Ndërlidhjet

Kerry: Vërejtje Lavrovit lidhur me Krimenë


John Kerry (majtas) dhe Sergei Lavrov
John Kerry (majtas) dhe Sergei Lavrov
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i ka thënë ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, se aneksimi i Krimesë “do ta mbyllte çfarëdo hapësire të mundshme për diplomaci”.

Këto komente ai i bëri gjatë bisedës telefonike me zotin Lavrov, të shtunën vonë, derisa grupe të armatosura pro-ruse e kanë forcuar praninë e tyre në gjithë gadishullin Krime në Ukrainë.

Më herët, ministri Lavrov tha se kriza në Ukrainë ishte “krijuar artificialisht për shkaqe të pastra gjeopolitike”.

Agjencia Reuters ka raportuar për një konvoj me qindra trupa ruse, në afro 50 kamionë ushtarakë, së bashku me automjete të blinduara, që u vendosën në një bazë ushtarake, në veri të qytetit Simferopol, gjatë ditës së shtunë.

Ka pasur të shtëna alarmi kur vëzhguesit ndërkombëtarë ishin përpjekur të hynin në Krime.

Një zëdhënëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), tha se askush nuk është prekur nga këto të shtëna, të cilat kishin për qëllim kthimin prapa të misionit me më se 40 vëzhgues të paarmatosur, të cilët janë ftuar nga autoritetet në Kiev, por nuk kanë leje nga autoritetet pro-ruse të Krimesë.

Kjo ishte përpjekja e tretë e vëzhguesve që të hyjnë në Krime. Kësaj radhe ka pasur të shtëna, ndërsa dy herët e para nuk ka pasur të shtëna armësh.

Nga ana tjetër, kufitarët e Ukrainës kanë thënë se një aeroplan vëzhgues i paarmatosur është sulmuar me të shtëna armësh nga toka derisa fluturonte në lartësi 1000 metra mbi kufirin rajonal.

Presidenti amerikan, Barack Obama, është përpjekur t’i sigurojë zyrtarët e lartë të Shteteve të Baltikut, për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sigurinë e tyre dhe është konsultuar me aleatët e tjerë evropianë për krizën në Ukrainë.

Presidenti Obama ka biseduar me presidenten e Lituanisë, Dalia Grybauskaite, presidentin e Letonisë, Andris Berzins, dhe me presidentin e Estonisë, Toomas Hendrik Ilves.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ka thënë se raportet më të afërta ndërmjet Kievit dhe Brukselit, nuk do ta dëmtojnë Moskën.

“Qëllimi ynë për Ukrainën është shumë i qartë: të ketë paqe, stabilitet, prosperitet. Ne nuk kemi kurrfarë ambicie sa i përket Ukrainës. Ne dëshirojmë që banorët e Ukrainës të vendosin për të ardhmen e tyre, dhe ne po përpiqemi ta bëjmë të qartë për partnerët rusë se asociacioni i Ukrainës me Bashkimin Evropian nuk është kundër interesave të Rusisë. Ne nuk duam konfrontim lidhur me Ukrainën”, tha Jose Manuel Barroso.

Rritje e tensioneve është raportuar edhe në bazën detare të Ukrainës në Novozernoje.

Sipas raporteve të agjencisë Reuters, afro 100 rusë të armatosur po i mbajnë nën vëzhgim ukrainasit në atë bazë, ku një anije ruse është vendosur në hyrje të limanit, në mënyrë që ukrainasit të mos janë në gjendje të largohen nga andej me tri anije të marinës së tyre.

Zëvendëskomandanti i kësaj baze të Ukrainës, Vadim Filipenko, tha se “rusët na janë kërcënuar kur ne shkuam për t’u furnizuar me ushqim duke i kthyer armët në ne”.

Ministri i Jashtëm i përkohshëm i Ukrainës, Andriy Deshchytsya, tha së fundit se Ukraina kurrë nuk do ta dorëzojë Krimenë dhe se Kievi po bën çdo gjë të mundur për ta zgjidhur këtë krizë në mënyrë paqësore. (f.bujupi)
XS
SM
MD
LG