Ndërlidhjet

Maqedoni: Fjalori nxitës, retorikë elektorale


Maqedoni...
Maqedoni...
Njohësit e çështjeve politike dhe të shoqatave joqeveritare nuk shohin asnjë rrezik mbi ndëretnicitetin nga fjalori nxitës i partive politike.

Ata thonë se qytetarët tashmë janë mësuar me një retorikë të cilat e cila qëllim kryesor ka përfitimin e elektoratit dhe jo zgjidhjen e problemeve të tyre.

Përplasjet e fundit mes partnerëve të koalicionit aktual qeverisës lidhur me agjendat e tyre etnike në kontekst të zgjedhjeve presidenciale dhe atyre të parakohshme parlamentare, nuk duhet të merren seriozisht, meqë kanë prapavija tjera për të cilat partitë janë marrë vesh paraprakisht.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike duke komentuar deklarimet e fundit të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti se do të kontestojë legjitimitetin e presidentit të ardhshëm për shkak të refuzimit të kërkesës së tij nga ana e VMRO-DPMNE-së, për gjetjen e një kandidati konsensual të pranueshëm nga dy komunitetet shumicë, por edhe synimin e kryeministrit Nikolla Gruevski, për të fituar sa më shumë deputetë, që të mos kushtëzohet me kërkesa etnike nga ana e BDI-së.

“Ky është një skenar i përgatitur më parë mes partnerëve të koalicionit qeveritar që të kenë mospajtime mes tyre. Raportet ndëretnike gjatë fushatave zgjedhore asnjëherë nuk janë përkeqësuar pasi kjo nuk i konvenon as njërës e as palës tjetër".

"Nuk pres që edhe kësaj radhe të ketë tensione mes dy komuniteteve më të mëdha, pasi thjesht bëhet fjalë për agjenda të përgatitura e që tashmë po lexohen nga qytetarët"
, thotë për Radion Evropa e Lirë, Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike.

Albert Musliu, nga Qendra për Iniciativa Demokratike, që merret me çështje ndëretnike thotë se që nga periudha e pavarësimit të shtetit retorika të këtilla nxitëse ka pasur por që nuk do të kenë efektet e pritura nga partitë.

Ai thotë se në interes të partive maqedonase duhet të jetë një fjalor më i matur nëse janë të interesuar që të mos dështojnë para së gjithash zgjedhjet presidenciale.

Retorika e ashpër politike ndëretnike është e pranishme në këto treva që nga koha e pavarësimit të vendit, ashtu që besoj se tek qytetarët nuk do të shkaktoj ndonjë reagim të veçantë".

"Retorika e tillë është e pranishme dhe qytetarët janë mësuar me të, por ndoshta mund të ketë efekt te një numër i vogël i qytetarëve dhe partitë politike do të përqendrohet për tërheqjen e kësaj kategorie".

"Por kësaj radhe besoj se është në interesimin e partive maqedonase që të ketë një fjalor më të matur se kjo mund të reflektohet në zgjedhjet presidenciale“, thotë Musliu.

Zdravko Savevski, profesor universitar dhe njohës i çështjeve politike thotë se fjalori mes dy partive politike në dukje të parë të lë përshtypjen e tensioneve serioze etnike, por që në realitet është krejt e kundërta pasi situatat e tilla tashmë janë bërë praktikë para çdo cikli zgjedhor.

“Është më se e qartë se dy partitë luajnë në kartën e nacionalizmit dhe gjithë kohë sikur krijohet përshtypja se këtë e bëjnë në formë të sinkronizuar dhe me një marrëveshje paraprake e cila ka për qëllim ngritjen e rejtingut të tyre para elektoratit. Veç kësaj qëllimi i tyre mendoj se është edhe largimi i vëmendjes nga problemet reale, papunësia, gjendja e rëndë sociale e kështu me radhë“, thotë Savevski.

Sipas tij, rastet të tilla ka pasur edhe më parë kur dy partitë kanë mbrojtur deri në fund pozicionet e tyre nacionaliste, por që pas zgjedhjeve janë marrë vesh dhe kanë bashkëqeverisur sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
XS
SM
MD
LG