Ndërlidhjet

Maqedoni: Debati mbi qeverinë e ardhshme


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Qeveria në Maqedoni duhet të formohet nga partitë fituese të bllokut politik maqedonas dhe atij shqiptar, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, duke komentuar debatet në këtë temë, ende pa u mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare tashmë të caktuara më 27 prill.

Debateve të tilla një nxitje të madhe u ka dhënë kryetari i VMRO DPMNE-së, njëherësh kryeministër, Nikolla Gruevski, i cili në një media maqedonase pas kritikoi BDI-në për kërkesën e një kandidati konsensual për president shteti, tha se nuk përjashton mundësinë që në rast të ndonjë ngërçi me partinë shqiptare fituese të zgjedhjeve, të përfshijë në qeveri partinë tjetër me më pak mandate.

“Mesazhet e Gruevskit partitë shqiptare duhet t’i lexojnë mirë dhe drejt që të mos i japin hapësirë që ai të bëjë zgjedhjen e subjektit shqiptar që do të marrë pjesë në Qeverinë e Maqedonisë, por pjesëmarrëse të jetë ajo parti që do të ketë vullnetin e votuesve shqiptarë”.

“Në të kundërtën, të gjithë ato subjekte që pretendojnë që pa legjitimitet të inkuadrohen në qeveri, do të shndërrohen në një vegël, në instrument të Gruevskit, i cili do t’i keqpërdorë në të gjitha mundësitë dhe rastet që do t’i ketë”
, konsideron Naser Zyberi, njohës i çështjeve politike dhe ish-deputet në disa përbërje parlamentare.

Mesazhet e tilla të kryeministrit, sipas komunikologut Petar Arsovski, kanë për qëllim përfitimin e pikëve politike në fushatën për zgjedhjet e dyfishta.

Ai thotë se edhe vetë kryeministri është i vetëdijshëm se në qeveri duhet të përfshihet partia shqiptare fituese e zgjedhjeve.

“Ai mund të fitojë pikë minimale politike në bazë etnike, pra te maqedonasit, por njëkohësisht ai forcon pozicionin edhe të partisë shqiptare, BDI-së. Mendoj se nuk mund të bëhen qeveri mono-etnike, pasi partneri shqiptar duhet të gëzojë besimin e shumicës së shqiptarëve”.

“Asnjëherë nuk do të mund të kthehet ajo situatë në Maqedoni që një parti maqedonase pa pasur ndonjë krizë serioze politike të përfshijë në qeveri partinë që ka fituar më pak vota te shqiptarët. Pra, nuk mundet që pa një koalicion paraprak zgjedhor të zgjidhni partinë, me të cilën do të bënit koalicion paszgjedhor, është elektorati ai që vendos se kush do t’i përfaqësojë në qeveri”
, vlerëson Arsovski.

Nga ana tjetër, Naser Zyberi thekson se përsëritja e skenarit të vitit 2006, kur në qeveri u përfshi partia që nuk kishte legjitimitetin e shqiptarëve, mund të prodhojë kriza të reja etnike.

Por, Zyberi e sheh si shqetësues për demokracinë në vend edhe synimin tjetër të Gruevskit për të fituar 63 deputetë apo mbi 50 për qind të votave.

“Ky mund të jetë një interes afatshkurtër dhe i ngushtë partiak, por shikuar në dimensione largpamëse, mendoj se bëhet fjalë për një politikë, e cila mund të shkaktojë probleme serioze në Maqedoni. Në rend të parë do të vendosej një absolutizëm total në Maqedoni ku të gjitha vendimet do të merreshin vetëm nga një subjekt politik”.

“E dyta, duke marrë parasysh se Maqedonia është vend me popullatë të përzier etnike, kjo do të shkaktonte situata konfliktuoze në rast të moskonsultimit dhe mosbashkëpunimit mes subjektit politik shqiptar dhe maqedonas”
, thekson Zyberi.

Zgjedhjet parlamentare më 27 prill do të mbahen së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve për president.

Kërkesa për shpërndarjen e Kuvendit erdhi nga partia shqiptare në qeveri, BDI, e cila kërkonte kandidat të përbashkët për presidenti me partinë maqedonase, por kjo u refuzua nga VMRO-ja me arsyetimin zgjedhjen e kandidatit të saj e bën anëtarësia dhe jo të tjerët.
XS
SM
MD
LG