Ndërlidhjet

Kërcënimi i Erdoganit për rrjetet sociale dëshpëron të rinjtë


Në rrugën Istiklal, në qendër të Stambollit, është e zakonshme për njerëzit që të ecin me kokat e tyre ulur, duke përdorur smartfonët.

Andaj, nuk është për t’u habitur se paralajmërimi i kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan, se do të konsiderojë ndalimin e Facebook-ut dhe YouTube-it, pas zgjedhjeve komunale të 30 marsit, është pritur me dëshpërim nga banorët e rinj të Stambollit.

“Nuk jam i lumtur, por nuk mund të bëjmë asgjë”, thotë Adami, një student 21-vjeçar, i cili kërkon të mos i publikohet mbiemri.

“Të rinjtë do të thonë se është diçka e gabuar, nuk do ta mbështesim, por asgjë nuk do të ndryshojë”, thotë ai.

Njoftimi i Erdoganit në një intervistë për televizionin privat ATV pason një muaj, në të cilin regjistrimet e bisedave të dyshuara midis kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij janë postuar gati në baza ditore në YouTube.

Një video në të cilën Erdogani supozohet se i thotë djalit të tij, Bilalit, të fshehë mbi një miliard dollarë para të gatshme, është shikuar pothuajse 5 milionë herë.

Erdogan thotë se regjistrimet janë të fabrikuara dhe akuzon rivalët e tij politikë për abuzim të mediave sociale për ta dëmtuar atë.

Ai thotë se incizimet janë vepër e një “shteti paralel” që drejtohet nga ndjekësit e ish-aleatit të tij politik, tani politikan në mërgim, Fethullah Gulen.

“Më besoni, disa nga miqtë e mi dhe unë – nuk po flas për të gjithë ata – jemi shumë të vendosur. Nuk mund ta bëjmë këtë komb viktimë të YouTube-it, Facebook-ut etj”, ka thënë Erdogan në intervistën për televizionin ATV.

Në sheshin Bejazit, jashtë Universitetit të Stambollit, Buket Kaya, studente e gjeografisë, e cila thotë se miqtë e saj kanë shpërndarë informacionet për skandalin e bisedave të Erdoganit nëpër Facebook., thotë se mbyllja e rrjeteve sociale do të ishte “diçka e çmendur”.

“Personalisht nuk kam kohë të shoh televizion, andaj të gjitha informacionet i marr nga rrjetet sociale. Ku do t’i marr lajmet nëse nuk kam qasje në këto rrjete”, thotë Kaya.

YouTube është ndaluar në Turqi në vitin 2008, pas një ankese për disa video që thuhej se fyenin Mustafa Kemal Ataturkun, themeluesin e Turqisë moderne. Shërbimi i shpërndarjes së videove është rikthyer nga gjyjatat turke më 2010.

Në muajin shkurt, kur edhe janë shfaqur bisedat e para në YouTube, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Erdoganit ka kaluar legjislacionin, i cili forcon kontrollet shtetërore të internetit dhe lejon autoritetet të mbyllin ueb-faqet pa ndonjë urdhër gjykate.

Legjislacioni ka shkaktuar protesta në Stambill dhe Ankara, gjatë të cilave policia ka përdorur topa uji, plumba gome dhe gaz lotsjellës.

Presidenti Abdullah Gyl, aleat i Erdoganit, ka nënshkruar ligjin për internetin, por ka thënë se nuk do të nënshkruajë masën që ndalon Facebook-un dhe YouTube-in.
Mbyllja nuk është në diskutim, u ka thënë ai gazetarëve më 7 mars.

“Platformat si YouTube dhe Facebook janë platforma mbarëbotërore. Mbyllja e tyre është jashtë diskutimit. Autoritetet mund të bllokojnë qasjen në materialet ku shkelet privatësia e një personi”, ka thënë Gyl.(v.tela)
XS
SM
MD
LG