Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës merr vendim për rritjen e pagave


Ilustrim
Ilustrim
Që nga muaji prill, të gjitha kategoritë e të punësuarve publik në Kosovë, do të marrin pagat me rritje nga 25 deri në 50 për qind.

Vendimi për rritjen e pagave është marrë sot gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës përmes një kumtese të lëshuar, ka bërë me dije se qeveria ka miratuar vendimin e paralajmëruar për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarve publik, përfituesit e skemave sociale dhe pensionistët.

“Rritja për të gjithë do të jetë njëzet e pesë për qind (25%), përjashtimisht për ish-minatorët e “Trepçës”, ku rritja do të jetë pesëdhjetë për qind (50%). Rritja do të fillojë me pagat e muajit prill të këtij viti”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e qeverisë.

Kryeministri Hashim Thaçi, siq ka njoftuar qeveria, ka vlerësuar se rritja e pagave, do të jetë ogur i mirë për dyqind e katërdhjetë mijë familje kosovare, buxheti i të cilave do të jetë më i mirë dhe jeta e tyre do të përmirësohet.

“Në kuadër të kësaj rritje do të përfitojnë mësuesit, profesorët e shkollave të mesme, profesorët universitarë, akademikët, institutet shkencore, punëtorët shkencorë, familjet e dëshmorëve, policët, pjesëtarët e FSK-së, TMK-së, gardianët, zjarrfikësit, inspektorët policorë, pylltarët, shërbyesit civilë, infermierët, mjekët, specialistët, doganierët, inspektorët tatimorë, auditorët e ZAP-it, auditorët e brendshëm, prokurorët, prokurorët specialë, gjykatësit, artistët dhe të gjithë kategoritë tjera”, citohet të ketë thënë kryeministri Thaçi në fjalimin e tij para ministrave të kabinetit qeveritar.
XS
SM
MD
LG