Ndërlidhjet

EULEX: Dënime me kusht për të akuzuarit në rastin Kosova 2.0


Sot, një prokuror ndërkombëtar dhe prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, e kanë pranuar aktgjykimin për rastin “Kosova 2.0”, ka njoftuar misioni EULEX.

Një gjyqtar i çështjes në Gjykatën Themelore në Prishtinë i dënoi tre persona lidhur me incidentet që ndodhën më 14 dhjetor 2012 në Prishtinë.

Të akuzuarit, Albert Kastrati, Gani Latifi dhe Driton Dili, u shpallën fajtorë për disa pika, përfshirë edhe shkeljen e statusit të barabartë të banorëve të Kosovës.

Por, akuza për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar e etnik, është tërhequr gjatë gjykimit, meqë ajo ishte e mbuluar me Ligjin për Amnisti, njoftoi misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX.

Secili prej tre të pandehurve u dënuan gjithsej me burgim në kohëzgjatje prej një viti, me kusht për dy vjet.

Të akuzuarit Gani Latifi e Driton Dili e kishin pranuar fajësinë për të gjitha akuzat në fillim të seancës kryesore gjyqësore.

Incidentet ndodhën në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ku OJQ-ja mediale Kosova 2.0 e kishte organizuar një ngjarje promovuese për botimin “Seksi” të revistës Kosova 2.0.

Në aktakuzë thuhej se tre të akuzuarit, së bashku me një grup të personave të panjohur, hynë në sallën ku mbahej promovimi, duke e parandaluar dhe penguar me forcë mbajtjen e takimit publik, e shkatërruan një pjesë të inventarit dhe e sulmuan një pjestar të personelit të OJQ-së së përmendur.

Këtë rast e ka hetuar policia e Kosovës, e udhëhequr nga një ekip i përzier në përbërje të një prokurori ndërkombëtar dhe një prokurori të shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
XS
SM
MD
LG