Ndërlidhjet

Rruga e gjatë e futbollit të Kosovës


Stadiumi në Prishtinë, foto nga arkivi

Stadiumi në Prishtinë, foto nga arkivi

Ndeshja e futbollit, të cilën përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvillojë me përfaqësuesen e Haitit, të mërkurën, me 5 mars, do të jetë ndeshja e parë miqësore e nivelit ndërkombëtarë, me lejen e Federatës Botërore të Futbollit – FIFA.

Nga përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, kjo ndeshje është vlerësuar si historike dhe si një mesazh për botën se “ futbolli në Kosovë nuk ka lindur sot, por ka një traditë që prej vitit 1922”.

Seleksionuesi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki e ka simbolizuar ndeshjen e Kosovës me Haitin “sikur hapi i parë në një garë 10 mijë metra”.

Përpjekjet për të thyer izolimin ndërkombëtar për futbollin e Kosovës, kishin nisur që para shpalljes së pavarësisë së vendit, me 17 shkurt 2008. Por, pas kësaj ngjarjeje, kishte nisur “lufta” e njëmendët për t’i hapë dyert e Federatës Botërore të Futbollit – FIFA dhe Federatës Evropiane të Futbollit - UEFA.

Megjithatë, statutet e këtyre dy mekanizmave ndërkombëtarë të futbollit, nuk lejonin përfshirjen nën ombrellën e tyre të federatave të futbollit të vendeve që nuk kanë ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Deri më tash shtetin e Kosovës e kanë njohur 108 vende, por ende nuk ka arritur të ketë ulësen në Kombet e Bashkuara.

Federata e Futbollit të Kosovës në vazhdimësi, patën bërë përpjekje për t’ua sqaruar këtyre dy mekanizmave pozitën në të cilën gjendej futbolli i Kosovës, duke kërkuar anashkalimin e implikimeve politike në këtë situatë dhe duke kërkuar që të veprohej në të mirë të zhvillimit të sporti dhe për ndihmën në këtë fushë për Kosovën.

Sinjali i parë

Megjithatë, bisedimet e Kosovës me Serbinë, me ndërmjetësimin e Brukselit, që patën nisur në mars të vitit 2011, në nivel teknik dhe që më pas ishin shtrirë edhe në rrafshin politik në tetor 2012, dhanë sinjale se në marrëveshjet eventuale për mos bllokimin e ndërsjellë në nismat rajonale dhe mekanizmat e ndryshëm ndërkombëtarë, do të mund të përfshihej edhe sporti.

Pas shumë përpjekjeve të Kosovës, pavarësisht kundërshtimeve nga ana e UEFA-s, e drejtuar nga Michel Platini, që Kosova të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare, qoftë edhe të formatit miqësor, kreu i FIFA-s Sepp Blatter, tashmë kishte dhënë sinjalet e para se politikat e organizatës botërore të futbollit do të ndryshonin.

Në maj të vitit 2012, pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, sekretar i përgjithshëm i kësaj organizate Jerome Valcke, pati deklaruar “ishte vetë Blater ai që kërkoi nga komiteti ekzekutiv dhe vetëm një konfederatë e refuzoi propozimin”.

Tetë votat e UEFA-s, kundrejt panelit 24 anëtarësh të FIFA-s, dështuan ta bllokojnë këtë nismë. Siç thuhej, FIFA- ia kishte mundësuar Kosovës takimet ndërkombëtare miqësore me 208 vende të botës.

Valcke, gjithashtu pati deklaruar se “kjo nuk është njohje e Kosovës si shtet, por është njohje e një vendi ku luhet futbolli". Vendimin e FIFA-s e pati përshëndetur Federata e Futbollit të Kosovës.

Të njëjtin vendim e pati përshëndetur edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i cili pati deklaruar se "gjatë gjithë këtyre viteve, futbollistët kosovarë kanë treguar kualitete të larta të lojës si pjesë e kombëtareve dhe e klubeve të ndryshme botërore. Tani, ky vendim do t’iu mundësojë atyre që të mbrojnë ngjyrat e shtetit të Kosovës dhe të afirmojnë sportin kosovar”.

Menjëherë pas këtij vendimi, Federata e Futbollit e Serbisë pati protestuar, duke thënë se vendimin FIFA e kishte marrë pa u konsultuar me UEFA-n apo me asociacionin serb të futbollit. Me qëllim të pengimit të vendimit, Federata e Futbollit të Serbisë pati kërkuar një takim urgjent me kreun e FIFA-s Sepp Blatter dhe homologun e tij nga UEFA Michel Platini.

Vendimet, takimet, peticionet...

Më 23 maj 2012 FIFA i pati ftuar në takim përfaqësuesit e Federatës serbe të futbollit dhe të UEFA-së, të cilët mbështesnin protestën e asociacionit serb të futbollit.

