të jashtëm janë shprehje boshe, në momentin kur një vend madhor evropian – i shkatërruar nga një varg i qeverive të vetëkënaqura dhe tash më tutje e destabilizuar nga jashtë – ka pushuar së ekzistuari si shtet unik funksional.

NATO-ja me gjasë nuk mund t’i zgjerojë garantimet për siguri te një qeveri, e cila nuk e kontrollon territorin e vet.

Megjithëqë në mes të rrugës pa krye, Rusia dhe Perëndimi kanë interes të përbashkët të qartë: parandalimin e luftës civile në zemër të Evropës.

Në vazhdim të artikullit, e përditshmja New York Times, i përshkruan disa gjëra simbolike, për të cilat thekson se janë të rëndësishme për çështjen e Krimesë.

Katedralja e Shën Vlladimirit qëndron në një kodër të vogël në bregdetin jugperëndimor të Krimesë. Kisha është një krijim modern, por qëndron në një lokalitet premtues: vendi ku mendohet se Vlladimiri e pranoi krishterizmin në vitin 988 si religjion shtetëror për principatën e tij.

Për rusët, Vlladimiri është shenjtori i parë kombëtar dhe paraardhës i shtetit modern rus.

Për ukrainasit, ai është Volodymyri i Madh, themelues i civilizimit sllav, që eventualisht do të lulëzonte në veri, në Kievin mesjetar.

Kjo kishë i mbizotëron mbetjet e zgjeruara të një vendbanimi të lashtë grek, që është njëri nga pretendimet më bindëse të Ukrainës moderne për përkatësinë e vazhdueshme në botën perëndimore.

Në afërsi është qyteti Sebastopol, një port i mbrojtur dhe bazë detare, ku Tolstoji njëherë kishte shërbyer në muret e tij mbrojtëse.

Gjatë Luftës së dytë Botërore, ishte i rrethuar dhe i rrafshuar nga bombarduesit gjermanë, përkundër qëndrimit heroik nga Armata Sovjetike dhe partizanët.

Ky port mbeti seli e Flotës Sovjetike të Detit të Zi pas luftës, dhe kur Bashkimi Sovjeetik u zhduk, marinat e Rusisë dhe Ukrainës i ndanë anijet dhe hapësirat për ankorim.

Për gjenerata, marinarët dhe detarët janë kthyer nga deti për të pushuar në lagjet e gjelbërta të qytetit.

Më tutje, New York Times shkruan se në gadishullin e Krimesë me gupet militante të armatosura dhe flamurin rus duke valuar në ndërtesat qeveritare, në disa pjesë të Ukrainës juglindore, detyrë e menjëhershme e diplomacisë është për ta shpëtuar Ukrainën nga pasojat e revolucionit të saj të papritur.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, të gjitha duhet të pajtohen se qëllim kryesor është parandalimi i dhunës më të madhe.

Qeveria e Ukrainës duhet t’i bllokoj grupet e armatosura nga shkuarja në Krime nga pjesët e tjera të Ukrainës, ashtu sikur që Rusia duhet ta ndalë formimin e milicive pro-ruse në Krime dhe më gjerë.

Para se të kthehen në bazë, siç ka kërkuar presidenti amerikan, Barack Obama, forcat e Rusisë duhet ta shfrytëzojnë dispozicioni n aktual të pjesëtarëve të vet për të kryer punë policore në situatën që vetë e kanë krijuar.

Çfarëdo konfirmimi i transferit të armatimit për civilët ose ushtarët jo të uniformuar nga depot ruse, duhet të trajtohet si shkelje e Kartës së Kombeve të Bashkuara, shkruan pos tjerash New York Times, në një artikull të gjatë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG