Ndërlidhjet

EULEX dorëzon në MPB serinë e fundit të regjistrave civil


Ministri Bajram Rexhepi dhe zëvendës-shejja e misionit EULEX gjatë ceremonisë së pranim dorëzimit të serisë së fundit të regjistrave civil
Ministri Bajram Rexhepi dhe zëvendës-shejja e misionit EULEX gjatë ceremonisë së pranim dorëzimit të serisë së fundit të regjistrave civil
Seria e fundit e librave të certifikuara të gjendjes civile janë dorëzuar sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme nga misioni EULEX në Kosovë.

Dorëzimi i këtyre librave ishte paraparë me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë ndërsa EULEX ishte zotuar se do të ndihmoj këtë proces.

sipas një kumtese të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ministri Bajram Rexhepi, citohet të ketë thënë se “sot po e përmbyllim një proces shumë të rëndësishëm për një regjistër civil të besueshëm, e cili ka rrjedhë në bazë të marrëveshjes për normalizim e marrëdhënieve me Serbinë, në të cilën ka qenë edhe marrëveshja për kthimin e librave të gjendjes civile nga Serbia në Kosovë për qytetarët e Kosovës”.

Ministri Rexhepi ka falenderuar Komisionin Evropian për financimin e këtij projekti, EULEX-in dhe Këshillin Danez për Refugjatë, i cili ka ndihmuar që ky projekt të realizohet suksesshëm.

“Kjo është një e arritur e madhe për arsye se nëse në ndonjë rast është dyshuar se kanë mundur të ndërrohen të dhënat për ndonjë individ, me këto krahasime dhe verifikime që bëhen, Regjistri Civil do të ketë sigurinë më të lartë, që është interes edhe në procesin e liberalizimit të vizave, por edhe për të gjithë dokumentacionin që e lëshon MPB-ja”, ka thënë ministri Rexhepi.

Joelle Vachter, zëvendës-shefe e misionit EULEX në Kosovë ka thënë ndërkaq se kopjet e certifikuara do të kontribuojnë në ndërtimin e një sistemi të besueshëm dhe të qëndrueshëm të regjistrit civil në Kosovë, nga e cila gjë do të përfitoj sundimi i ligjit si dhe Kosova në rrugëtimin e saj drejt Evropës.

“Ngritja e besueshmërisë së gjendjes civile në Kosovë është faktor kyç që do të merret në konsideratë në procesin e liberalizimit të vizave. Ka ende mjaft punë për të u bërë dhe ne të gjithë duhet të vazhdojmë të punojmë bashkërisht dhe të sigurojmë se këto kopje të certifikuara do të integrohen plotësisht dhe të forcojnë integritetin e regjistrit civil të Kosovës”, citohet të ketë thënë ajo.
XS
SM
MD
LG