Drejtuesi i UEFA-s, Platini, po atë ditë, pati thënë se presidenti i FIFA-s Sep Blater ka propozuar ndryshimin e politikave "pa folur me askënd" dhe se vendimi i FIFA-s "është një vendim politik dhe nuk është një vendim i futbollit".

Pas këtyre kundërshtimeve FIFA pati shtyrë vendimin për të lejuar ose jo Kosovën të luajë ndeshje miqësore me anëtarët e saj. “Do të mbajmë një takim me federatat e shqetësuara, veçanërisht Serbinë, me 31 maj në Cyrih”, pati thënë Blatter.

Me 26 maj, kryetari i federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, pati thënë se “vendimi i FIFA-s është i pakthyeshëm dhe se përpjekjet e palës serbe që përmes barrierave politike ta bllokojnë futbollin kosovar të dalë në arenën ndërkombëtare, do të dalin huq”.

Por, me 31 maj, epilogu i takimit që zhvilluan përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Serbisë me krerët e FIFA-s, në Cyrih, ishte që Federata e Futbollit të Kosovës nuk do të pranohej në Federatën Ndërkombëtare të këtij sporti, ndërsa diskutimet për të lejuar ose jo Kosovën të luajë ndeshje miqësore me anëtarët e FIFA-s, do të vazhdonin.

Me 17 korrik 2012, në takimin e anëtarëve të bordit të FIFA-s, ishte paraparë të diskutohet edhe për statusin e Kosovës në futbollin ndërkombëtar, por nuk pati ndonjë rezultat konkret.

Me 18 shtator, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, kishte deklaruar se “Kosova pret nga FIFA që ta mbajë fjalën e dhënë dhe të gjej një modalitet” për të përfshirë Kosovën në ndeshjet ndërkombëtare..

Me 22 shtator 2012, kapiteni i përfaqësueses së Shqipërisë, Lorik Cana, dhe ata të përfaqësueses zvicerane Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Valon Behrami, patën nënshkruar një deklaratë, e cila i ishte dërguar presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter si pjesë e kërkesës së Federatës së Futbollit të Kosovës që ekipet e saj të lejohen të luajnë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Këta futbollistë me renome ndërkombëtare, të gjithë me prejardhje nga Kosova, u ishin bashkuar futbollistëve të tjerë kosovarë që kanë mbështetur fushatën e Kosovës për të drejtën e saj për të luajtur në ndeshjet futbollistike ndërkombëtare.

Me 28 shtator FIFA përsëri pati shtyrë vendimin për të lejuar ose jo Kosovën që të marrë pjesë në ndeshjet miqësore, duke arsyetuar se lidhur me këtë Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s do të diskutonte më 14 dhjetor 2012 në Tokio.

Më 14 dhjetor 2012, Komiteti ekzekutiv i FIFA-s, mori vendimin pozitiv vetëm për ekipet e të rinjve në Kosovë, ashtu si edhe për klubet amatore dhe ato të femrave, që të zhvillojnë ndeshje ndërkombëtare miqësore, por jo edhe për përfaqësuesen e Kosovës. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, e pati quajtur “vendimi zhgënjyes dhe jo shumë të kënaqshëm”.

Ai pati deklaruar se “FFK do të paraqesë kërkesën për anëtarësim në FIFA, çfarë është një hap i logjikshëm, pasi shumica e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara kanë njohur Kosovën” dhe se kërkesën për këtë do ta bazonte në një nen të statutit të FIFA-s, i cili parasheh që “çdo shoqatë, e cila është përgjegjëse për organizimin dhe mbikëqyrjen e futbollit në vendin e saj, mund të bëhet anëtare e FIFA-s”.

Rasti i Gjibraltarit

Ndërkohë, Gjibraltari, ishte pranuar si anëtar i UEFA-s, dhe analistët patën vlerësuar se kjo situatë mund t’i hapte dyert për Kosovën. Publicisti i njohur britanik, Tim Judah, pati theksuar se anëtarësimi i Gjibraltarit si anëtar i plotë UEFA-s, “logjikisht minon rezistencën për anëtarësimin e Kosovës” në këtë mekanizëm.

Ndonëse FIFA nuk e kishte tërhequr nga vendimi i saj që Kosova të mos luajë ndeshje ndërkombëtare pa lejen e Serbisë, megjithatë në mars të vitit 2013, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s kishte caktuar kryetarin e organizatës, Blatter që të ndërmjetësonte lidhur me këtë çështje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Blatter, në mesin e qershorit të vitit 2013 pati vizituar Serbinë dhe ishte takuar me kryeministrin serb Ivica Daçiq. Ai pati paralajmëruar se do t’i kërkoj ndihmë Serbisë në mënyrë që të zgjidhet nyja. Detajet e bisedimeve nuk ishin sqaruar, por më pas, kryetari i Federatës Serbe të Futbollit, Tomisllav Karaxhiq, pati deklaruar se Serbia do të ndjek këshillën e Blatter-it.

