Ndërlidhjet

Rritja e pensioneve të përfshijë të gjitha kategoritë


Edhe pensionistët kontribut-pagues do të përfitojnë rritje pensionesh nga premtimi i kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, për rritjen e pagave për punëtorët e sektorit publik.

Kjo kategori e shoqërisë vlerëson se rritja e pensioneve, është e nevojshme por që në këtë rritje, sipas tyre, duhet të përfshihen edhe pensionet e moshës për personat që mbushin 65 vjeç.

Kryetari Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, për Radion Evropa e Lirë, thotë se ka kërkuar nga qeveria që rritja për pensionet të jetë 30 për qind dhe të përfshijë të gjitha kategoritë.

“Përqindja e rritjes ende nuk dihet, kur të komunikon qeveria del edhe për pensionistë, por kryesorja është se në këtë rritje janë përfshirë edhe pensionistët. Ne kemi kërkuar 30 për qind për të gjitha kategoritë, a do të pranojnë apo jo, kjo është çështje e qeverisë”, tha Kajtazi

Në Kosovë llogariten mbi 113 mijë pensionistë marrin nga 60 euro në muaj, ndërkaq mbi 35 mijë pensionistë llogariten të jenë kontribut-pagues që marrin nga 112 euro në muaj.

Pensionistët kontribut-dhënës e mirëpresin vendimin e qeverisë për rritjen e pensioneve.

Pensionisti, Bali Sopa 84 vjeç, ka punuar në ndërmarrjen “Ramiz Sadiku” 34 vjet me radhë. Ai thotë se të gjithë pensionistët jetojnë në kushte të vështira, pasi shuma që marrin nuk mjafton për gjëra elementare.

“Qeveria sipas mundësisë buxhetore i ndan. Unë marr 112 euro, nuk mjaftojnë as për barna. Ne pensionistëve na kanë lënë shumë mbrapa. Edhe pensionet e pleqërisë duhet të rriten sepse edhe ata duhet të jetojnë”, thekson Sopa.

Ekonomisti Hasan Blaku, tashmë pensionit, thotë se pensionistët me vite janë diskriminuar, madje sipas tij, kjo pjesë e shoqërisë ka kaluar në gjendje të mjerueshme.

Ai ndërkaq dyshon se rritja e pensioneve, mund të sjellë ndonjë ndryshim të madh, për shkak se baza e pensioneve është shumë e ulët.

“Ata deputetë që janë në Kuvend të Kosovës, ata janë bijtë dhe bijat tona. Ata duhet të kenë kujdes për prindërit e vetë. Dhe të kenë parasysh që sa më shpejt të aprovohet ligji për pensione. Të gjithë pensionistët, qoftë kontribut pagues, qoftë të pleqërisë, qoftë invalid, skajshmërisht jeta e tyre është rrezikuar, sepse nuk kanë mjete as për barna, e mos të flasim për shërbimet tjera”, thekson Blaku.

Idrizi është një pensionit tjetër kontribut-pagues. Ai konsideron se qeveria në rend të parë është dashur të rrisë pensionet e pleqërisë, pastaj të mendojë për kontribut-paguesit.

“Ma mirë ka qenë dashur të rriten pensionet e pleqërisë, sepse ata kanë vetëm 60 euro, ndërkaq ne se paku shpresojmë se na rrisin, e ata kurrë. Ma mirë ka qenë që atyre t'iu rriten pensionet për 10 euro, e për ne hiç”, thotë Idrizi.

Ndryshe, për rritjen e pensioneve kjo kategori e shoqërisë, ka protestuar disa herë.

Kërkesat e tyre kanë qenë që të bëhet kategorizimi i pensionistëve dhe pensionet të jenë 60 për qind të pagës mesatare në Kosovë, që në bazë të kësaj kërkesë, sipas tyre, pensionet duhet të fillojnë nga 120 deri në 250 euro në muaj.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG