Ndërlidhjet

Maqedoni: Deputetët votuan vetë-shpërbërjen e Parlamentit


Parlamenti i Maqedonisë më 5 mars 2014
Parlamenti i Maqedonisë më 5 mars 2014
Me 117 vota për, e asnjë kundër, deputetët e përbërjes së shtatë parlamentare nga pavarësimi i Maqedonisë, kanë votuar për vetë-shpërbërjen e Parlamentit dhe me këtë i kanë hapur rrugë organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 27 prill, kur dhe është caktuar raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

Fillimisht, koordinatori i Grupit Parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Nexhat Jakupi, ka ritheksuar se vendimi për zgjedhje të parakohshme është si rrjedhojë e refuzimit të idesë së kësaj partie për një president konsensual, e cila ide siç ka theksuar ai, është injoruar si pasojë e mungesës së guximit nga ana e elitave politike maqedonase.

Jakupi, koordinator i partisë shqiptare në pushtet, BDI, është shprehur i bindur se përbërja e re parlamentare do t’i japë shtytje edhe procesit të integrimit të vendit.

Ne jemi të interesuar ta kthejmë vendin në rrugën euro-integruese dhe në zbatimin e reformave. Jemi të bindur se me krijimin e një përbërjeje të re dhe një ambienti të ri politik të përkushtuar për përparim ekonomik të vendit me investime të reja dhe me inkuadrim në BE dhe NATO. BDI-ja mendon se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është në interes të përmirësimit dhe përparimit të dialogut dhe marrëdhënieve të mira me fqinjët, si dhe për krijimin e mundësisë për hapjen e temave në interes të banorëve dhe vendit”, është shprehur Jakupi.

Nga ana tjetër, koordinatorja e Grupit Parlamentar të VMRO DPMNE-së, Silvana Boneva, propozimin e BDI-së, për të garuar në zgjedhjet presidenciale me një kandidat konsensual e ka cilësuar si propozim “jo të sinqertë”, meqë, sipas saj, “pas kësaj ideje qëndrojnë qëllime të tjera politike”.

“Sidomos pasi dëgjuam në shtyp deklaratat e funksionarëve të kësaj partie, për idenë se si të realizohej ‘presidenti konsensual’ konstatuam se ideja e tillë për të garuar me një kandidat konsensual është në dëm të frymës kushtetuese të zgjedhjeve presidenciale, më duhet të theksoj se kjo ide nga VMRO-DPMNE është cilësuar si ‘jo qëllimmirë’”, ka theksuar Boneva.

Ajo ka shtuar se pikërisht zgjedhjet e parakohshme parlamentare paraqesin mundësi për të verifikuar qëndrimet dhe politikat e partive.

Por, partia maqedonase në opozitë, ka mbrojtur qëndrimin se kriza mes partnerëve të koalicionit qeverisës është e kurdisur nga ana e partive politike në Qeveri, VMRO DPMNE dhe BDI.

Igor Ivanovski, koordinator i Grupit Parlamentar të Lidhjes Social- demokrate të Maqedonisë, ka thënë se nuk ka asnjë arsye serioze për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, duke ironizuar arsyetimet e partive politike në pushtet se pse shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Arsye për të shkuar në zgjedhje të parakohshme nuk ka. Po mua nuk më habit fakti nëse këta të VMRO DPMNE-së, thonë se arsyeja e zgjedhjeve është situata në Ukrainë ose demonstratat në Venezuelë”, është shprehur deputeti i LSDM-së, Ivanovski.

Sherri ka plasur mes partive politike shqiptare në opozitë, pasi Naxhi Xhelili, nga Rilindja Demokratike Kombëtare e ka akuzuar liderin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, për bashkëpunim me kreun e Shërbimeve Sekrete, Sasho Mijallkov, pas çka deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu, ka reaguar duke theksuar se kjo seancë parlamentare paraqet, siç e ka quajtur ai , “aventurën e fundit të Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe liderit të kësaj partie Rufi Osmani”.

“A e dëgjuat Silvana Bonevën kur i potencoi arsyet për zgjedhje? Shihet se kujt i bën shërbim. Sot, me kërkesën e BDI-së, me ‘haber’ nga Beogradi dhe me kërkesë të VMRO DPMNE-së, do të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Arsyeja pse PDSH-ja del me kandidat të vetin për të garuar në zgjedhjet presidenciale, është parandalimi i turpit që po përgatitet me skenarin e partive politike në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI”, ka theksuar deputeti i PDSH-së, Fazliu.

Ai ka theksuar se partia e tij është “për” zgjedhje të parakohshme, sepse është e bindur në fitore, meqë kësaj radhe elektorati do t’i dënojë me votën e vet të gjithë ata, të cilët mbajnë peng perspektivat euro-integruese të vendit.

Do theksuar se Maqedonia për herë të parë përballet me situatë të zgjedhjeve të dyfishta, gjegjësisht mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare bashkë me ato presidenciale.

Ndërkohe, që mosmarrëveshjet mes partnerëve të koalicionit janë shfaqur dukshëm disa herë radhazi, edhe atë rreth zgjidhjes së statusit të pjesëtarëve të UÇK-së, ngathtësisë që ka demonstruar në vazhdimësi VMRO DPMNE-së për të zgjidhur kontestin e emrit me këtë dhe zhbllokimin e procesit integrues, ligjin e mediave etj.
XS
SM
MD
LG