“Vendimi i FIFA-së është i arsyeshëm sepse të gjithë fëmijët kanë të drejtë të luajnë futboll, përfshirë edhe ata në Kosovë, por është e qartë se klubeve dhe kombëtarës së tyre, nuk mund t’iu lejohet që të bëjnë gara, para se ata të njihen nga Kombet e Bashkuara”, pati thnënë Karaxhiq.

Me 29 tetor të vitit 2013, të dy kryetarët e federatave përkatëse të futbollit, të Kosovës dhe të Serbisë, Vokrri dhe Karagjiq, ishin takuar në Cyrih, me ndërmjetësimin e Blatter. Më pas, Vokrri pati deklaruar se po kërkohej një “zgjidhje e ndërmjetme” për Kosovën , që nënkuptonte “zhvillimi i ndeshjeve miqësore me të gjitha kategoritë”.

Por, përfaqësuesit e futbollit të Kosovës me këmbëngulje kishin refuzuar që për zhvillimin e ndeshjeve të merret leje nga Serbia.

Pas një varg përpjekjesh që ky synim të arrihet, me 13 janar 2014, FIFA i dha dritën e gjelbër Kosovës të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare miqësore. Por, megjithatë, edhe për këtë pati kushte, të cilat i shpjegoi sekretari i përgjithshëm i FFK, Eroll Salihu
“tash për tash, pa simbole shtetërore dhe me një asterisk (fusnotë)".

"Është e mundur të mos na lejohet të luajmë edhe me përfaqësueset e ish-Jugosllavisë”, pati theksuar Salihu. Një klauzolë e tillë kishe pamundësuar zhvillimin e ndeshjes Kosovë – Kroaci, e paralajmëruar qysh para marrjes së vendimit.

Salihu gjithashtu, me 20 janar të vitit 2014, konfirmoi se ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare, Kosova do ta zhvilloj me 5 mars.

Ndërkohë Federata e Futbollit të Kosovës dhe institucionet qeveritare përgjegjëse, konfirmuan angazhimin maksimal për përgatitjen e infrastrukturës për zhvillimin e ndeshjes me 5 mars.

Kushtet "miqësore"

Në mesin e muajit shkurt Federata e Futbollit të Kosovës konfirmoi se ndeshja e parë miqësore ndërkombëtare e lejuar nga FIFA do të zhvillohet me Haitin.

Në Kosovë, takimi i 5 marsit, në stadiumin “Adem Jashari” në qytetin e Mitrovicës, po pritet me shumë interesim, duke u vlerësuar si takim historik. Vetëm në dy orët e para janë shitur rreth 50 për qind prej 17 mijë biletave sa janë në shitje. Tashmë është bërë publike edhe lista e lojtarëve që do të marrin pjesë në takim. Pjesa më e madhe e tyre luajnë në liga të ndryshme evropiane.

Megjithatë, dashamirët e futbollit në Kosovë , në këtë ndeshje nuk do t’i shohin “yjet” që mbase i kishin pritur. Madje as ata që kishin nënshkruar kërkesën për FIFA-n që Kosovës t’i lejohen takimet ndërkombëtare, sikurse Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Valon Behrami, të cilët janë yjet e përfaqësueses së Zvicrës në kampionatin e sivjetëm botëror në Brazil. Njëherësh, në përfaqësuesen e Kosovës nuk do të jetë as lojtari i Manchester United, Adnan Januzaj.

Federata e Futbollit të Kosovës ka theksuar se nuk dëshiron t’iu krijojë probleme një numri të futbollistëve që luajnë në përfaqësuese të vendeve evropiane, të cilët po zhvillojnë përgatitje për botërorin e sivjetmë.

Megjithatë seleksionuesi Bunjaki thotë se në përbërjen e përfaqësueses së Kosovës ka emra që janë mjaft të respektuar në vendet dhe klubet, në të cilat aktualisht janë të angazhuar.

“Ka lojtarë të kualitetit. Nëse i përmbledhim këta lojtarë, atëherë del se këta lojtarë kanë luajtur rreth 300 lojë ndërkombëtare”.

Ndeshja miqësore e Kosovës me Haitin, konsiderohet si hapi i parë, por përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, tashmë kanë thënë hapur se ambicia e vendit është hyrja në garat kualifikuese për botërorin e vitit 2018.

Në janar të këtij viti, kandidati për kryetar të ri të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Jerome Champagne, pati deklaruar se Kosova është në rrugën e drejtë, por ka edhe shumë punë për t’u bërë anëtare e plotë e FIFA-s.

“Ata, në 15 vjetët e fundit janë ndjerë të izoluar, të padëshiruar dhe të harruar, por kjo po ndryshon”, ka thënë Champagne, dhe ka shtuar se “Kosova ka histori të gjatë futbollistike dhe shumë lojtarë në gjithë Evropën janë krenarë për origjinën e tyre” nga Kosova.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG