Ndërlidhjet

Riatdhesimi i mjeteve financiare


Janë mbi një miliard euro mjete financiare të Fondit të Privatizimit dhe Trustit Pensional të Kosovës të cilat mbahen ose të ngrira ose të investuara në tregjet ndërkombëtare, mjete këto të cilat asnjëherë nuk u investuan në projektet zhvillimore të vendit.

Së fundi, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka bërë publike përmes rrjetit të tij Facebook themelimin e një fondi zhvillimor për ndërmarrësi dhe punësim, fond ky që sipas kryeministrit, do të bazohet në një pjesë të mjeteve financiare të shtetit të Kosovës që mbahen në banka jashtë vendit.

Ky fond, siç ka bërë të ditur kryeministri Thaçi do të krijojë mundësi të reja të përkrahjes së punësimit dhe zhvillimit ekonomik, duke përdorur praktikat më të mira investuese.

Ekspertët e çështjeve ekonomike, konsiderojnë se kjo iniciativë e marrë tani nga kryeministri Thaçi do të duhej të kishte ndodhur shumë më herët dhe të konkretizohet në projekte zhvillimore që kanë të bëjnë me hapjen e vendeve të reja të punës.

Profesori i ekonomisë Musa Limani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë sikur këto mjete të ishin hyrë në funksion nëpërmes sistemit bankar për zhvillimin ekonomik të Kosovës efektet në ekonomi do të ishin shumë më të mëdha.

Sipas situatës së deritanishme, thekson profesor Limani, Kosova eksportin më të madh e ka pasur në eksportimin e parave, pikërisht mjeteve të Fondit të Privatizimit dhe Trustit Pensional.

Kjo, siç thekson Limani, ka bërë që popullata e Kosovës të mos disponon me mjete financiare dhe për atë fuqia blerëse ka rënë.

“Po të ishin kthyer këto mjete të fondit të Privatizimit në Kosovë do të kishin nxitur investime dhe do të krijoheshin vende të reja të punës sepse do të rritje potenciali i kapitalit të bankave komerciale dhe do të jepnin kredi më kushte më të volitshme. Kjo nuk ka ndodhur. E njëjta gjë ndodhi edhe me Trustin Pensional edhe këto mjetë për fat të keq janë jashtë sistemit bankar të Kosovës”, vlerëson Limani.

Mjetet që Kosova ka mbajtur jashtë vendit, sipas profesor Limanit, përveç që kanë ndikuar negativisht në mos zhvillim ekonomik, kanë ndikuar edhe në tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Sidoqoftë, profesor Limani thekson se Qeveria e Kosovës ka të drejtë të themelojë fonde, mirëpo ato fonde duhet të bazohen në koncepte dhe strategji të zhvillimit ekonomik.

“Në rast se këto mjete kthehen duhet të bëhet një analizë më komplekse dhe të dimë se ku po shkojnë ketë mjete dhe çfarë kahje po i japim. Hapi i parë që duhet të bëhet është të vendoset që këto mjete të kthehen dhe nëpërmes sistemit bankar të orientohen, por me një projekt zhvillimor dhe jo me deklarata”, thotë Limani.

Ish ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se nuk është dashur të pritet aq gjatë që këto mjetë të investohen në Kosovë.

Shatri thekson se deklarata e kryeministrit Thaçi për kthimin e këtyre mjeteve në Kosovë më shumë është fushatë parazgjedhore.

“Është ide e mirë dhe normalisht që këto para të Fondit të Privatizimit është dashur të hyjnë sa më shpejtë në funksion të zhvillimit të vendit. Formën që kryeministri Thaçi e ka thënë ka qenë në mënyrë të papërpunuar dhe vetëm si formë fushate. Megjithatë, këto para duhet t’i kthehen ekonomisë së vendit".

"Derisa sa i përket Trustit Pensional është më e komplikuar pasi që janë kursime të qytetarëve dhe për t’i shfrytëzuar ato para duhet t’i nënshtrohemi ligjit të tregut, ofertës dhe kërkesës së parasë”, sqaron Shatri.

Fondi i Privatizimit prej mbi 600 milionë euro është arritur nga privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve të shoqërore në Kosovë.

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës i cili kap shumë prej mbi 900 milionë euro është mbledhur nga kontributet pensionale të kursyera nga qytetarët e Kosovës gjatë marrëdhënies së punës, të cilat ruhen nëpër llogari individuale të kontribuuesve.
XS
SM
MD
LG