Ndërlidhjet

8 Marsi, festë apo ftesë për vetëdijesim?!


Ilustrim

Ilustrim

Barazia ndërmjet gjinive është vlerë themelore e zhvillimit demokratik të shoqërisë së Kosovë, me mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve për kontributin e tyre në zhvillimin politik, ekonomik, social,kulturor dhe në të gjitha fushat e jetës shoqërore.

Kështu fillon Ligji për Barazi Gjinore i miratuar në vitin 2004 nga Kuvendi i Kosovës.

Përfaqësuese të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave, thonë se pas formimit të institucioneve vendore, janë miratuar ligje, strategji dhe dokumente të ndryshme që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të grave, por të gjitha këto po i sfidojnë paragjykimet nga shoqëria në përgjithësi.

Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Arjeta Rexhaj, nga Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore, konsideron se kjo datë në Kosovë duhet të jetë ftesë për vetëdijesimin e autoriteteve kompetente për zbatimin e ligjeve .

“Të drejtat e njeriut janë të drejta universale të njeriut dhe nuk ndahen në burra dhe gra. Fatkeqësia jonë, diskriminimet, dhuna në familje, dhuna në shoqëri dhe të gjitha format e dhunës, po na detyrojnë me apo pa dashje, duke na kujtuar çdo herë, si zile te koka, se ne nuk kemi nivel shoqëror të ngritur, që ta kuptojnë dhe të vetëdijesohen se gratë duhet të jenë pjesë e barabartë, e pandashme e të gjitha zhvillimeve”, thotë Rexhaj.

Ligji për Barazi Gjinore, obligon që 40 për qind e grave të jenë të përfshira në pozita vendimmarrëse, ndërsa 30 për qind e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë të gjinisë femërore.

Edhe Igballe Rogova, udhëheqëse e Rrjetit të Grave të Kosovës, thekson se ligjet në Kosovë nuk zbatohen dhe për këtë arsye ky rrjet do të fillojë fushata avokuese për zbatimin e ligjeve që mbrojnë të drejtat e grave.

Rogova, megjithatë thekson se problemi kryesor qëndron te partitë politike, pasi, sipas saj, liderët e partive politike gratë i shohin si numër dhe nuk merret parasysh aftësia e tyre profesionale

“Problemi gjithmonë është te liderët e partive politike, të cilët nuk u japin hapësirë grave brenda partive të tyre. Ata i shikojnë ende gratë si numër dhe kjo duhet të ndryshohet. Partitë duhet të bëjnë reforma brenda subjekteve të tyre, sepse është koha që të largohet numri dhe të përmendet aftësia e një gruaje”, vlerëson Rogova.

Në anën tjetër, disa qytetarë konsiderojnë se të drejtat e grave respektohen në mënyrë dinjitoze.

Rasim Selimi, rreth të 50-ve, thotë se gjinia femërorë ankohet për shkak të kushteve të vështira ekonomike në përgjithësi, sepse, sipas tij, tashmë është ngritur vetëdijesimi i popullatës që edhe gratë të jenë të barabarta në shoqëri. Ndërkaq, për paragjykimet, ai thotë se kjo çështje është e ndërsjellë.

“Kanë të drejta gratë. Por, kushtet i kanë të vështira dhe për këtë arsye ankohen. Paragjykimet janë të dyanshme, fajtorë janë edhe gratë edhe meshkujt”, shprehet Rasim Selimi.

Ndryshe, zyrtarë në Institucionin e Avokatit të Popullit, në një përgjigje përmes postës elektronike, thonë se në ankesat e paraqitura, gjenden elemente të diskriminimit në baza gjinore:

“Duke pasur parasysh se Kushtetuta nuk përmban si kategori të veçantë diskriminimin ndaj gruas, të dhëna të tilla, të ndara statistikore, nuk evidentohen. Mirëpo, mund të konfirmojmë se në raste kur kemi ankesa nga gjinia femërore, brenda shkeljeve që prekin kategori të ndryshme kushtetueses; e drejta e punës dhe ushtrimit të profesionit, e drejta e pronës, e drejta e privatësisë, e drejta për arsimim etj, gjenden edhe elemente diskriminimi në bazë gjinie”.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG