Ndërlidhjet

Opozita: Rritja e pagave - thirrje për votë


Ilustrim

Ilustrim

Qeveria e Kosovës, as në mbledhjen e së martës nuk ka marrë vendim për rritjen e pagave, edhe pse kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, më 27 shkurt pati premtuar se vendimi do të merret më së largu deri më 3 mars.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, javë më parë ka premtuar se do të ketë rritje të pagave, rritje kjo që do të përfshijë 82 mijë punëtorë kosovarë të sektorit publik.

Në Ministrinë e Financave, ndërkaq, thonë se tashmë kanë dërguar në qeveri propozimin për rritjen e pagave.

Gëzim Baxhaku, këshilltar politik për media i ministrit të Financave, Besim Beqaj, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se për këtë çështje problem nuk paraqiten mjetet financiare, pasi kanë të siguruara një shumë të caktuar të tyre.

“Ministria e Financave të Republikës së Kosovës ka realizuar në tërësi obligimin e përcaktuar nga kryeministri dhe Qeveria që të përgatisë projekt vendimin për rritjen e pagave”.

“Një propozim i tillë i është dërguar Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe ajo do të vendosë për ditën, datën kur do të shqyrtohet në rend të ditës, sa do të jetë lartësia e të ardhurave personale dhe prej kur do të fillojë të aplikohet”, ka thënë Baxhaku.

Përveç premtimit se do të ketë rritje të pagave, ekzekutivi ende nuk ka bërë publike nivelin e përqindjes së rritjes, edhe pse në mënyrë jozyrtare, thuhet se rritja do të ndodhë nga 18 deri në 20 për qind.

Në anën tjetër, kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kërkuar se rritja e pagave për punëtorë të sektorit publik duhet të jetë së paku 43 për qind, që siç kanë thënë, të jetë rritje reale prej 30 për qind.

Avdullah Hoti, anëtar i Kryesisë së LDK-së, të martën në një Konferencë për media, ka thënë se inflacioni gjatë mandatit të kësaj qeverie nga viti 2011 e këndej, ka qenë 13 për qind.

“Në raportin e dërguar nga Qeveria e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, me datë 5 dhjetor 2013, qartësohet se 13 milionë euro nga kjo rritje shkojnë për punësime të reja të 1399 personave në universitetet e reja publike dhe në komunat veri. Pra, mbeten vetëm 35 milionë euro për rritje të pagave që një pjesë e konsiderueshme prej tyre shkon për reformën në administratën publike”.

“Nëse shuma prej 35 milionë euro, ndahet për 82 mijë shërbyes civilë për 12 muaj, atëherë rritja e pagave del të jetë 36 euro në muaj. Ndërkaq, nëse marrim pagën mesatare në sektorin publik prej 360 euro, atëherë kjo rritje është vetëm 10 për qind”, ka theksuar Hoti.

Ndërkaq, për Visar Ymerin, nga Lëvizja Vetëvendosje, premtimi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për rritje pagash është thirrje për votë, pasi zgjedhjet e përgjithshme janë paralajmëruar për këtë verë.

Ai, madje, konsideron se premtimi për rritje të pagave ende mbetet i paqartë.

“Është e qartë se kryeministri po e përdor mjerimin social që e ka shkaktuar vetë në këtë popull për t’i blerë votat. Pra, arsyeja pse kryeministri vazhdimisht merr vendime për rritje të pagave në kohë zgjedhjeje, është vetëm sa për të marrë më tepër vota për vete dhe partinë e tij”.

“Në anën tjetër, vendimi për rritjen e pagave që është marrë në Qeveri ende është i paqartë, pra as nuk dihet përqindja e pagave, as nuk dihet se me çfarë kriteresh dhe parametrash ekonomikë është bazuar rritja”
, është shprehur Ymeri.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës edhe në vitin 2011, kishte ngritur pagat për punonjësit e sektorit publik prej 30 deri në 50 për qind, por sipas opozitës, kjo nuk është vërejtur për shkak të rritjes së lartë inflacionit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG