Ndërlidhjet

Raporti i ndërsjellë i mediave dhe të rinjve në vend, nga këta të fundit shihet si jo mjaft i kënaqshëm. Në rubrikën e përjavshme “VOX”, të Radios Evropa e Lirë, disa të rinj thonë se nuk janë të kënaqur me trajtimin që u bëhet atyre nga ana e mediave dhe problemeve, me të cilat ballafaqohen ata.

Por, ka edhe mendime ndryshme nga ana e disa të rinjve, të cilët, ndonëse më të paktë, megjithatë vlerësojnë se mediat në vazhdimësi u qasen të rinjve.

Blerim Halilaj, student i Degës së Gjeodezisë në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se të rinjve dhe temave për problemet e tyre nuk u ofrohet hapësirë e mjaftueshme në media.

“Për mendimin tim, nuk është se kanë shumë hapësirë. Mund të kenë edhe më shumë. Ka shumë çështje që nuk i trajtojmë. Një prej tyre është edhe çështja e arsimit, që në Kosovë ka mbetur pak mbrapa. Pastaj, çështja e aktiviteteve që të rinjtë i bëjnë dhe çështja e aktiviteteve që të rinjtë të mos rrinë në kafene, por të rrinë në punë dhe të inkuadruar në jetë. Mendoj që mediat nuk e bëjnë punën e tyre që të rinjtë të avancohen më shumë dhe që ta kenë një të ardhme pak më të mirë”, thotë Blerimi.

Aida Hoti, po ashtu studente në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se në media trajtohen çështjet që kanë të bëjnë me të rinjtë, por prania e të rinjve për të trajtuar këto tema në media, është e vogël.

“Besoj që po, flasin. Mirëpo, të rinjtë edhe nuk dalin shumë në televizione për t’i shprehur mendimet dhe problemet e tyre. Për shembull, papunësia. Mediat flasin për këtë, por zgjidhje s’ka. Ftojnë të tjerë mysafirë dhe të rinjtë nuk kanë edhe aq hapësirë në medie”, shprehet Aida.

Argjend Istrefaj, student i në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se mediat anashkalojnë problemet e të rinjve dhe shpërfaqjen e tyre në mënyrën që të rinjve t’u bëhet e ditur se cilat mund të jenë pasojat e problemeve të caktuara.

“Janë shumë probleme. Kryesore janë, jo vetëm punësimi, por edhe koha e lirë e rinisë, sepse nuk kanë ku ta shpenzojnë. Nuk u mbetet rrugë tjetër përveç të bëjnë ndonjë punë të keqe ose të humbin kohën kot. Me këto probleme, pikërisht, duhet të merren mediat. Duhet të përmenden pikat e këqija se ku rinia është kah devalvon, siç janë bastoret, lojërat e fatit, rrugët, vendet e natës. Duhet të hulumtohen dhe të bëhen të mëdha këto. Do të thotë, duhet t’u bëhet me dije se ku janë gabim dhe të mbushen mend”, konsideron Argjendi.

Pranvera Hyseni, studente e Degës së Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se raporti i të rinjve dhe mediave është i mirë dhe i ndërsjellë:

“Mendoj se kanë raport mjaft të mirë, meqenëse në televizione mbahen kuize. Po ashtu, edhe emisione të ndryshme që zakonisht më së shumti përshtaten me të rinjtë. Edhe të rinjtë, po ashtu, janë shumë të lidhur me mediat dhe me emisionet që zhvillohen. Ky është mendimi im. Kanë raporte të ndërsjella”.

Por , ndryshe e sheh situatën Dardan Sopa, po ashtu student i Degës së Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës.

“Unë mendoj se lidhja ndërmjet mediave dhe të rinjve nuk është aq e mirë. Mediat duhet të jenë pak më të afërta me të rinnjtë, por edhe rinia me mediat dhe të shihen ato probleme, ato të mirat ose të këqijat e të rinjve, se cilat janë. Tash, nëse flasim për mediat tona, 80 për qind merren me çështje politike ose seri turke, të panevojshme për ne. Mendoj se ne nuk kemi nevojë për seri turke, por kemi nevojë për diçka më edukative, më arsimore që të arrijmë në atë nivel që dëshirojmë ne”, kritikon Dardani.

Mendim të ngjashëm ka erdhe Albana Nuhiu, studente e Degës së Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.

“Për mendimin tim, mediat nuk u kushtojnë aq rëndësi të rinjve, sepse më shumë po merren me politikën dhe atë se çfarë bëjnë politikanët, se sa me të rinjtë. Për shembull, se sa janë ata të angazhuar në shkolla, sa janë në rrugë të mirë ose të keqe. Përderisa mediat duhet të jenë në kërkim të lajmit, atëherë, në fakt, ato duhet të bëjnë hapin e parë e më pas mund të ndodhë edhe e kundërta”, pohon Albana.

Almedina Maliqi, studente në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se raporti i ndërsjellë i mediave me të rinjtë është i dobët, mu për shkak se në media, pjesa më e madhe e informacioneve ka të bëjë me politikën.

“Shumë pak kemi politikan shembuj, që na japin frymëzim për ta vazhduar rrugën e tyre. Zakonisht, po dalin diçka krejt ndryshe. Kështu që, mediat paksa duhet t’i kin politikës dhe të merren më shumë me të rinjtë. Duhen më shumë emisione që kanë të bëjnë me talentet e të rinjve, në mënyrë që njerëzit, bota, ta shohin se çfarë talentesh ka Kosova dhe nesër të investojnë në vendin tonë, të çelin ndonjë fabrikë ose diçka tjetër që ato talente ta zbatojnë talentin që kanë, këtu në Kosovë, të zhvillohet vendi. E jo me politikë, që është diçka që nuk po na çon kund”, shprehet Almedina.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG