Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria miraton rekomandimin që FSK të shndërrohet në FAK


Qeveria e Kosovës ka miratuar analizën e rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë ku parashihet që Forcat e Sigurisë së Kosovës të shndërrohen në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Njëherësh, aty parashihet që edhe Ministria e FSK-së të shndërrohet në Ministrinë e Mbrojtjes.

Forca e Armatosur e Kosovës, do të zhvillohet në tri faza. Ato janë projektuar të përfshijnë 5 mijë pjesëtarë aktiv dhe 3 mijë rezervistë.

Por deri te formimi zyrtar i këtyre forcave, Kosova do të detyrohet të bëjë ndryshime kushtetuese e ligjore të cilat në mandatin e këtyre institucioneve duken si një mision mjaft i vështirë.

Kryeministri, Hashim Thaçi ka thënë se rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë është bërë në pajtim me parimet euroatlantike dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Nga sot po vendoset që Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në Forca të Armatosura të Kosovës dhe rrjedhimisht të ndryshojë misionin, detyrat, strukturën dhe madhësinë. Kjo është në të mirë të vendit në të mirë të qytetarëve tanë pa dallim etnik, fetar apo orientim politik”, është shprehur kryeministri.

Forcat e Armatosura, sipas kryeministrit Thaçi janë në interesin e proceseve të integrimeve euroatlantike dhe paraqesin bazë të mirë për forcimin e sigurisë si brenda Kosovës ashtu edhe në rajon.

Ndërkaq ministri i FSK-së, Agim Çeku ka folur për rolin dhe misionin e Forcave të Armatosura, që në rend të parë ka të bëjë me ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të shtetit të Kosovës.

“Misioni i Forcave të Armatosura të Kosovës është që të jenë gjithmonë të gatshme ta mbrojnë sovranitetin, integritetin territorial, për t’i mbrojtur qytetarët, pronat e tyre dhe interesat e Kosovës, si dhe të kontribuojë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe atij global”, ka thënë Çeku.

Edhe Komisioni për Siguri në Kuvendin e Kosovës ka vlerësuar se duhet të fillojnë procedurat dhe hapat konkret për formimin e Forcave të Armatosura.

Me formimin e tyre do të bëhet rrumbullakimi i institucioneve të shtetit të Kosovës, ka thënë kryetari i këtij komisioni, Ahmet Isufi, deputet i AAK-së.

“Tani është koha kur duhet të formohet Forcat e Armatosura të Kosovës, Ministria e Mbrojtjes, mekanizmat mbrojtës në Kosovë dhe kompletimi institucional i Kosovës si shtet i pavarur e sovran”, ka thënë Isufi.

Miratimi i rekomandimeve nga Qeveria për formimin e Forcave të Armatosura paraqet vetëm hapin e parë.

Deputeti Fatmir Xhelili nga radhët e PDK-së, po ashtu anëtar i Komisionit parlamentar për Siguri ka thënë se do të nevojiten vite që këto forca të mund të sigurojnë integritetin e Kosovës.

“Ushtri e cila duhet t’i mbërrij kapacitetet për të qenë e aftë të siguroj integritetin në territorin e Kosovës, e për këtë do të nevojiten disa vite”, ka vlerësuar Xhelili.

Për ngritjen dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, ministri Agim Çeku ka thënë se do të nevojiten 5 milionë euro shtesë për pesë vitet e ardhshme.

Ndërtimi i Forcave të Armatosura, do të bëhet në tri faza, duke filluar nga ky vit deri në vitin 2016.

Por, formimi i tyre do të jetë i mundur vetëm pasi që të bëhen edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe miratimi i Ligjit përkatës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG