Ndërlidhjet

Dëgjuesi dhe lexuesi


Në Kosovë, emisionet e Radios Evropa e Lirë kanë një rëndësi të posaçme për objektivitet, për paanshmëri, si dhe për cilësi në punë. Kështu mendon zoti Nexhmedin Kelmendi, një dëgjues besnik i radio-programeve të Radios Evropa e Lirë, që nga themelimi i këtij programi, 15 vjet më parë.

Në shenjë falënderimi për besimin, me të cilin dëgjuesit tanë dëgjuan programet tona ndër vite, më poshtë mund të lexoni një bisedë me zotin Kelmendi, të realizuar nga Ariana Kasapolli.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kelmendi, prej kur e dëgjoni programin shqip të Radios Evropa e Lirë?

NEXHMEDIN KELMENDI
Radion Evropa e Lirë e dëgjos që nga dita e parë e themelimit të saj, dhe mendoj se është edhe sot e kësaj dite dhe prej fillimit të punës, shtëpi mediale shumë me rëndësi për informim në Kosovë. Ajo që më pëlqen dhe më lë përshtypje është sidomos objektiviteti, paanshmëria politike, e edhe në lëmi të tjera. Do të dalloja sidomos reagimin me kohë për të gjitha ngjarjet që janë të rëndësishme për Kosovën, të këtij mediumi, si dhe punën hulumtuese të përcjellë me objektivitet.
Nexhmedin Kelmendi
Nexhmedin Kelmendi
RADIO EVROPA E LIRË
Cili është mendimi juaj për raportet e Radios Evropa e Lirë?

NEXHMEDIN KELMENDI
Më pëlqejnë komentet për ngjarjet e rëndësishme në Kosovë, për zhvillimin ekonomik, për ngecjet në shëndetësi, për të metat dhe mungesën e politikës së qëlluar edhe ekonomike, por edhe arsimore të kulturës etj.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë thatë se e dëgjoni prej ditës së parë të themelimit radion Evropa e Lirë, çka do të veçonit ndër vite?

NEXHMEDIN KELMENDI
Do të veçoja, pos të gjithash, objektivitetin, paanshmërinë në komentimet tuaja, e që nuk mund të thuhet e njëjta edhe për mediat tona vendore, të cilat janë pak a shumë të orientuara nga partitë e veta politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Një koment tuajin zoti Kelmendi për 15-vjetorin e Radios Evropa e Lirë?

NEXHMEDIN KELMENDI
Unë do t’ju dëshiroja suksese edhe më të mëdha Radios Evropa e Lirë, sepse në Kosovë, emisionet e saj kanë një rëndësi të posaçme për objektivitet, për paanshmëri, për cilësi në punë!

Komentuesi i rregullt

Përveç radios, po ashtu edhe web faqja evropaelire.org me po të njëjtin mision - plasimin e informatave dhe ideve që promovojnë vlerat dhe institucionet demokratike.

Më poshtë mund të lexoni edhe mendimin e një prej komentuesve të rregullt në web faqe, Ahmet Hallvaxhiu.

Web-faqen e Radios Evropa e Lirë, e vizitoj për t’u informuar, sepse, për mendimin tim, është mishërimi i ëndrrës së kahershme të shqiptarëve që jetojnë e punojnë në trojet e tyre etnike, si dhe të atyre në gjithë Evropën demokratike dhe të lirë, si edhe emri aq domethënës që i keni vënë edhe radios tuaj të nderuar dhe të respektuar Radio Evropa e Lirë.

Unë e klikoj web-faqen e Radios Evropa e Lirë, sepse aty gjej llojllojshmëri temash të trajtuara. Konsideroj se është tepër korrekte, largpamëse, frymëzuese e njerëzve të lirë të një Evrope të lirë, në harmoni me fqinjët, me Evropën dhe me botën mbarë, prandaj dhe u përmbahem rregullave të forumit kur komentoj ngase është ndër portalet e vetme në gjuhën shqipe ku nuk lejohen fyerjet, sharjet e gjuha e urrejtjes.

Mendoj se duhet të ketë më shumë intervista, pastaj materiale se si, për shembull, është e organizuar BE-ja, apo KE-ja. Po ashtu, të japë më shumë informacione se cilat janë të drejtat, por edhe detyrat që i dalin para çdo shqiptari në veçanti dhe Qeverisë e institucioneve shqiptare, për realizimin e ëndrrës së tyre të kahershme, për t’u bërë pjesë e BE-së.

Ndërkaq, porosia ime (por mendoj se edhe e çdo shqiptari ku jeton e punon) do të ishte promovimi i tolerancës fetare të shqiptarëve ndër shekuj, pastaj promovimi i mikpritjes shqiptare që e kanë provuar të huajt (por edhe hebrenjtë që ndiqeshin në tërë Evropën, kurse në Shqipërinë e varfër, me shumicë myslimane gjetën strehim e mbrojtje), dhe si mund të paraqitet edhe më mirë në sytë e fqinjëve dhe popujve evropian e të botës, si popull mikpritës, popull i besës, tolerant dhe liridashës.

Mendoj se programi juaj mund të pasurohej edhe me një kalendar ditor të ngjarjeve më mbresëlënëse të shqiptarëve dhe figurave të tyre të njohura ndër shekuj, në mënyrë që fqinjët dhe mbarë Evropa të lexojë dhe të shohë se çfarë kanë bërë shqiptarët për të fituar lirinë dhe të drejtat e tyre si populli më i vjetër i Ballkanit dhe Evropës.

Po e mbyll me një shprehje të matematikanit , filozofit dhe albanologut të famshëm gjerman Wilhelm Gottfried Leibnitz (korrik 1664-14 nëntor 1716) që thotë se "Nëse doni të zbuloni historinë para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe, duhet të studioni gjuhën shqipe". Si dhe një thënie tjetër nga Maximilian Lambertz: Historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet vetëm atëherë kur shqiptarët do të marrin pjesë në shkrimin e saj”! Ju uroj punë të mbarë e suksese! (z.p)
XS
SM
MD
LG