Ndërlidhjet

WP: Saakashvili - Kur Putini e invadoi vendin tim


Mikheil Saakashvili

Mikheil Saakashvili

Në korrik të vitit 2008, Qeveria e Gjeorgjisë ishte në presion të konsiderueshëm: Rusia ishte duke organizuar provokime në dy rajone të vendim tim dhe i grumbullonte trupat në kufirin tonë, shkruan në fillim të artikullit të tij në të përditshmen Washington Post, ish-presidenti i Gjerogjisë, Mikhael Saakashvili.

Ai përkujton se pothuajse secili politikan perëndimor, te të cilët qeveria e Gjeorgjisë e shtroi çështjen e atyre ditëve, pati thënë se Rusia nuk do të sulmojë dhe ka kërkuar nga ne në Gjeorgji të mbesim të qetë dhe të mos reagojmë ndaj lëvizjeve ruse.

Por, Otto von Habsburg, të cilin Saakashvili e përshkruan si mik të tij, dhe për të cilin thotë se është njëri nga politikanët më me përvojë në Evropë, ishte më pak i sigurt. Ai kishte parashikuar hapur se Rusia do të sulmojë me të gjitha mjetet ushtarake, pavarësisht se çka do të bënte Tbilisi për ta evituar një finale të tillë.

Historia e përsërit vetveten, i kishte thënë atëherë von Habsburg ish-presidentit Saakashvili, shkruan Washington Post.

Pas pak javësh, dhjetëra mijëra ushtarë rusë e kaluan kufirin e Gjeorgjisë, ndërsa aeroplanët filluan bombardimin nga të gjitha anët.

Derisa Vladimir Putin dështoi ta arrijë qëllimin e tij përfundimtar, për ta marrë kontrollin në kryeqytetin Tbilisi, trupat e tij ende e okupojnë një të pestën e Gjeorgjisë.

Ka ngjashmëri habitëse ndërmjet shkallëve të hershme të agresionit të Rusisë kundër Gjeorgjisë dhe asaj që po ndodh në Ukrainë.

Duke i shikuar zhvillimet aktuale dhe përgjigjen globale, po mendoj se historia po e përsërit vetveten dhe instancat e tjera të agresionit në Evropë, shkruan Mikhael Saakashvili në të përditshmen Washington Post.

Në vitet ‘30, Gjermania naziste i okupoi pjesë të Çekosllovakisë fqinje, nën pretekstin e mbrojtjes së gjermanëve etnikë, shkruan ish-presidenti i Gjeorgjisë dhe vazhdon se sot, Rusia pretendon t’i mbrojë rusët etnikë, ose njerëzit të cilëve me shpejtësi u janë shpërndarë pasaporta ruse, në Krime ose në territoret e Gjeorgjisë.

Në shtator të vitit 1938, kur Gjermania e aneksoi Sudetenland, kryeministri i atëhershëm i Britanisë, Neville Chamberlain, këtë situatë e cilësoi si “ngatërresë në një vend shumë të largët, ndërmjet njerëzve për të cilët nuk di asgjë”.

Ngjashëm, në disa pyetje aktuale se a duhet perëndimi të shqetësohej për Ukrainën, ka përgjigje se Rusia ka më tepër arsye se sa perëndimi, shkruan Saakashvili.

Shumë në perëndim po flasin për nevojën e arritjes së njëfarë lloji të kompromisit me Rusinë, që është një opsion që i vjen era e Munihut para 80 vjetësh.

Ata pretendojnë se janë të motivuar nga interesat e tilla të përbashkëta strategjike, si moszgjerimi dhe lufta kundër terrorizmit: nga shenja e njejtë, nën maskën e nevojës për ta frenuar Bashkimin Sovjetik dhe për ta ndalur komunizmin, Chamberlain kishte arritur marrëveshje me Hitlerin, shkruan Saakashvili, për të konstatuar se tash, kuptohet, ne e dimë se të gjitha përpjekjet për t’i kënaqur nazistët i çuan fuqitë e mëdha evropiane për t’ia lënë Hitlerit vendet një pas një, dhe përfundimisht, kjo çoi në Luftën e Dytë Botërore.

Më tutje, në artikullin e tij të gjatë, ish-presidenti i Gjerogjisë, Mikhael Saakashvili, shkruan se motivimet e Putinit janë të ngjashme me ato të Gjermanisë së paraluftës: ai dëshiron ta korrigjojë atë që e sheh si trajtim të padrejtë dhe poshtërim nga fuqitë perëndimore pas Luftës së Ftohtë.

Ai po përpiqet t’i riokupojë tokat e humbura dhe t’i grabisë burimet natyrore.

Putin i destabilizon fqinjët e vet në përpjekje për ta shkatërruar oreksin e NATO-s dhe BE-së për zgjerim të mëtejshëm.

“Përse perëndimi duhet të kujdeset për atë që po ndodh në Ukrainë?”, e shtron pyetjen Saakashvili dhe përgjigjet se ne po shohim jo vetëm copëzim të vendit të madh të Evropës, por edhe shkatërrim të rendit të pas Luftës së Ftohtë në Evropë.

Ky rend ishte bazuar në rregullta të qarta, që jo vetëm se i mbrojnë shtetet e vogla, por, po ashtu, sigurojnë stabilitet dhe prosperitet për ato më të mëdhatë, i mbrojnë minoritetet dhe i zgjidhin konfliktet me mekanizma paqësor.

Mendoni për shtrirjet nëse kufijtë në gjithë kontinentin do të riktheheshin në linjat etnike. Nëse tashmë nuk ka asnjë rregull, cikli i spirales së dhunës dhe shkatërrimit, është i pashmangshëm.

Por, një finale e tillë ende mund të evitohet. Sanksionet e shpallura të Shteteve të Bashkuara janë hap i parë i mirë. Ato duhet të implementohen menjëherë, ndërsa Evropa duhet ta forcoj përgjigjen e saj.

Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia duhet të hyjnë në rrugën e shpejtë të hyrjes në Bashkimin Evropian, dhe t’u sigurohet plani aksionar i pranimit në NATO, për të demonstruar se Rusia nuk mund t’i okupoj kufijtë e saj me mjete ilegale.

Ne nuk na duhet një vizionar tjetër si Churchilli për ta ditur se çka duhet të bëhet. Demokracitë e sotme kanë mjaft përvojë; të pajisura me ndjenjën e përbashkët dhe me një sasi të vogël të guximit, ne mund ta evitojmë më të keqen, shkruan, ish-presidenti i Gjerogjisë, Mikhael Saakashvili në të përditshme Washington Post.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG